Feja

Misioni Katolik Shqiptar, në shërbim të lidhjes me atdheun

Në Luzern u shënua me një akademi solemne dhe me një meshë, 20-Vjetori i themelimit të Misionit Katolik Shqiptar në Zvicër

Të shtunën dhe të dielën, më 20 dhe 21 tetor 2012, Misioni Katolik Shqiptar në Luzern ishte nikoqir i festës së shënimit të 20-Vjetorit të Misionit Katolik Shqiptar në Zvicër (1992-2012). Ky manifestim filloi me Akademinë solemne organizuar në sallën e Misionit pranë famullisë së Shën Mihillit në Luzern. Akademia kishte për qëllim të paraqesë punën dhe aktivitetet që janë bërë gjatë kësaj periudhe, por edhe për të nderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në hapjen dhe mbarëvajtjen e Misionit.Në fillim të Akademisë, përshëndetën dhe uruan për këtë Përvjetor, në emër të tri Misioneve Katolike Shqiptare në Zvicër. Misionari i Luzernit Don Agim Qerkini, pasi u uroi mirëseardhje të pranishmëve falënderoi veçmas paraardhësit për punën që kanë bërë. Don Aleksandër Kolën që ka bartur peshën e themelimit dhe jetësimit të misionit, qoftë në aspektin juridik dhe administrativ, qoftë në atë pastoral. Pastaj, don Marjan Markun për shtimin e punës dhe aktiviteteve në mision që ka rezultuar me ardhjen e misionarëve tjerë dhe hapjen e misioneve të reja. Po ashtu, marrë para sysh nevojat pastorale, ai është angazhuar shumë deri në ardhjen e motrave të nderit në dy misione (Luzern dhe Sirnach), gjë që ka bërë edhe më të mirë organizimin e punëve në këto misione. Pastaj, don Marjan Demaj-n që me shumë zell ka vazhduar këtë punë në aktivitetet pastorale e kulturore duke krijuar afërsi dhe bashkëpunim të mirë me famullitë zvicerane, e cila ka rezultuar me faktin se, në vitin 2010 Misionit Katolik Shqiptar në Luzern do t’i krijohen kushte të reja për punë duke u vendosur nën një kulm me famullinë e Shën Mihillit në Luzern. Don Agimi përshëndeti dhe falënderoi për praninë e tij në akademi edhe don Mikel Sopi-n, ish misionarin e Aarau-t, i cili ka bartur peshën e formësimit të këtij misioni dhe organizimin punës së mëtutjeshme.Në vazhdim të akademisë, përshëndetën Daniel Vasall, anëtar i Këshillit Administrativ për Misionet e huaja në Zvicër, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Sapës (Shqipëri) Lucjan Avgustini si dhe Ambasadori i Repuublikës së Kosovës në Zvicër, Z. Naim Malaj. Më pas u lexua urimi i ipeshkvit të Baselit Felix Gmür dhe ai i Ambasadorit të Shqipërisë në shtetin helvetik, Z. Mehmet Elezi.Hapjen e akademisë e bëri Ipeshkvi i Kosovës, Shkëqesia e tij, Dodë Gjergji. Në fjalën e tij ai falënderoi institucionet dhe kishën lokale zvicerane për mbështetjen që u japin misioneve tona si dhe të gjithë misionarët që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë në këto qendra.Temat që u shpalosën në këtë akademi, kryesisht trajtuan migrimin me theks të veçantë nevojën e hapjes së misionit në Zvicër, por edhe nevojën e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, pa lënë anash nevojën e integrimit në shtetin ku jetojnë.Në këtë akademi ligjëruan: Ruedi Heim, vikar ipeshkvor, me temën: “Misionet e huaja në Zvicër—Sot dhe në të ardhmen”; Armin M. Betschart, kryetar i Këshillit Sinodal të Kishës në Luzern, me temën: “Nga të huaj, të bëhen miq…”; Don Aleksandër Kola, “Themelimi i Misionit dhe zhvillimi i tij”; si dhe Marco Schmidt, drejtor nacional i Migratio-s, me temën: “Fëmijët e emigrantëve—Reflektim mbi gjendjen e tyre fetare”.Kjo Akademi u shoqërua me disa pika muzikore: “Ave Maria” nga J. S. Bach, interpretuar nga znj. Amarda Beqiraj, ndërsa këngën “Hallellujah” e kënduan Kristina dhe Kristella Komani. Në fund të Akademisë  u ndanë disa dhurata modeste – në shenjë mirënjohjeje atyre që kanë mbështetur ose kanë shërbyer në mision. Akademia u përmbyll me këngën “Dashni është jeta” kënduar nga kori i fëmijëve të misionit nën udhëheqjen e motrave të nderit.

Pamje nga Mesha në Sursee

Shënimi i 20-Vjetorit vazhdoi të nesërmen me meshën solemne që u mbajt në sallën e sportit në Sursee. Manifestimi ishte i përbashkët, organizuar nga tri misionet shqiptare në Zvicër (Luzern, Sirnach dhe Aarau), dhe morën pjesë rreth 2200 besimtarë nga vende të ndryshme të Zvicrës.Meshën e udhëhoqi shkëlqesia e tij, Imzot Dodë Gjergji, i cili foli mbi Vitin e Fesë, përvojën duke krahasuar migrimin e njerëzve tanë me përvojat e shumta biblike të popullit të zgjedhur, mbi të gjitha për rolin e individit në familje, që ajo të rritet në Fe duke ruajtur vlerat fetare dhe kombëtare dhe kështu të rrugëtojë drejt shenjtërimit. Bashkëmeshuan Imzot Lucjan Avgustini, vikari ipeshkvor i Vikariatit St. Viktor të Ipeshkvisë së Baselit, Ruedi Heim, ish-misionarët e këtyre tri misioneve (përveç don Franë Kolës që tashmë shërben në Detroit të SHBA-s), si dhe meshtarë tjerë mysafirë në këtë kremtim.Në këtë meshë, përpos shumë mysafirëve zviceranë, ishte i pranishëm edhe ministri i Diasporës Z. Ibrahim Makolli me bashkëpunëtorë.Në fund të meshës, don Agim Qerkini, në emër të Don Albert Demaj-t, misionarit në Sirnach dhe të Don Pren Kolaj-t, Misionarit në Aarau, falënderoi të ftuarit në këtë solemnitet dhe të gjithë të pranishmit që me pjesëmarrjen e tyre e kanë zmadhuar këtë festë.Në veçanti, Don Agimi falënderoi Ipeshkvinjtë e pranishëm dhe Don Aleksandër Kolaj-n, misionarin e parë të Misionit Katolik Shqiptar në Zvicër; për këndim në meshë, motrat e nderit nga misioni në Sirnach dhe Luzern, dhe të gjithë anëtarët e koreve të tri misioneve. Lidhur me organizimet tjera për këtë festë ai falënderoi këshilltarët e misionit në Luzern, dhe të gjithë ata të rinj e të reja që kanë ndihmuar në përgatitjen e sallës për meshë, personat që në emër të firmave kanë mbështetur financiarisht këtë aktivitet, pa harruar forumin e grave në Luzern, “Nëna e Këshillit të Mirë”, që bashkë me shumë familje kishin organizuar apero të begatshëm për të gjithë të pranishmit.