E-Diaspora

Gjykata zvicerane dënon dy persona për grabitje në aeroport – “Kjo mund të ndodhë, e dini”

Një 33 vjeçar maqedonas dhe një 48 vjeçar kosovar janë arrestuar në 12 maj 2018 në Zürcher Central pas një kontrolli. Kjo pasi të dy akuzohen se kanë vjedhur valixhet e pasagjerëve në aeroportin e Cyrihut. Zbulimi është bërë përmes video-inçizimeve. Në këto momente ata ndodhen në burg, pasi Gjykata Rajonale e Bülach i shpalli fajtorë, shkruan “NZZ”.

“Sipas video-inçizimeve maqedonasi akuzohet për tre grabitje në 26 mars, 10 prill dhe 21 prill 2018. Kosovari në fakt nuk ka qenë hajduti, por në të tre videot është prezent. Policia dyshon se mes tyre ka pasur edhe dy të dyshuar tjerë,” përcjell albinfo.ch. “Në 26 mars maqedonasi ka grabitur një çantë dore me fotografi dhe kamerë nga një çift prej Hong Kongu me vlerë rreth 10 mijë franga. Ai shfrytëzoi rastin gjatë kohës kur çifti tentoi të marrë një veturë me qira.”

Ngjashëm ka ndodhur në 10 prill kur grabitën 32 vjeçarin nga Egjipti, gjatë kohës kur hante një salçiçe, ‘plaçkë me vlerë 7400 franga’. Kurse në 21 prill maqedonasi grabiti gjermanin 44 vjeçar sende me vlerë 680 franga.
Në kohën kur për maqedonasin ka video-incizime, kosovari mohon çdo lloj pjesëmarrje në grabitje. Maqedonasi në anën tjetër e paraqet veten si shitës të auto-pjesëve, por i kishte borxh një shqiptari 30 mijë franga. Kjo është arsyeja se pse kishte filluar të grabisë dhe shpresonte që te plaçkat të gjente vetëm para kesh. Sendet tjera me vlerë thotë se i ka hudhur te mbeturinat, pasi i janë dashur vetëm para.

“Personi që më dha borxh, ishte pjesë e një bande që vrisnin fëmijë dhe nëna,” thotë i frikësuar 33 vjeçari, duke shtuar se ka vepruar i vetëm në krim.

Ai akuzohet edhe për falsifikim, pasi në pasaportë mungonin faqe. “Mund të ketë ndodhur që fëmijët kanë luajtur me pasaportën,” tha ai, përcjell albinfo.ch.

Në anën tjetër edhe kosovari nuk është person aq i dëlirë. Në Belgjikë jeton me ndihmë sociale, ndërsa shpesh ka qenë pjesë e udhëtimeve. Ai është akuzuar në Francë për vjedhje në 1997, ndërsa ngjashëm ka grabitur edhe në aeroportin e Vjenës në 2013. Pyetjes se si është e mundur që gjatë tre grabitjeve ka qenë pranë maqedonasit, ai përgjigjët: “Kjo mund të ndodhë, e dini.”

Gjykata i dënoi me tetë muaj heqje lirie, përkundër që avokati i kosovarit kërkoi liri për klientin e tij. Provë kohore njëri ka 3, kurse tjetri 5 vjet. Më pas ata janë dërguar në Zyrën e Migracionit dhe kanë ndalesë hyrje për minimalisht pesë vjet.
Gjykatësi mendon se vjedhja është profesionale dhe nuk beson se sendet me vlerë janë hudhur te mbeturinat. Nga dënimet me burg dhe largim nga Zvicra, ai shpreson në mësimin që duhet të marrin dy të pandehurit.