Opinione

Bajram me mendje!

Mbi 1 milion shqiptarë, mbi 25 vjeç, vitin e kaluar nuk kanë lexuar ASNJË libër. Ky është realiteti, miq. Nisuni prej vetes, pyeteni veten, kur për herë të fundit keni lexuar një libër? Uroj të befasohem me përgjigjet. Por, kam përshtypjen që të vetmit “libra” e “filma” janë të përditshmërisë sonë banale të mbushur me politikë, thashetheme dhe kafe, nga të cilat dalin vetëm sharje e zemërim. Ku mungojnë idetë dhe ku nuk ka hapa për ndryshim. Dhe kjo i shkon për shtati të gjithë atyre që përfitojnë nga ky realitet

“OFERTA VERORE, DEBILIM TOTAL, NGA 15-10. PASTRIM FYTYRE NGA 30-10 DHE TË TJERA”, është kjo një foto, por me këtë tekst (ku s’ka pikë e presje, por unë i vura që të kuptohet ideja) që po qarkullon në rrjetet sociale. Sa do që qesh pa masë me “DEBILIMIN”, edhe pse është dashur të shkruajë “Depilim”, sërish teksti, por si ky dhe shumë të tjerë, tregon se sa në fakt mungesë kulture e dije gjuhësore ka.

E gjithë kjo pamje që në dukje është komike, lidhet edhe me një lajm tjetër që më zunë sytë në këtë fund vere. Shumë medie të shkruara në Shqipëri e raportuan, sepse shifrat janë për Shqipërinë, por pasqyra besoj është e njëjtë për gjithë andej.

Lajmi thoshte se mbi 1 milion shqiptarë, mbi 25 vjeç, vitin e kaluar nuk kanë lexuar ASNJË libër. Raportimi vijonte si më poshtë:

“Sipas të dhënave të INSTAT, të evidentuara në një anketë të posaçme shihet se vitin e kaluar mbi 1 milionë shqiptarë nuk kanë arritur të lexojnë asnjë libër. Teksa pjesa tjetër mësohet se ka lexuar shumë pak. Rreth 320 mijë shqiptarë të moshës mbi 25 vjeç raportuan se nuk kanë lexuar më pak se 5 libra vitin e kaluar. Teksa pjesa e tyre që kanë lexuar më shumë se kaq sa vjen e zvogëlohet. Rreth 102 mijë shqiptarët raportojnë se kanë lexuar 5-10 libra gjatë vitit të kaluar, ndërsa rreth 44 mijë shqiptarë kanë lexuar më shumë se 10 libra gjatë vitit të kaluar.”

Për mua kjo e dhënë është tmerr. Nga ky fakt vinë edhe gjithë ato gabime në shkrim, që nuk janë thjesht lapsuse, që na ndodhin të gjithëve, por janë gabime konceptuale, apo nga të cilat sheh se shumica e njerëzve as që e dinë se si shkruhen saktë fjalë të caktuara apo dhe domethënien e tyre.

Por duke lënë anash drejtshkrimin, mosleximi sjell një varfërim total të shoqërisë, pjesa dërmuese e së cilës duket se mbetet me dijet elementare që ka marrë në shkollë. Në rastin më të mirë deri në shkollë të mesme, sepse është e njohur që përqindja e atyre që shkojnë në universitet është më e vogël.

Ky realitet, që besoj se është i ngjashëm edhe tek ne, sjell shqetësime serioze sociale dhe lë hapësirë pa fund që pushtetet të mund të manipulojnë njerëzit të cilët vazhdojnë të varfërohen edhe financiarisht.

Ky studim i INSTAT, Institutit të Statistikave të Shqipërisë, që edhe pse s’kam të dhëna të sakta se cila është situata tek ne, krijon hapësirë pastaj që nëpërmjet formave të ndryshme e sidomos tani nëpërmjet rrjeteve sociale të dalë llojlloj injoranti, të hedhë gurë në lumin e botës virtuale përplot të pavërteta, qoftë historike, qoftë sociale, qoftë fetare, qoftë politike apo dhe për jetët personale të njerëzve, e të cilët gurë pastaj as 1000 të mençur, e të lexuar mos t’i nxjerrin dot.

