Gruaja

Tri shqiptare, kandidate për Mis Zvicra 2013

Ndërsa 6 nga gjithsej 18 kandidatet e bëra të njohura janë nga vendet e Ballkanit si Kosova, Kroacia dhe Serbia

Pas një pauze që pati vitin e kaluar evenimenti “Mis Zvicra” pritet që këtë vit të organizohet sërish. Dhe, që tash duket se ky organizim do të ketë një frymë Ballkani. 6 nga gjithsej 18 kandidatet e bëra të njohura janë nga vendet e Ballkanit si Kosova, Kroacia dhe Serbia. Prej tyre, gjysma ose 3 janë shqiptare nga Kosova. Dorina Podrimja, Anita Mustafa dhe Heidi Lushtaku janë tri shqiptaret që do të konkurrojnë për kurorën e mis Zvicrës. Dy të parat janë të lindura e të rritura në Zvicër ndërsa e trea ka ardhur në Zvicër në klasën e parë të fillores.

“Emrat nuk tingëllojnë shumë zviceranë, kjo tregon ndryshimet në kohë dhe është një dukuri që ne sot e kemi realitet në vendin tone”, ka thënë Karina Berger, që është në krye të organizimit të spektaklit. Por, ka shtuar ajo, juria që përbëhet nga 6 persona nga bota e modës dhe shoubiznesit nuk shikon as ngjyrën e lëkurës dhe as emrat e kandidateve. Kriteret tona janë: shtetësia zvicerane, mosha 17-25 vjeçare, e pamartuar, pa fëmijë dhe gjatësia së paku 1.68. dhe këto kritere i plotësojnë të gjitha”.

Më 28 prill do të ketë edhe një seleksionim me ç`rast garën do ta vazhdojnë 12 nga 18 vajzat që sot janë në listën e konkurrueseve.