Feja

Shqiptarët e besimit katolik në Kosovë mes meritave dhe ekskomunikimit

Sipas të dhënave të Wikipedia në gjuhën gjermane në Kosovë jetojnë 65’000 pjesëtarë të besimit katolik. Prej tyre pjesa dërrmuese janë shqiptarë.

Dihet se pjesa dërrmuese e shqiptarëve të besimit katolik jetojnë në rrethin e Gjakovës, Pejës, Deçanit, Klinës, Prizrenit dhe Vitisë. Në këto rrethe, e në veçanti në komunat e Rrafshit të Dukagjinit, jetesa mes komunitetit shqiptar të besimit mysliman dhe të atij katolik është tradicionalisht paqësore.

Paqësore po, por, megjithatë jo miqësore.

Është e vërtetë se bashkëjetesa mes komuniteteve fetare te shqiptarët në përgjithësi ka qenë dhe, fatmirësisht, vazhdon të jetë paqësore. Por është poashtu e pamohueshme se kjo bashkëjetesë ka qenë bashkëjetesë pranë njëri – tjetrit e jo bashkëjetesë me njëri – tjetrin. Përjashtim këtu bënte jeta shkollore dhe universitare e viteve 80 – 90, kur në klasë dhe në amfiteatro jo vetëm se ishte absurde të flitej për dallime të tilla, por kjo konsiderohej edhe një tendencë e futjes së përçarjes kombëtare. Sigurisht se merita kryesore për këtë ishte ajo e rilindësve që si fe të shiptarëve e quanin shqiptarinë.

Sidoqoftë, edhe në këtë periudhë, ishte megjithatë një sakrilegj nëse një shqiptar i besimit mysliman martonte një vajzë të besimit katolik apo anasjelltas. Të rinjtë dhe të rejat që kishin guximin ta dëgjonin ndjenjën e tyre dhe të martonin shqiptaren apo shqiptarin e besimit tjetër pothuajse ekskomunikoheshin nga rrethi. Natyrisht se e tëra varej edhe nga niveli arsimor i familjeve dhe nga rrethi (jo)urban prej nga vinin të dy të rinjtë.

Se edhe sot ky qëndrim ndaj të rejave dhe të rinjve të tillë është jo vetëm i njëjti si para tridhjetë vitesh, por është keqësuar, si pasojë e forcimit të rolit të fesë në shoqëri, e sidomos të depërtimit të rrymave radikale fetare, mund të merret me mend.

Siç është vërtetuar edhe te komunitetet e tjera, marrëdhëniet e konservuara të pjesëtarëve të një komuniteti të mërguar, në të shpeshten e rasteve në ambientin e ri, nga droja e humbjes së identititetit, konservohen edhe më tej. Prandaj, e njëjta situatë mund t’i përshkruhet edhe raporteve të komunitetit shqiptar mysliman dhe atij katolik në Zvicër.

Edhe pse nuk ekzistojnë statistika për shpërndarjen e komunitetit katolik shqiptar në Zvicër, nëse mund t’i referohemi shtrirjes së qendrave të Misionit Katolik Shqiptare në Zvicër, pjesa dërrmuese e tyre do të duhej të jetonin në kantonin e Luzern-it, ku shumica e popullësisë është poashtu e të njëjtit besim, të Aargau-t, si kanton paritetik, me shumicë katolike në rrethet Baden, Bremgarten, Muri dhe Zurzach dhe të Thurgau-ut, me shumicë protestane, por edhe me segmente të caktuara territoriale të dominuar nga katolikët.

Veprimtaria e Misioni Katolik Shqiptar nuk kufizohet vetëm në aktivitete të rëndomta fetare, por shtrihet edhe në aktivitete të tjera kulturore dhe kombëtare dhe si e tillë është një pasuri e jashtëzakonshme për shqiptarët në Zvicër.

