Opinione
Quo vadis Zvicër?
Më 23 shtator 2018, në referendumin e kantonit të St. Gallenit, mbi 66 % e votuesve, më shumë se që pritej, votuan pro ndalesës së mbulimit të plotë të fytyrës, edhe pse me këtë rast synimi ishte ndalimi i burkës (mbulesës së tërë trupit po edhe i fytyrës nga disa gra myslimane) në mbarë kantonin. Se rezultati do të ishte pozitiv, nuk ishte e papritur. Më e habitshme është përqindja e madhe e atyre që votuan pro ndalesës si dhe fakti se si ka mundësi që një shumicë kaq e madhe të manipulohet e të indoktrinohet kaq thellë për një problem që në fakt mund të themi se është më tepër fiktiv, imagjinar, sesa real. Këtu shto edhe faktin se gratë myslimane që bartin burkën në mbarë kantonin mund të mos e mbushin numrin e gishtave të një dore dhe madje edhe turistet myslimane që bartin burkën janë të padukshme. Së këndejmi numri i simpatizuesve të futbollit dhe hokejit që e mbulojnë fytyrën duhet të jetë shumë më i madh sesa numri i grave që bartin burkën.
Me plot të drejtë themi se kemi të bëjmë me një problem që në fakt në vetvete s’është problem; kemi të bëjmë me një luftë me mjegulla.
Me plot bindje mendojmë se ky votim, kjo ndalesë, nuk zgjidh asnjë problem të vetëm, edhe pse në fushatën para këtij referendumi pretendohej se me këtë synohej parandalimi i ekstremizmit fetar dhe ruajtja e rendit dhe e sigurisë së qytetarëve.
Le të jetë e qartë, as unë dhe as kolegët e mi imamlerë në Zvicër nuk e mbështesim mbulimin e fytyrës. Këtë e kemi theksuar edhe publikisht më 12.10.2016 si Union i Imamëve Shqiptarë në Zvicër (UISHZ), kur deklaruam se: “UISHZ nuk e mbështet bartjen e burkës apo të nikabit dhe nuk e konsideron këtë si kërkesë fetare. Mirëpo ka gra nga mesi i shkollave dhe drejtimeve të tjera juridike islame, si p.sh. shkolla malikite dhe hanbelite, të cilat e bartin burkën ose nikabin për arsye fetare. Po ashtu ka gra nga fetë tjera, të cilat po ashtu për arsye fetare bartin mbulesa të ngjashme me burkën. Në këtë kuptim, UISHZ qëndron pas së drejtës themelore për liri fetare dhe të ndërgjegjes si dhe që kufizimi apo shkurtimi i një të drejte themelore të bëhet ndër të tjera edhe duke e marrë në konsideratë parimin e proporcionalitetit, të gjitha këto të ankoruara në kushtetutën federale. Ne besojmë se kodi i veshjes nuk ka vend në kushtetutë. Përmes kësaj, gratë që edhe ashtu konsiderohen si të izoluara, nuk do të integrohen në shoqërinë zvicerane në mënyrë magjike. Përveç kësaj, nga përvojat e mëhershme lidhur me debatet e këtilla politike, pritet që myslimanët si grup fetar të stigmatizohen dhe të shtyhen në periferi të shoqërisë. Këto përvoja të hidhura na kanë mësuar se masat e këtilla radikale dhe jo-proporcionale mund vetëm ta vështirësojnë integrimin dhe të nxisin prirjen për radikalizimin e të rinjve myslimanë për çka edhe i llogarisim si kundër-produktive.” (www.uais.ch – “Pozicionimi i UISHZ-së lidhur me temat aktuale në Zvicër”).
Me këtë ne dalim si kundër imponimit të fesë dhe kundër imponimit të zbatimit të rregullave të saj, ashtu edhe kundër manipulimit të fesë dhe rregullave të saj për çfarëdo arsye, si nga ana e myslimanëve ashtu edhe nga ana e të tjerëve apo edhe e politikës. Ne na duket qesharake dhe joserioze në një shtet modern dhe demokratik të rregullohet me kushtetutë mënyra e veshjes së njerëzve. Ne që kemi jetuar në shtetet social-komuniste e kemi të njohur praktikën e asaj kohe kur shteti rregullonte gjithçka, pra edhe kodin e veshjes. Ne na vjen keq që Zvicra, si një ndër shtetet më demokratike në botë, të bjerë në këtë nivel të dëmtimit të imazhit të saj. Ndërkohë që e dimë se demokraci nuk do të thotë thjeshtë vetëm “vota e shumicës”.
