Gjuha

Kryesia e L.A.P.Sh. për Zvicër është pengesë kryesore në organizimin e shkollës shqipe*

"Tani më shihet qartë, se me veprimet e tyre kryesia e L.A.P.Sh. për Zvicër në krye me Nexhat Malokun, i cili që 5 vjet është kryetar dhe i shoqëruar me nja 3-4 vetë të të njëjtit mendim, janë pengesë kryesore në organizimin dhe masivizimin e shkollës shqipe në Zvicër", thuhet në një reagim të Rexhep Rexhepit,kryetar i Kryesisë kantonale të L.A.P.Sh. “Naim Frashëri” për Kantonin e St. Gallenit

Të dielën e kaluar me datën 23.09.2018, në Lengnau të kantonit të Bernit u mbajt mbledhja e radhës e L.A.P.Sh. për Zvicër.

Edhe pse përfaqësuesit kantonalë kishin bërë rrugë edhe nga 200 km., u ndanë të pakënaqur, të revoltuar me sjelljen e Kryesisë Qendrore për Zvicër. Ata në vend që të hapin rrugë në rritjen e pikave shkollore dhe të bashkëpunojnë sa më ngushtë me prindërit shihej dukshëm se nëpërmjet një qëndrim qesharak  kishin hap disa probleme në kuadër të organizimit të shkollës shqipe në Kantonin Cyrihut.  Nga gjashtë pikat e rendit të ditës sa ishin paraparë nuk u shqyrtuan as 2 si duhet sepse forma e organizimit të mbledhjes, ikja nga përgjegjësia dhe anashkalimi i problemeve të akumuluar gjatë këtyre pesë vjetëve sa ka qenë Nexhat Maloku kryetar nuk jepte shpresë për një hap përpara. Pra thënë shkurt Kryesia e L.A.P.Sh. për Zvicër edhe një herë dëshmoi se nuk është e gatshme të merret me problemet ekzistuese siç janë rënia drastike e numrit të nxënësve, ruajtja e L.A.P.Sh. si monopol të vetin nga Këshilli Kantonal i Cyrihut, mosdhënia e përgjegjësisë, mosangazhimi në hapjen e pikave të reja shkollore etj.

Ashtu sikurse në Kuvendin e fundit, anëtarët  e ish-Kryesisë vazhduan me avazin e vjetër. Zhurmë, manipulime fjalësh, mosdhënie të përgjegjësisë, raporti financiar i pambyllur, procesverbali i Kuvendit i padërguar dhe një mori deformimesh të cilat e lëndojnë rëndë statutin dhe rregulloren e L.A.P.Sh.

Fjala informative nga Nexhat Maloku, u shoqërua me reagime të forta, sepse ishte një prezantim i njëanshëm dhe anashkalim i problemeve të brendshme të L.A.P.Sh.  Ajo që më ra në sy është zhurma, ndërhyrje dhe më e keqja reagime të ulëta dhe ofendime në adresë të disa përfaqësuesve të Këshillave Prindëror të cilët kishin ardhur t`i prezantojnë problemet e pazgjidhura deri më tani.

Sot në një vend me standarde të larta demokratike, në një vend si Zvicra, ku drejtoritë dhe mësuesit zviceranë na ndihmojnë vazhdimisht në forma të ndryshme, L.A.P.Sh  po pëson grushtin më të rëndë rënia e numrit të nxënësve, ku gati në 15 kantone nuk ka asnjë pikë shkollore, asnjë nxënës. Dhe kryesia fare nuk shqetësohet. Unë jam njëri ndër pjesëmarrësit më të rregullt në mbledhjet e L.A.P.Sh. dhe delegat i kuvendit të fundit. Lirisht mund të themi se asnjëherë nuk është vënë në rend dite rënia e numrit të nxënësve.

Prandaj, pas këtij anashkalimi të kërkesave të përfaqësuesve kantonalë dhe injorimit të problemeve ekzistuese brenda L.A.P.Sh. vendosa të reagoj publikisht, sepse reagimi ndaj parregullsive është akt qytetar dhe për ne shqiptarët në diasporë është edhe akt kombëtar.

