Shqipëria

32 % e grave nuk janë të punësuara për shkak të punëve në shtëpi

Po kështu, një tjetër objektivë është arritja e punësimit të plotë dhe punës së denjë për të gjithë gratë dhe burrat

Kujdesi dhe puna shtëpiake është arsyeja e papunësisë për 32% të grave krahasuar me 2% të burrave në Shqipëri.

Organizata ndërkombëtare që operon në Shqipëri, “Un Women” ka bërë apel për përfshirjen dhe pjesëmarrjen e plotë të grave në të gjitha sferat e jetës pasi në mungesë të tyre nuk ka zhvillim të qëndrueshëm.

“32 % e grave nuk janë të punësuara për shkak të punës në shtëpi krahasuar me vetëm 2% të burrave. Puna e papaguar kufizon mundësitë e grave dhe vajzave për të shkuar në shkollë, për të gjetur një punë të mirë me pagesë ose thjesht për të kaluar kohën e lirë”,  bën publike “Un Women” (që operon për të drejtat e grave), shkruan “ATSH”.

Ndërkaq, lidhur me objektivat që parashikohen të realizohen deri në 2030, këto të fundit kanë të bëjnë me njohjen dhe vlerësimin e punës së papaguar dhe punës në familje. Po kështu, një tjetër objektivë është arritja e punësimit të plotë dhe punës së denjë për të gjithë gratë dhe burrat, përcjell albinfo.ch.

Lidhur me promovimin barazisë gjinore, qeveria Rama, përbën edhe qeverinë e parë në histori me 75 % element femëror në kabinetin qeveritar. Barazia gjinore dhe promovimi i grave është një temë e ndjeshme në BE.