Kushtetuta e Zvicrës, neni 36, në raste të caktuara parasheh kufizimin apo shkurtimin e të drejtave elementare të njeriut, si: baza ligjore, rrezikimi i interesit publik dhe i të drejtave elementare të të tjerëve, si dhe që ky shkurtim të jetë proporcional, pra proporcional me madhësinë e rrezikut që u kanoset të drejtave të personave të tjerë ose që i kanoset interesit publik. Sipas kësaj, të pretendosh se bartja e burkës na qenka rrezik për rendin dhe sigurinë e qytetarëve dhe se ajo e penguaka realizimin e të drejtave themelore të të tjerëve, është absurde dhe qesharake. Kjo kështu, në një kohë kur shtetet moderne i kanë në dispozicion të gjithë mekanizmat për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë. Le ta kujtojmë vetëm vigjilencën e autoriteteve të rendit kur është në pyetje kontrabanda e armëve dhe e mjeteve narkotike. Duam të themi që edhe sot ligjet ekzistuese nuk e pengojnë identifikimin dhe evitimin e rrezikut që mund t’u vijë të tjerëve nga gratë me burkë. Le të kujtojmë se të gjithë ata ekstremistë muslimanë që kanë kryer sulme terroriste nëpër qytete të Evropës, akoma asnjë në Zvicër, kanë qenë djem të rinj, e jo gra me burka; kanë qenë djem të indoktrinuar nga ideologjitë ekstremiste dhe të cilët nuk e kanë mbuluar fytyrën e tyre as që të ishin fshehur a kamufluar me burkë. Ata këto sulme i kanë kryer haptas dhe me krenari, sepse kanë menduar se po bëjnë një punë shumë të mirë e të qëlluar.
Ndalimi i burkës nuk u sjell asnjëfarë dobie grave që e bartin atë, sepse pothuajse asnjëra prej tyre nuk e bart me dhunë dhe ato janë kryesisht gra të konvertuara në Islam. Pretendimi se me këtë ndalesë këto gra do të çlirohen nga shtypja është shumë qesharak. Ato këtë e bartin me qejf dhe me bindje të plotë fetare, sipas interpretimit të tyre të fesë. Megjithëse është një interpretim konservator i Islamit, sërish mbetet pjesë e Islamit, megjithëse gjithnjë si pakicë. Të jesh konservator nuk nënkupton automatikisht radikal, ekstremist apo terrorist. Forca konservatore gjen gjithandej në secilën fe, në secilën ideologji por edhe në politikë. Si duket forcat konservatore janë shumë xheloze ndaj forcave të tjera konservatore dhe si duket kanë frikë se po u ngushtohet hapësira. Ndërkaq demokracia moderne forcat konservatore i duron si pjesë të padëshirueshme por edhe të pashmangshme të vetat. Pra, me këtë nuk u bëhet ndonjë nder i madh këtyre grave që bartin burkë, përkundrazi shtyhen në margjina të shoqërisë dhe në një izolim më të tmerrshëm nga ai që mendojnë politikanët se janë duke i çliruar prej tij.
