Shqipëria

Qeveria e Shqipërisë, prioritet investimet publike

Qeveria e Shqipërisë, sipas një njoftimi, ka prioritet investimet publike dhe ndihmën ndaj familjeve në nevojë.

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e fundit Aktin Normativ të Buxhetit të vitit 2018, që parashikon nxitjen e mëtejshme të realizimit të investimeve publike, rritjen e efiçencës së përdorimit të burimeve përmes rialokimeve dhe shtesave në favor të projekteve me ecuri më të mirë dhe akomodimin e paketës së solidaritetit për pensionistët dhe familjet në nevojë që avancohet në fundvit.

Me anë të një njoftimi, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka deklaruar se treguesit makroekonomikë dhe performanca e ekonomisë gjatë gjashtë mujorit është plotësisht në linjë me parashikimet fillestare dhe objektivat e buxhetit 2018, shkruan Albinfo.ch.

“Niveli i deficitit të përgjithshëm fiskal mbetet i pandryshuar në nivelin prej 2% të PBB, sikurse ishte programuar në ligjin fillestar të buxhetit; balanca primare pozitive mbahet e pandryshuar (pra me suficit), ekzaktësisht sa niveli i programuar në ligjin fillestar të buxhetit; garantohet pozicioni pozitiv dhe i lartë i balancës korente fiskale ose siç njihet ndryshe ”rregulli i artë” në nivelin e prej 3.3% të PBB, madje me një përmirësim të lehtë edhe nga buxheti fillestar, si rrjedhojë e investimeve më të larta dhe mbajtjes konstant të deficitit”, kanë thënë zyrtar të Ministrisë së financave .