Shëndetësi

425 milionë të rritur në botë jetojnë me diabet

Shoqata e Endokrinologëve dhe Diabetologëve e Kosovës ka organizuar aktivitete në Prishtinë për t’i sensibilizuar qytetarët  me sëmundjen e dibabetit me rastin e Ditës botërore të kësaj sëmundjeje.

Kryetar i Shoqatës së Endokrinologëve dhe Diabetologëve të Kosovës, Bardhyl Gashi, ka thënë se në Kosovë numri i diabetikëve është tejet i madh.

“Të jeni të sigurt që edhe këtë ditë që po bëhet matja e glikemisë kemi gjetur shumë pacientë të rinj që nuk e kanë ditur që janë të sëmurë prej diabeti, që nuk e kanë ditur që e kanë pasur më parë”, ka deklaruar Gashi.

Kjo shoqatë që nga ora 9 e mëngjesit në sheshin “Zahir Pajaziti” ka hapur dy tenda për matjen e glikemisë së bashku me pjesëtarë të FSK-së dhe me Shoqatën e Endokrinologëve të Kosovës dhe Klinikën Endokrinologjike, ku qyetarët kanë pasur mundësi ta bëjnë testimin.

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës u tha se në mbarë botën 425 milionë të rritur jetojnë me diabet dhe ky numër pritet të rritet në 642 milionë.

“Faktorët e rrezikut që favorizojnë shfaqjen e diabetit janë: trashëgimia, apo personat me histori familjare, moshat mbi 40 vjeç, obeziteti dhe mbipesha, mungesa e aktivitetit fizik, duhanpirja, tensioni i lartë i gjakut etj”, thotë ky institut.