Të gjitha debatet që u paraprijnë këtyre referendumeve, që kanë të bëjnë me Islamin dhe me muslimanët, janë të ngarkuara me një dozë të armiqësisë ndaj Islamit dhe muslimanëve dhe gjithnjë i kanë shërbyer stigmatizimit të muslimanëve si element i huaj i kësaj shoqërie, e kanë thelluar edhe më tej hendekun midis shoqërisë shumicë dhe pakicës muslimane, e kanë vështirësuar integrimin e shëndoshë të tyre në shoqërinë vendase dhe, më e keqja, kanë kontribuar në masë të madhe në radikalizimin e myslimanëve, kryesisht të rinj, joradikalë e joekstremistë. Këta myslimanë e ndiejnë veten të prekur në elementin më të thellë shpirtëror, në identitetin e tyre fetar, kur shohin se si po manipulohen elemente të fesë së tyre për shkaqe politike nga qarqe të caktuara politike dhe ideologjike. Këto masa, pra, i radikalizojnë edhe myslimanët e moderuar, që i takojnë mainstreamit të heshtur mysliman. Një rezultat tjetër i këtyre hapave të menduar jo mirë, është se këto veprime ujin e çojnë në mullirin e forcave konservatore. Ato i shfrytëzojnë këto veprime për t’i interpretuar dhe shitur si “shkelje ndaj Islamit dhe myslimanëve” dhe e përçojnë te të rinjtë si një diskriminim të përjetuar për të krijuar tek ata antipatinë dhe armiqësinë ndaj të gjithë Zvicrës dhe ndaj të gjithë zviceranëve, duke e luajtur gjithnjë “rolin e viktimës”. Për rrjedhojë, këta hapa politikë në vend që të zgjidhin probleme, po krijojnë probleme të reja dhe kjo aspak s’është punë e mençur, aq më pak e denjë për Zvicrën.
Roli i politikës dhe i politikanëve nuk mund të nënvlerësohet aspak, kur është në pyetje mbrojtja nga ekstremizmi i cilitdo lloj. Më këtë nuk nënkuptojmë vetëm miratimin e ligjeve që ndalojnë pozicionet dhe qëndrimet ekstremiste. Në radhë të parë nënkuptojmë edukimin politik si një kontribut i veçantë për parandalimin. Ata duhet të sigurohen që po ndodh një sqarim dhe ndriçim gjithëpërfshirës rreth ideologjive ekstremiste. Ne të gjithë duhet të sensibilizohemi për këtë temë dhe të informohemi për format e ndryshme të ekstremizmit. Pra, duhet të kuptohet si detyrë e politikës, që ajo të sigurohet që në perceptimin publik, në media dhe në sektorin e arsimit problematika e ekstremizmit të jetë e pranishme dhe të diskutohet në mënyrë objektive. Për këtë duhet të sigurohet korniza financiare dhe strukturore – në nivelin federal, kantonal dhe komunal.
Shumë më urgjente është puna sqaruese dhe edukuese nëpër shkolla, nëpër shoqata e organizata edukimi, sesa këto mjete politike, siç është referendumi, për arritjen e synimeve të drejta. Përçimi i informacioneve duhet t’i mbërrijë të gjithë, nga përgjegjësit dhe përfaqësuesit e deri te vetë popullata. Vetëm në këtë mënyrë arrihet një sensibilizim efektiv ndaj rreziqeve të grupeve radikale e ekstremiste, larg klisheve dhe prezantimeve të shkurtuara që po na transportohen përmes mediave për çdo ditë.
Arsyet dhe shkaktarët që qëndrojnë në bazën e procesit të radikalizimit dhe të ekstremizmit, edhe të atij fetar islam, duhen evituar në mënyrë të vazhdueshme nga ana e politikanëve dhe e organeve qeverisëse me mbështetjen e fuqishme të mediave.