Nëse mbi një milion shqiptarë do të lexonin nga 5 libra më së paku në vit, nuk do të ndodhte aq lehtë të përdhosej historia apo figurat historike. Nuk do të mund të kalonin mashtrimet e politikës, premtimet boshe të tyre. Nuk do të mund të shfaqeshin sharlatanë të ndryshëm të manipulojnë e devijojnë njerëzit nga vlerat që kanë karakterizuar popullin tonë. Nuk do të ndodhte që manipulatorë fetarë të përçudnon besimin e ta përdorin atë për qëllime e agjenda të huaja. Nuk do të ndodhte që zyrtarë të dështuar të gënjejnë e të rigënjejnë njerëzit e sërish të kenë poste. Nuk mund të ndodhte që njerëzit të gënjeheshin më shumë, sepse do ta dinin si është më mirë. Do të mësonin aq shumë nga librat, të ndryshëm, me qëndrime e opinione të ndryshme, se asgjë nuk është e përhershme, se asgjë nuk mund të mos mbesë pa ndryshuar nëse përpiqesh, se asgjë nuk ia vlen më shumë se sa krijimi i shpresës për më mirë.

Por si mund t’i dinë e t’i mësojnë këto njerëzit, kur sistemi iarsimit është në rënie totale, kur niveli i arsimit krijon aq shumë gjysmakë profesional e mbi të gjitha i cili nuk nxit e nuk krijion kulturën e leximit.

Lajmi i dhënë rreth studimit të INSTAT gjithashtu thoshte se “rënia e numrit të shqiptarëve që lexojnë konfirmohet edhe nga tregues të tjerë. Sipas të dhënave statistikore të kulturës nga INSTAT, numri i frekuentimeve në bibliotekën më të rëndësishme në vend pothuajse është përgjysmuar gjatë vitit 2017. Numri i frekuentimeve në Bibliotekën Kombëtare zbriti në 88 mijë, nga mbi 150 mijë që kishte qenë në vitin 2016.”

Edhe për këtë të dhënë nuk e di saka shifra për Maqedoninë dhe sa vetë realisht kanë shkuar e shkojnë në bibliotekë. Por me thënë të drejtën, nuk kam dëgjuar askënd të thotë se ka marrë ndonjë libër nga biblioteka, për veç ndonjë nxënësi a studenti.

Një shpjegim që mund të sugjerojë rënien e frekuentimit në biblioteka, mund të jetë dhe teknologjia, por sërish, ka shumë pak libra në shqip që mundësohen për lexim elektronik dhe aq më pak ka akses në kompani që i tregtojnë ato.

Dhe sërish realiteti është i dhimbshëm.

E gjithë kjo më kujton atë shprehjen “bajram me mendjen”. Ku secili që dëshiron të manipulojë njerëzit lehtësisht mund të bëjë “bajram me mendjen” dhe kjo gjë do t’i ketë sukses. Në fakt shprehja përdoret për të thënë, “mos ia fut kot”, ose ajo që është sugjeruar është e pamundur të bëhet. Por në rastin konkret, kur popullsia ka mbetur me dijet bazike të shkollës, dhe nuk i ka zhvilluar ato, nuk informohet për ndryshimet, nuk është e njoftuar me prirjet, zbulimet, risitë, atëherë çdo gjysmak, që di pak më shumë, e që do të keqpërdorë sistemet, mund të bëjë çfarë do bajrami me mendjen e vetë dhe të të tjerëve.

Ky është realiteti miq. Nisuni prej vetes, pyeteni veten, kur për herë të fundit keni lexuar një libër? Ose keni parë një film (por jo ato seriale që të mbysin inteligjencën), por ato që të nxisin mendimet e sfidojnë dijet? Kur i keni analizuar, debatuar ato?

Uroj të befasohem me përgjigjet.

Por kam përshtypjen që të vetmit “libra” e “filma” janë të përdishmërisë sonë banale të mbushur me politikë, thashetheme dhe kafe nga të cilat dalin vetëm sharje e zemërim. Ku mungojnë idetë dhe ku nuk ka hapa për ndryshim. Dhe kjo i shkon për shtat të gjithë atyre që përfitojnë nga ky realitet.

Dhe i tillë është realiteti, zhgënjyes e i zymtë. Madje edhe këtë shkrim do ta lexojnë pak e më pak vetë. Studimi i INSTAT thotë se edhe “leximi i gazetave vijon të jetë i kufizuar. Vetëm 583 mijë raportuan se lexojnë gazeta çdo ditë, duke përfshirë edhe leximet online. Ndërsa një pjesë e madhe e shqiptarëve, 213 mijë raportuan se lexojnë lajme njëherë në muaj dhe më rrallë se kaq lexojnë 127 mijë shqiptarë.”

Por përpjekja s’duhet ndalur. Prandaj duhet ALARM. Në të kundërt, duke marrë shkas nga ato rreshta të fotos që përshkrova në fillim, edhe pse lapsus, me ofertë e pa ofertë, do të debilohemi vërtet si shoqëri!

Marrë nga KOHA