Kosova

MPJ kërkon që Serbia të ndal shitjen dhe faljen e armëve

Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë reagon ndaj lajmeve që Serbia po shet dhe po falë armë.

Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar nga ana e Serbisë të ndalë shitjen dhe faljen e armëve si mjet të diplomacisë për pengimin  e njohjes së Kosovës.

Me anë të një njoftimi, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka shprehur shqetësimin e thellë mbi publikimin e dëshmive bindëse nga Organizatat kredibile ndërkombëtare, siç është Amnesty International se armatimi i prodhuar në shtetin serb vazhdon të përdoret nga disa shtete afrikane, të cilat bëjnë shkelje sistematike të të drejtave të njeriut dhe madje përdoren edhe nga luftëtarët e Organizatës Terroriste Boko Haram.

“Ministria e Punëve të Jashtme thërret Komunitetin Ndërkombëtarë që të rrisë kontrollin, verifikimin dhe mbikëqyrjen e sjelljeve dhe veprimeve të tilla të shtetit serb në kontinentin afrikan, të cilat në mënyrë të tërthortë i kontribuojnë abuzimeve të të drejtave themelore të njeriut dhe kërcënimit serioz të paqes dhe sigurisë”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Sipas kësaj ministrie, publikimi i këtyre dëshmive forcon bindjen se Serbia ka përdorur dhe po përdorë shitjen dhe faljen e armëve si mjet të diplomacisë për të joshur disa shtete jo-njohëse të Republikës së Kosovës në kontinentin afrikan, që mos të ndërmarrin një hap të tillë.