Ajo që më shqetësoi jashtë mase ishte qëndrimi i Kryesisë për t`ua mbyll gojën  përfaqësuesve të Këshillave Prindëror për pikat shkollore në Affoltern am albis dhe në Dietlikon e Brüttisellen, ku përfaqësuesit e  këtyre pikave (kryetarët e Këshillave Prindëror) ishin në mbledhje, u munduan t`i prezantojnë problemet ekzistuese,  por kryesia në krye me Nexhat Malokun, jo vetëm që i penguan sa herë që e morën fjalën, por edhe i nxorën përjashta, gjë që nuk ka ndodhë deri tani asnjëherë.  Por sidoqoftë fjalët e tyre depërtuan te të gjithë përfaqësuesit.

Pas mbledhjes bisedova me disa pjesëmarrës.

Mimoza Dako: Prej më se dy vitesh jetoj në Zvicër,  pasi me parë kam emigruar në Greqi 20 vite te tera. Atje kam kryer veprimtari shoqërore në cilësinë e kryetares së shoqatës «Shqiptaret e Selanikut» dhe përvoja ime si mësuese e gjuhës shqipe është e lidhur ngushtë me atë vend. Hapja e shkollës shqipe për herë të parë  në Greqi me 7 Mars të vitit 2001 është dëshmi e gjallë e dëshirës sime për të mësuar shqip fëmijëve kudo që janë.

Të  jem më konkrete, në kantonin e Cyrihut, ku unë bëj pjesë, që prej momentit kur hyra, asnjë takim nuk është zhvilluar për plan mësimor 3- mujor apo 6-mujor, megjithëse ua kam kërkuar. Asnjë bisedë për ecurinë e nxënësve, asnjë bisedë për zhvillime aktivitetesh mësimore e edukative. Zgjedhjet e kuvendit për kanton të Cyrihut në dhjetor të 2017, ishte një mbledhje e shtyrë disa herë për mospjesëmarrjen e duhur, me debate jo konstruktive, mostransparencë të raporteve të financave etj. Doza e turpit u shtua me ofendime e presione ndaj grupit të këshillit prindëror të Affolternit nga ish sekretari Hasan Spahiu, deri aty sa u propozua  të nxirreshin jashtë, gjë që unë u detyrova të reagoja. Ky reagim u bë fillesa e shenjestrimit të tyre ndaj meje. Dhe nuk vonoi shumë kohe më erdhi mandata e mirë menduar nga kordinatori Nexhat Maloku. Për të vazhduar mësimdhënien duhet të disponoja dëshminë e njohjes së gjermanishtes (nivelin B1). Edhe pse në Zvicër më se gjysma e mësuesve shqiptarë, por edhe të nacionaliteteve tjera nuk e posedojnë. Mësuesit  këshillohen që ta kenë por me rregullore nuk është obligative.  Gjatë vitit kisha punuar jashtëzakonisht mirë me prindërit dhe numri i nxënësve ishte rritur nga 4 në 24 dhe reagimi i prindërve ishte i qartë nëse largohet mësuesja mbyllet edhe pika shkollore. Po të njëjtit bënë një peticion drejtuar të gjitha institucioneve tona në Kosovë dhe Shqipëri.