Është e qartë se njëri ekstrem e kushtëzon ekstremin tjetër, në rastin tonë, ekstremizmi fetar e shkakton islamofobinë dhe e kundërta. Ekstremizmat e ushqejnë njëri-tjetrin. Para së gjithash politikanët e së djathtës, por herë-herë edhe ata të qendrës dhe të së majtës politike, me kërkesat e tyre të tepruara por edhe të kamufluara, kontribuojnë që grupet ekstremiste të ushqehen dhe të fitojnë popullaritet. Nga Islami dhe myslimanët krijojnë një shtrigë apo një lugat për ta frikësuar popullin e pafajshëm. Le ta kujtojmë referendumin e vitit 2004 në Zvicër, që synonte lehtësimin e procedurave për marrjen e nënshtetësisë për fëmijët e lindur në Zvicër. Atëbotë u bë bujë e madhe nga partitë e së djathtës për ta ndaluar këtë lehtësim, duke krijuar stereotipe të reja dhe duke i ruajtur të vjetrat, në kurriz të muslimanëve, edhe pse nuk bëhej fjalë vetëm për fëmijët muslimanë. Ata e lansuan idenë se nëse mundësohet ky lehtësim, atëherë deri në vitin 2050 afro 80% e popullatës së Zvicrës do të ishte myslimane. Le ta kujtojmë më vonë edhe referendumin e vitit 2009 për ndalimin e ndërtimit të minareve në Zvicër. Duke i ngulitur disa minare që e shponin flamurin e Zvicrës, të “stolisur” me disa portrete grash myslimane të mbuluara tërësisht, ata arritën që me foto islamofobe t’i bindnin votuesit për “rrezikun” që i kanosej Zvicrës dhe zviceranëve, kulturës dhe identitetit të tyre, nga Islami, nga xhamitë, nga minaret, nga muslimanët vetë. Kjo nuk ishte e rastësishme, pasi në kokat e gjeneratave më të vjetra akoma ruhej kujtimi nga luftëra e pamëshirshme të kishës katolike dhe reformiste në Zvicër, se cila kishë do ta kishte kambanoren më të lartë, pasi kjo njihej pastaj edhe si shenjë dominimi edhe politik, jo vetëm fetar, i saj. Në ndërkohë, një referendum i ngjashëm pritet të zhvillohet për burkën në nivel zviceran, pas “suksesit” që u arrit në këtë drejtim në kantonin Tisino më herët dhe dje në kantonin St. Gallen.
Mënyra e debatimit të këtyre temave nëpër media e forume e takime të ndryshme, që shumë herë s’kanë të bëjnë me temën e referendumit, bëhet në mënyrë shumë të ashpër, të ngarkuar me emocione, me ngarkesa nga e kaluara fetare e vendit dhe nga stereotipet që krijohen sot në nivel global mbi Islamin dhe myslimanët. Aktorët që debatojnë këto tema huqe, larg qëllimit të referendumit, janë po ashtu lëndë në vete për mërzi. Zakonisht për këtë përzgjidhen njerëz që përfaqësojnë qëndrimet e skajshme dhe ekstreme lidhur me këto tema, duke e anashkaluar mainstreamin mysliman, shumicën dërmuese dhe të heshtur myslimane.
Në debatet publike Islami nuk shihet vetëm si një fe që nuk përputhet me kornizën normative-juridike të shoqërisë perëndimore, por për më tepër ai perceptohet dhe interpretohet edhe si kërcënim për identitetin fetar-kulturor të Evropës po edhe si rrezik për ruajtjen e kornizës normative-juridike, respektivisht ruajtjen dhe kultivimin e ndarjes së fesë nga shteti, që është fituar me një luftë të mundimshme në të kaluarën. Kjo pamje mbi Islamin që dominon në media dhe në shumë debate politike, në fakt ka të bëjë vetëm me një pjesë të vogël të myslimanëve. Shumica e myslimanëve ndjehen të detyruar të reagojnë dhe të marrin qëndrim publik ndaj kësaj pamjeje të krijuar për ta si një kolektivitet fetar.
Sipas mendimit të Komisionit Federal kundër Racizmit (EKR) debatet publike lidhur me Islamin dhe me myslimanët, apo rreth problemeve që lidhen me myslimanët në Zvicër, mund të karakterizohen si në vijim:
- Diskursi është ndikuar nga ngjarjet që kanë ndodhur jashtë vendit dhe të cilat shpesh janë bartur në Zvicër, pa marrë parasysh faktin se këtu situata ka qenë gjithnjë e qetë.
- Qëndrimi ndaj myslimanëve në Zvicër ndryshon vetëm në shkallë të qëndrimeve të njëjta ndaj myslimanëve në vendet e tjera evropiane. Tendenca kryesore e një diskriminimi në bazë të përkatësisë fetare në Evropë ka qenë e pranishme shumë më gjatë përpara sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork.
- Deri vonë kohëve të fundit diskursi politik është zhvilluar rreth myslimanëve e jo me myslimanët.
