Shqipëria

Kuvendi shqiptar miraton me 76 vota projekt rezolutën për diasporën

Parlamenti poashtu ka kërkuar koordinimin me institucionet përgjegjëse në fushën e diasporës të shtetit të Kosovës për hedhjen e hapave të përbashkët, ku theksohet se është i rëndësishëm edhe bashkëpunimi me shtetet e tjera në rajon.

Në punimet e sesionit të dytë të legjislaturës së nëntë, parlamenti shqiptar ka miratuar në seancën e fundit projektrezolutën “Për reformën e politikës shtetërore për diasporën” me 76 vota “për”, dhe asnjë kundër. Deputetët e partisë më të madhe opozitare PD nuk ishin në kuvend, si pasojë e bojkotit.

Nëpërmjet rezolutës së miratuar Kuvendi i Shqipërisë kërkon zgjidhjen e së drejtës së votës për shtetasit shqiptarë jashtë vendit me mekanizma ligjore nga Komisioni i Reformës Zgjedhore, në bashkëpunim me OSBE-ODHIR.

Parlamenti poashtu ka kërkuar koordinimin me institucionet përgjegjëse në fushën e diasporës të shtetit të Kosovës për hedhjen e hapave të përbashkët, ku theksohet se është i rëndësishëm edhe bashkëpunimi me shtetet e tjera në rajon.

Sipas rezolutës, kërkohet ndërmarrja e nismave të nevojshme nga organet kompetente për rishikimin e Ligjit “Për Shtetësinë” dhe kuadrit ligjor përkatës për t’u përgjigjur shqetësimeve të shtetasve shqiptarë jashtë vendit dhe fenomenit të “pashtetësisë”.

Ndërkohë, po ashtu kërkohet edhe funksionalizimi i organizimit institucional dhe strukturave shtetërore për diasporën brenda vitit 2018 në bazë të legjislacionit të miratuar.

Seanca e re plenare do jetë në shtator 2018.