Feja

Universitetet zvicerane do të arsimojnë imamë

Universitetet dhe shkollat e larta të Zvicrës duhet të marrin iniciativë që së bashku me komunitetin islam të ndërtojnë struktura konkrete për arsimimin e imamëve

Në universitetet e Zvicrës në të ardhmen do të mund të përgatiten teologët islamikë, gjegjësisht imamët. Këtë vendim e kanë marrë të enjten përfaqësuesit e shkollave të larta, të administratës federale dhe të bashkësive fetare myslimane në një konferencë të mbajtur në Bernë.

Në bazë të këtij vendimi, universitetet dhe shkollat e larta të Zvicrës duhet të marrin iniciativë që së bashku me komunitetin islam të ndërtojnë struktura konkrete për arsimimin e imamëve. Kështu ka deklaruar Antonio Loprieno (në foto), kryetar i konferencës së rektorëve të universiteteve të Zvicrës. Ai është njëherësh edhe përgjegjës në një grup pune prej dhjetë vetash, i cili me këtë çështje merretr që nga fundi i vitit 2010. Në këtë grup përfaqësohen universitetet, autoritetet federale dhe myslimanët.

“Detyra kryesore e grupit është që të krijojë një bazë debati për të gjithë pjesëmarrësit”, ka thënë për agjencinë e lajmeve sda, Michele Galizia nga qendra për luftimin e racizmit. Pjesëtarët e grupit, sipas saj, kanë zhvilluar takime njëherë në tre muaj me ç`rast kanë shprehur qëndrimet e tyre personale dhe jo të organizatave që përfaqësojnë. Kjo ecuri, ka shtuar ajo, mundëson që temat e shtruara për debat të trajtohen në mënyrë të hapur dhe shkencore. Për vendime konkrete është ende herët, ka thënë ajo.