- Në sjelljen me myslimanët shpeshherë është marrë në konsideratë vetëm përkatësia e tyre fetare, edhe pse shumica dërmuese e myslimanëve të Zvicrës nuk e jetojnë Islamin në praktikë. Kjo pamje e shtrembëruar, para së gjithash, në plan të parë i vendos çështjet fetare, me ç’rast interesat që kanë të bëjnë me çdo individ, si statusi social, arsimimi etj., shtyhen në prapaskenë.
- Myslimanët shënohen sipas imazheve të praktikave tradicionale fetare, madje edhe atëherë kur këta s’kanë të bëjnë fare me to. Kështu, martesa e detyruar, vrasjet në emër të nderit dhe gjymtimet gjenitale, në një kombinim ogurzi lidhen me të gjithë myslimanët.
- Pranimi i myslimanëve lidhet e kushtëzohet me “sjelljen e mirë” të tyre.
- Në të njëjtën kohë, myslimanët janë vënë përballë një presioni për t’u deklaruar për një identitet hamendshëm njëtrajtësh, të cilin s’e gjen dot në asnjë fe.
- Myslimanët në Zvicër në dekadat e fundit – të ndërlidhur me situatën e politikës ndërkombëtare – janë shndërruar në një viktimë të re. Njerëzit që jetojnë këtu njollosen në mënyrë kolektive dhe futen në një thes të përbashkët.
9. Shumë shpesh nëpër media paraqiten stereotipe negative lidhur me myslimanët. Pamjet negative priren të mëvetësohen dhe të nguliten nëpër kokat e njerëzve. 10. Aktorët politikë gjithë e më tepër po i përdorin stereotipet lidhur me myslimanët për qëllimet e tyre politike.
Natyrisht që mediat duhet të informojnë për çdo gjë të mundshme, mirëpo tjetër është të informosh, tjetër është të krijosh opinion dhe ta drejtosh apo orientosh atë, krejt tjetër pastaj është të nxisësh armiqësi ndaj Islamit dhe muslimanëve nën petkun e “kritikës ndaj Islamit”. Natyrisht që njerëzit kanë të drejtë ta kritikojnë Islamin dhe myslimanët, mirëpo në të shumtën e rasteve kjo bëhet, për fat të keq, për të kamufluar qëndrimet anti-islame dhe anti-muslimane. Shkalla e asaj se çfarë nënkupton “kritika ndaj Islamit” përfshinë një gamë të gjerë nga distancimi, sidomos i atyre që mund të kenë përjetuar diçka negative në shoqëritë myslimane e deri te urrejtja e verbër e demagogëve djathtistë.
Në këto rrethana, ku ekziston rreziku që Islamin dikush ta përdorë si gogol për ta frikësuar popullatën e thjeshtë me qëllim të arritjes së synimeve të caktuara politike, neve na mbetet të pyesim: Quo vadis Schweiz? Ku po shkon, Zvicër, me këtë politikë mbi Islamin dhe myslimanët? Duke e luftuar konservatorizmin islam vetë po bie në konservatorizëm; duke e luftuar ekstremizmin fetar islam vetë po miraton dhe po zbaton masa ekstreme.
Të ngjashme
Opinione tjera
E-Diaspora
-
U protestua kundër pritjes së presidentit serb, Vuqiç, në Cyrih Në një mot të ftohtë dhe me shi, u shpalos pankarta e madhe që paraqiste kundërshtimin...
-
“Parandalo”: Personat me aftësi të kufizuara, të përfshihen në proceset vendimmarrëse
-
Së bashku, për një botë pa dhunë ndaj grave
-
Sonte, kryeministri Albin Kurti takon mërgatën në Bruksel
-
Berlin: Besim Gashi u nderua me mirënjohjen e arritjes nga autoritetet e Bundeswehr-it
Jeta në Zvicër
-
Gjenevë: Dyqanet nuk do të hapen më 22 dhjetor Dyqanet e Gjenevës nuk do të jenë të hapura të dielën, më 22 dhjetor. Departamenti i...
-
U protestua kundër pritjes së presidentit serb, Vuqiç, në Cyrih
-
Neuchâtel: Projekti për të ndihmuar të moshuarit viktima të mashtrimit
-
“Parandalo”: Personat me aftësi të kufizuara, të përfshihen në proceset vendimmarrëse
-
Sa përfituan punëtorët në Zvicër nga rritja e pagave