Shqipëria

Ballkani Perëndimor është i orientuar drejt Perëndimit

Prej shumë vitesh gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor po përpiqen të anëtarësohen në BE. Me redaksinë e lajmeve gjermane “Saarbruecker Zeitung”, ka folur eksperti i jashtëm i CDU dhe raportuesi për Ballkanin Perëndimor, Nikolas Löbel.

Sipas Nikolas Löbel të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë të orientuar drejt Perëndimit dhe se perspektiva e tyre europiane u është garantuar prej te Samiti i Selanikut 2003.

“Në këtë kohë sigurisht nuk bëhet fjalë për anëtarësim, por për bisedime. 92 përqind e shqiptarëve janë për anëtarësim në BE. Kjo është një lëvizje e madhe shoqërore. Andaj është vendimtare, për ta bërë Shqipërinë të gatshme për BE,” përcjell albinfo.ch. Ai shtoi se problemet kryesore të Shqipërisë janë krimi i organizuar dhe korrupcioni në sistemin gjyqësor.

Në ambasadën gjermane në Tiranë çdo muaj kërkojnë 350 shqiptarë vend pune në Gjermani, ndërsa gjatë vitit të kaluar 300 mijë shqiptarë u larguan nga Shqipëria. Sipas Löbel, “Shqipërisë duhet ti ofrohet perspektiva europiane, që të ketë perspektivë për banorët shqiptarë në vendlindje”.

“Nëse Shqipëria vijon rrugën e reformave, nuk shoh asnjë gjë kundër për hapjen e negociatave me Shqipërinë,” theksoi në fund politikani gjerman.