Shqipëria

Shqipëria përtej bregdetit

Ky numër i Albinfo.ch, i realizuar me mbështetjen e Helvetas, përmes projektit “Risi Albania”, i kushtohet publikut dashamirës ndaj natyrës dhe kulturës, duke sjellë destinacione që shkojnë përtej ofertave të turizmit bregdetar

Kur bisedojmë me zviceranët dhe evropianët e tjerë për Shqipërinë, ata kanë një refleks të menjëhershëm për të vënë në dukje se e kanë lexuar veprën e Ismail Kadare-së dhe se ky vend ka një bregdet të mahnitshëm. Po, është fakt se Shqipëria ka një vijë bregdetare prej më shumë se 400 km të gjatë që shtrihet përgjatë detit Adriatik dhe detit Jon. Megjithatë, edhe pse bregdeti të lë pa frymë me bukurinë e tij që tërheq aq shumë vizitorët, Shqipëria gjithashtu ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik në brendësi të vendit. Në fakt, nuk është rastësi që ai quhet edhe vendi i shqiponjave, një peizazh ekspresiv dhe i rrethuar nga malet, lugina dhe dritare të saj historike të jashtëzakonshme. Në brendësi të vendit, sikurse në veri ashtu dhe në jug, Shqipëria zotëron pasuri të mahnitshme natyrore dhe kulturore që meritojnë të njihen nga afër.

Ndonjëherë, disa evropianë kanë vështirësi për të vizituar këtë vend dhe hezitimet e tyre shpesh ushqehen nga mosnjohja e Shqipërisë, por edhe nga imazhet e të kaluarës së saj të izoluar komuniste, si dhe nga historia e dhimbshme e rajonit të Ballkanit. Këto aspekte mund të përforcojnë ndjenjën e pasigurisë dhe të bëjnë që turistët të ngurrojnë ta zbulojnë këtë vend, pavarësisht nga kurioziteti i tyre i cili është në rritje. Megjithatë, duhet të thuhet se, Shqipëria është një vend i sigurt, madje më i sigurt se disa vende perëndimore. Për më tepër, i huaji ka një kuptim të veçantë në traditën shqiptare. Respekti, vëmendja dhe mikpritja për një të panjohur janë vlerat kryesore të vendit. Në këtë temë, një  thënie e vjetër shqiptare kujton me forcë se shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut!

Ky numër special i Albinfo.ch, i realizuar me mbështetjen e Helvetas, përmes projektit të tij “Risi Albania”, i kushtohet publikut dashamirës ndaj natyrës dhe kulturës, duke i sjellë pranë syve destinacione të ndryshme të mundshme dhe oferta profesionale të turizmit që janë futur gradualisht në Shqipëri dhe që shkojnë përtej ofertave të turizmit bregdetar. Kjo përpjekje gazetareske është në qendër të misionit të platformës Albinfo.ch, e cila synon të ofrojë shërbime dhe informacione për zhvillimin harmonik të vendeve të origjinës së diasporës shqiptare. Ky projekt special i revistës synon të promovojë turizmin e qëndrueshëm malor, agrar, kulturor dhe atë të aventurës, si një nxitës i zhvillimit ekonomik të vendit. Dosja që keni në duart tuaja ka kuptim për ne, ngase ky lloj i zhvillimit të turizmit gjeneron vende pune dhe ngërthen në vete mbrojtjen e mjedisit, duke promovuar dhe inkurajuar ruajtjen e trashëgimisë historike, pasurisë natyrore dhe diversitetit kulturor të vendit.

Ky numër është i strukturuar rreth tri temave: ecje dhe ngjitje në malet e Shqipërisë, turne kulturore dhe kulinare, si dhe aventura ciklike ose ujore. Disa tema hyrëse dhe editoriale institucionale Shqiptaro-Zvicerane do ta njohin lexuesin më nga afër me këtë vend.

Ja vlen me të vërtetë të zbulohet brendia e këtij vendi të kontinentit të vjetër, i cili është i stolisur me plot perla të bukura natyrore dhe aventureske, dhe ku ofrohen shërbime me çmime të volitshme, dhe madje duke përmbushur standardet  cilësore  gjithnjë e më të kërkuara në Evropë. Secili person që ka shkuar në trojet shqiptare dëshiron të kthehet sërish, sepse ata janë pasuruar shumë nga aspekti njerëzor dhe emocional: në Shqipëri takimet njerëzore të paharruara realizohen lehtë.

Pra duke shfletuar këtë reviste speciale të përgatitur për ju, shpresojmë që të grishim kuriozitetin tuaj dhe të ndikojmë që të vizitoni këtë vend, për të pushuar, rigjeneruar, zbuluar, për aventura, ose për të shijuar ushqimet e shijshme.

Prandaj, që nga ky moment ju urojmë rrugëtim të mbarë e të bukur në vendin e shqiponjave!