Shkurt.ch

Zvicër: Lejohet adoptimi te çiftet homoseksuale

Por, adoptimi do të jetë i mundur vetëm sa u përket fëmijëve biologjikë të njërit nga partnerët në martesën njëgjinore, ka vendosur Dhoma Nacionale në seancën e të enjtes

Në të ardhmen edhe çiftet homoseksuale do të kenë të drejtë të adoptojnë fëmijë. Por, adoptimi do të jetë i mundur vetëm sa u përket fëmijëve biologjikë të njërit nga partnerët në martesën njëgjinore, ka vendosur Dhoma Nacionale në seancën e të enjtes.

Më tutje, sipas këtij vendimi, adoptimi i tillë do të lejohet kur ai konsiderohet si zgjidhja më e mirë që shkon në favor të fëmijës. 

Dhoma nacionale duke plotësuar një vendim të mëhershëm të dhomës së kantoneve për këtë problematikë ka këmbëngulur që adoptimi të vlejë shprehimisht vetëm për rastet e përmendura më lartë. Kështu, mocioni i ndryshuar tash shkon sërish për miratim në Dhomën e kantoneve.

Pro vendimit për lejimin e adoptimit në mes çifteve njëgjinore kanë votuar 113 ndërsa kundër, 64 veta.

Në mesin e atyre që kanë kërkuar lejimin e adoptimit ka pasur deputetë që kanë kërkuar që kjo të bëhet pa kushtet e përmendura më lartë.