Opinione

Shqiptari i Kroacisë…

Më 18 korrik 2018 nga aeroporti i Gjenevës u nisëm për pushime në Kroaci, me destinacion qytetin e Makarskës, që gjendet në Dalmaci, në mes të qyteteve të Splitit dhe Dubrovnikut.

Mbasi ishim ende në ethet e futbollit dhe me rezultatin e bukur të ekipit të Kroacisë në Kampionatin Botëror, mendimet për këtë sukses më përcollen gjatë rrugëtimit… Në ndërdije kisha pyetje që lidheshin me gëzimin e madh të shprehur të shqiptarëve për këtë fitore. A ishte gëzim nga dëshira që të shohim ekipin shqiptar në fitore të tillë? A ishte fitore politike e një aleati të kamotshëm apo thjesht një lloj euforie sportive?

Pyetjeve të mia të shumta gjatë udhëtimit me aeroplan nuk pata kohë t’u përgjigjem nga fakti se udhëtimi nuk zgjati shumë dhe nga një aterrim i vështirë që mesiguri do ta mbaj mend për një kohë të gjatë, shpresoj…

Sapo arritëm afër portit të Makarsës, u ndaluam afër fontanës të ndërtuar për hir të të rënëve të Brigadës 156 në luftë e mbrojtjes kundër serbëve. Shikimi ynë në drejtim të portit dhe hutimi nga gumzhitja e madhe të turistëve na u ndërpre nga një zotëri që me gjuhën e vet të pastër shqipe na pyeti se a kemi nevojë për ndihmë…

Pasi shkëmbyem disa fjali me zotriun, pashë që zotëriu kishte dalë nga argjentaria e tij që gjendej mu në mes të portit…

Ky shkëmbim i fjalëve në gjuhën shqipe me një shqiptar të Kroacisë ende pa e realizuar ardhjen tonë në këtë qytet turistik të njohur nga ne, më nxiti të provokoj bisedën në ditët që kalova në Makarska. Plazhi më tërheq, sidomos pasdite dhe isha i gëzuar që mëngjesin do ta kaloja me një qëllim të saktë: të dëgjoja rrëfimin e shqiptarit të Kroacisë dhe të bëja gjurmime urbanistike që do mund të bëja një lidhëshmëri në mes të shqiptarëve dhe kroatëve…

Makarska, qytet shumë pitoresk, me portin e bukur të rrethuar me palma të mëdhaj, me shtëpitë e gurta dhe me ngjyrë të bardhë, të radhitura me një hijeshi dhe mbi qytet me kurorën e maleve dinarike… Bukuria i shtohet qytetit edhe me praninë e numrit të madh të dallëndysheve…

Të nesërmen në mëngjes fillova të shikoj emrat e rrugëve dhe monumentet historike dhe fjala: kush kërkon, gjen, më duket se pati kuptimin e vet, se pas disa minutave kërkime në rrugët e qytetit të vjetër të Makarskës pashë një pllakë të shkruar …. «në këtë shtëpi ka jetuar dhe punuar Stjepan Ivecevic (1801-1871), shkrimtar, jurist, politolog dhe ilirilogu i parë i Makarskës.

Pas kësaj befasie të mirë që shkonte në përgjigjjen pozitive në hipotezën time në lidhjen mes shqiptarëve dhe kroatëve, vazhdova rrugën në drejtim të argjendarisë të shqiptarit të Kroacisë, i cili për qejfin tim ishte para argjendarisë. Sapo më pa, më buzëqeshjen e tij të ngrohtë më bëri të kuptoj që më njohu.

Më quajnë Roko Berisha, me prejardhje nga Prizreni, i vendosur në qytetin e Makarskës para 50 vjetëve, kur ky qytet kishte vetëm 1200 banorë, ku tani numëron mbi 20 mijë banorë, pa i numëruar turistët e shumtë. Më thotë që kur ishte vendosur në ketë qytet, nuk kishte rrugë tokësore që lidhte lokalitetin me qendrat e tjera dhe e vetmja mundësi transporti ishte anija. Më thotë që është bashkëpronar i argjendarisë me të shoqen Margarita, po ashtu shqiptare e Kroacisë, e rritur në qytetin e Rijekës dhe me prejardhje nga familja Shiroka. Bisedën tonë e ndërprenë klientët, po i bëra shenjë Rokos që do të kaloja prapë …

Në mëngjesin në vijim, pas pirjes së kafes në «Kavana Zagreb», vazhdova rrugën prapë në drejtim të qytetit të vjetër dhe me syrin tim vrojtues shoh përmendoren e Andrije Kavacicit, të ilustruar me një lahutë…. Që për çudi, edhe pse kisha kaluar shumë here, nuk e kisha parë këtë detaj domethënës për mua…

Kthehem me hapa të shpejtë në drejtim të Rokos, i cili kishte marrë drejtim sikur donte të më thoshte vazhdojmë bisedën tonë …Kureshtja ime për artin e filigrantit dhe si ndodhi që Rokoja të bëhej argjendar u përcoll me rrëfimin e Rokos që falënderon babanë Nikë Berisha që ishte ndër mësuesit e parë të Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore dhe që nuk kishte dëshirë që Roko të humbiste kohën pa ndonjë aktivitet dhe kështu filloi mësimin e argjendarisë si formë për t’i ndihmuar edhe vëllait, Engjullit, që punonte si argjendar, pas mbarimit të studimeve në Histori. Zanati i argjendarisë i dha mundës të ushtrojë në Makarska, më thotë Rokoja që pothuaj të gjithë argjendarët të shumtë në Makarska janë shqiptarë. Duke mos dashur ta pengoj shumë, vazhdova rrugën e duke pritur me padurim të nesërmen për të dëgjuar rrëfimin e Rokos!

Ashtu si tre mengjesët e tjerë, edhe mëngjesi i katërt filloi me kafe dhe me gjurmime historike. Kësaj radhe ishte vizita në muzeun e qytetit, ku që nga eksponatete dhe deri në përshkrimin e historisë të regjionit të paraqitura në dukumnetet përshkruese përmendet fakti i lidhëshmërisë me kulturën ilire… I mbushur me emocione nga vizita në muze, shkoj në argjendarinë e Rokosë që për fatin tim nuk kishte vizitorë dhe munda ta shtjelloj bisedën edhe më shumë … Rokoja më tregon që integrimi i tij në jetën shoqërore të qytetit nuk ndalet vetëm me aktivitetin e punës, po Rokoja është i kyçur në korin e qytetit që i ka dhënë mundësi të japë koncerte edhe në Jerusalem. Ky pasion i muzikës i ka lindur që nga fëmijëria dhe Rokoja i këndon ende këngët e vjetra të Prizrenit. Rokoja është i kyçur në këshillin e Kishës dhe kujton luftën kur ishte i mobilizuar …

Më shumë emocione Rokoja kujton vizitën e parë në Tiranë në sheshin Skënderbeu. Njohuritë e mia për metale fisnike sikur e nxitën Rokon të më tregojë për gjeneratën e parë të argjendarëve të Prizrenit pas Luftës së Dytë Botërore. Gjeneratë që pastaj i gjejmë anekënd bregdetit Adriatik dhe më gjerë.

Rrugës në drejtim të aeroportit të Splitit vëzhgoj gjeneratorët e shumtë të vendosur majave të kodrave për prodhimin e energjisë nga era, kurse mua mendja më kishte mbetur në energjinë e shqiptarit që kurrë nuk u ndal…

Nuk e përshëndeta Rokon, se i thashë vetit që do vazhdoj herën tjetër bisedën tone, po mora me vete rrëfimin e një shqiptari të Kroacisë….