Ibadete Bulica: Jam kryetare e këshillit të prindërve në Dietlikon. Jam nënë e katër fëmijëve. Të them të drejtën deri para një viti nuk e dija se kush ishte LAPSH-i. Që në momentin që ka ardhur mësuese Mimoza shkolla shqipe ka marrë një tjetër formë. Më parë ishin dy vajzat e mia dhe dy vajza të tjera. Shkolla rrezikonte të mbyllej dhe me thënë të drejtën megjithëse nuk isha shumë entuziaste për nivelin e mësimit vazhdoja t`i sillja vetëm e vetëm që shkolla të mos mbyllej. Kur erdhi mësuese Mimoza as nuk na lajmëruan fare se do të kishim një mësuese tjetër. Kam qenë pothuajse në çdo orë mësimi dhe pashë një ndryshim të madh me të kaluarën. U munduam së bashku me mësuesen për të shtuar numrin e nxënësve dhe ia arritëm qëllimit. Nuk e kisha parë asnjëherë klasën plot si atë ditë Marsi! Posa na informoi mësuesja për letrën që synojnë largimin e mësueses mora kontakte me drejtorinë e shkollës, me përgjegjësen e arsimit në komunën e Dietlikonit dhe gjeta mbështetjen e tyre të plotë për të zgjidhur këtë problem. Me gjithë ndërhyrjet e tyre nuk u arrit rezultati i dëshiruar, sepse vetëm Kryesia është ajo që pengon.  Për ketë arsye ne formuluam një peticion dhe ua dërguam te gjitha institucioneve përkatëse në Shqipëri e Kosovë. Siç po e shihni nga Kryesia  prindi nuk përfillet aspak ,megjithëse është faktori kryesor i ekzistencës së LAPSH-it. Ne jemi shumë të  indinjuar, dhe jo gjithmonë janë fajtorë prindërit ashtu sikur shpesh herë e kemi dëgjuar ta thotë koordinatori i LAPSH-it Nexhat Maloku. Faji kryesor janë vetë këta që me sjelljet e tyre bëjnë të mbyllen shkolla e të ketë pakënaqësi tek prindërit.

Nexhat Hyseni(përfaqësues i Kantonit të Thurgaut dhe delegat në Kuvendin e fundit) :

Mbledhja e LAPSH-it e mbajtur në Lengnau kaloi me frymë tensionesh të brendshme. Struktura e saj është shndërruar në një monopol privat duke mos e lënë të zgjerohet dhe të ketë një frymë bashkëpunimi në mes njerëzve që gravitojnë aty. Është theksuar se duhet plotësuar dhe ndryshuar rregullorja dhe statuti që me të vërtetë nuk lë hapësirë qe të punohet përpara. Kryetari dhe Kryesia duhet të punojnë shumë në të ardhmen, të jenë të hapur ndaj të tjerëve dhe reagimet e ankesat t“ i marrin seriozisht që problemet të zgjidhen.

Gjatë mbledhjes diskutoi edhe kryetarja e Këshillit Prindëror të pikës shkollore në Affoltern am Albis, znj. Sahadete Rashiti,  e cila haptazi e akuzoi Nexhat Malokun se ai e mban çelësin e klasës dhe nuk ia dorëzon kryesisë që të vazhdoj mësimin në gjuhën shqipe. Ajo tha: “Ne kemi mbi 20 nxënës, ne kemi një Këshill prindëror,kurse ta as nuk kanë nxënës, as nuk kanë prindër dhe çelësin nuk na e japin”. Po ashtu  ata janë të detyruar që t`i bartin fëmijët nja 7-8 km. më larg , në një fshat më të afërt dhe janë të detyruar atje ta paguajnë edhe klasën. Edhe në këtë pikë shkollore është rritë numri i nxënësve dhe po sikur të zhvillohej mësimi në Affoltern am Albis sigurisht se ky numër deri tani do të ishte dyfishuar.

Pas gjithë asaj që dëgjuam në mbledhje dhe pas këtyre reagimeve parashtrohet pyetja,  se a ka forcë intelektuale brenda L.A.P.Sh. në Zvicër ? – që elementet që pengojnë rritën e shkollës shqipe t`iu tregohet vendi. A është shkolla shqipe firmë private e një grupi të caktuar njerëzish apo është shkollë e hapur për të gjithë ashtu siç shkruan në statutin e saj “Lidhje e Arsimtarëve dhe prindërve Shqiptarë”.

Rexhep Rexhepi – kryetar i Kryesisë kantonale të L.A.P.Sh. “Naim Frashëri” për Kantonin e St. Gallenit

* Pikëpamjet e shprehura në këtë reagim shprehim mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë, e cila në këtë rast ka kërkuar mendimin edhe të palës së akuzuar.