Maqedonia

Tragjedi familjare, nga zjarri humbin jetën tre fëmijë

Tre vajza të moshave një, dy dhekatër vjeçare kanë humbur jetën nga asfiksia e shkaktuar nga zjarri në qytetin qendror maqedonas, Veles.Ende nuk dihen arsyet se si është shkaktuar zjarri në shtëpinë në Veles ku kanë humbur jetën tre vajza të moshës 1,2 dhe 4 vjeçare. Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale informojnë se Komuna në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale do ta organizojë varrimin e tyre. Prej atje thonë se, prindërit e fëmijëve janë shfrytëzues të ndihmës sociale.

Zjarri me përfundim tragjik ka ndodhur të mërkurën në shtëpinë në rrugën “Dare Xhambaz”. Sipas njohurive fillestare të prokurorit publik, prindërit i kanë mbyllur fëmijët dhe kanë shkuar në shitore. Gjatë asaj kohe, tani për tani, për arsye të panjohura është shkaktuar zjarr dhe për shkurt kohë e ka përfshirë tërë shtëpinë, në të cilën nuk ka pasur rrymë as ujë.

Nga Prokuroria kumtojnë se do të kryhet kontroll i gjurmëve të marra nga vendi që të konstatohen arsyet për shkaktimin e zjarrit.

“Prokurori publik i ka ndërmarrë veprimet përkatëse për pastrimin e rrethanave dhe për konstatimin e përgjegjësisë eventuale”, thonë nga Prokuroria e Velesit.

Para pak mujsh një tragjedi e ngjashme ndodhi në Tetovë, ku nga zjarri në shtëpi humbën jetën katër fëmijë dhe nëna e tyre.