Kosova

Dy të vdekur dhe 10 të lënduar nga aksidentet

Një i mitur ka ndërruar jetë në Kaçanik, pasi është shkelur nga një vozitës, derisa një 43-vjeçar ka ndërruar jetë në Prishtinë

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka bërë të ditur se dje rreth orës 21:15 ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet në fshatin Biqec të Kaçanikut.

“Vozitësi mashkull K-shqiptar me veturë e tij nga pakujdesia ka shkaktuar vetë-aksident trafiku. Si pasojë e aksidentit, lëndime fatale ka pësuar një pasagjer i mitur. Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thotë PK, përcjell albinfo.ch.

Një rast tjetër ka ndodhur në Prishtinë. Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet sot në lagjen Arbëria në Prishtinë. “Sot rreth orës 04:00, në rrugën “Qemajl Stafa” në Prishtinë saktësisht në lagjen Arbëria , ka ndodhur një aksident trafiku ku një person ka vdekur. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, një Golf IV me targa vendore dhe një Golf V me targa të huaja”, thotë PK, transmeton Koha.net.

Policia shton se si pasojë e këtij aksidenti lëndime të rënda ka pësuar një person, (ngasësi i automjetit Golf V) i cili nuk ka arrit të përballojë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.

Trupi i pajetë i viktimës: B. I, 43 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, me urdhër të Prokurorit të shtetit, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Ndërsa i ngasësi i automjetit Golf IV : A.M, 25 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, është shoqëruar në stacion policor.

Ndërkohë, në fshatin Shtedim të Podujevës dje ka ndodhur një aksident trafiku me ç’rast janë lënduar tetë persona.

Policia e Kosovës thotë se rasti ka ndodhur rreth orës 19:05, dhe janë lënduar dy vozitësit e veturave, njëri prej tyre i mitur, si dhe gjashtë pasagjerë.

Të lënduarit janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor.

Gjithashtu dy këmbësore dje janë shkelur me veturë në Fushë Kosovë, me ç’rast është arrestuar i dyshuari.

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media bën të ditur se viktimat kanë marrë trajtim mjekësor në QKUK.