Në përgjithësi, kontributi i shqiptarëve të besimit katolik të Kosovës në hitorinë më të re të saj, do me thënë që nga Lufta e Dytë Botërore, me Gjon Sereçin si ideolog të LNDSH-së (Lëvizjes Nacionale Demokrtaike Shqiptare) e deri në vitet e 90-ta me Anton Çettën si prijësin jo vetëm shpirtëror, por edhe veprues të Aksionit për Pajtimin e Gjaqeve, e të Dom Lush Gjergjit në ditët e sotme është jo vetëm i pakontestueshëm , por në proporcion me përfaqësimin e tyre në Kosovë mëse i madh de mëse i rëndësishëm. Sigurisht se ky kontribut i dedikohet edhe faktit se pjesa dërrmuese e klerikëve të këtij besimi u shkolluan dhe shkollohen në Itali dhe në Kroacinë tradicionalisht proevroperëndimore. Kjo bëri të mundur që ata në predikimet e tyre të bëhen përçues të këtyre vlerave, me çka ju hapën dyert e shkollimit e të ngritjes së mëtejme po në këtë frymë edhe figurave të tjera të jetës shpirtërore, shkecore e artistike në Kosovë, si : Gongje Bojaxhiut (Nënë Terezës), Anton Çettës, Mark Krasniqit, Engjëll Berishës, Anton Pashkut, Engjëll Sedajt, Marjan Demajt etj.

Por, për çudi, derisa figurat e theksuara jo vetëm se pranohen mirë nga shqiptarët e besimit mysliman, por edhe ngriten në nivelin e adhurimit, në jetën e përditshme raportet shqiptarë të besimit mysliman – shqiptarë të besimit katolik janë raporte pranë njëri – tjetrit e jo raporte me njëri – tjetrin!

Ky qëndrim, jo patjetër mohues veprues, por një qëndrim deri – diku i lënies pas dore, i “harrimit” të shqiptarëve të besimit katolik, rrezikon ekzistencën e tyre në Kosovë, si për shkak të numrit të vogël të këtyre pjesëtarëve, ashtu edhe për shkak ë shtrirjes së tyre gjeografikisht të kufizuar. Kjo shtrirje dhe ky numër i kufizuar i shqiptarëve të besimit katolik të Kosovës i bën të vështira martesat brenda të njëjtit grup. Kjo vështirësi rritet edhe më kur i shtohet kësaj edhe parimi i mosmartesës së shqiptarëve për shtatë faqe brenda të njëjtit bark si nga vija e babait, ashtu edhe nga vija e nënës. Hapja e kufijve me Shqipërinë e ka zbutur këtë problem. Megjithatë, numri i shqiptarëve të besimit katolik nga Kosova që shpërngulen, jo vetëm për shkaqe ekonomike, por edhe pse ambienti në Kosovë për ta është ngushtuar, nuk është i vogël.

Do të ishte shqetësuese sikur numri i pjesëtarëve të besimit katolik në Kosovë të karakterizohej edhe më tej me zvogëlim sinjifikativ jo vetëm për shkak të së ardhmes sonë të përbashkët evropiane, ku harmonia fetare dhe etnike zënë një vend të merituar, por edhe për shkak të vlerave të çmueshme të personaliteteve të këtij komuniteti dhe të rëndësisë që ka kjo për etnologjinë tonë kombëtare në përgjithësi.

Prandaj, në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, forcat drejtuese politike në Kosovë jo vetëm për hir të simbolikës, por, në rend të parë, si fillimin e një investimi për përparimin ekonomik dhe kulturor të trevave ku shqiptarët e besimit katolik janë shumicë, me qëllim të krijimit të kushteve për prosperitetin e tyre në Kosovë, do të duhej të fillojnë e të investojnë si në infrastrukturë, ashtu edhe në kulturë dhe arsim shumë më tepër seç kanë investuar deri më tash.

E në këtë mision të çmueshëm “urojmë që pajtori i udhëtarëve t’na ruajë nga çdo rrezik” (një fjali e modifikuar nga një urim që Misioni Katolik Shqiptar në Zvicër ju bënë bashkatdhetarëve me rastin e pushimeve verore).