Integrimi
Martesat e detyrueshme nuk i prekin vetëm të huajt
Tryeza e organizuar nga UPSH dhe albinfo.ch ngjalli debat konstruktiv dhe të depasionuar rreth temës së martesës te shqiptarët dhe migrantët
Në një ambient studioz dhe interaktiv, në prani të dhjetëra specialistëve të sferave të ndryshme shoqërore zvicerane, të mërkurën në mbrëmje u mbajt tryeza e rrumbullakët kushtuar institucionit të martesës te shqiptarët në Zvicër, iniciativë kjo e realizuar nga Universiteti Popullor Shqiptar dhe portali albinfo.ch.
Mesazhet kryesore të debatit ishin se Zvicra e trajton seriozisht këtë problematikë dhe tashmë ekzistojnë suaza legale për ta luftuar dhe parandaluar këtë fenomen, i cili, nga pikëpamjet statistikore nuk është edhe aq reprezentativ, sikurse e kanë paraqitur disa botime të mëhershme. Intervenuesit e relativizuan dimensionin kulturor të martesave të dhunshme dhe potencuan rëndësinë e parandalimit dhe qasjes ndaj këtij fenomeni në respekt të vlerave të komuniteteve të huaja.
Në fjalën e tij hyrëse, Maliq Sopa, përgjegjës në Entin e Kantonit Vaud për pritjen e migrantëve (EVAM), shtjelloi nga pikëpamja historike rolin qendror të martesës në kulturën shqiptare si dhe peshën e Kanunit dhe vendin që zë ai në këtë shoqëri. Këtë temë e kishte mbrojtur po ashtu si punim diplome në Shkollën e Lartë Sociale në Gjenevë. Ai shpjegoi për të pranishmit faktin se martesa është një akt që lidh jo vetëm dy individë, por edhe dy familje. Prandaj edhe në lidhjen martesore implikimi i familjes ka qenë dhe mbetet i rëndësishëm.
M. Sopa vuri po ashtu theksin te evoluimi i këtij institucioni të rëndësishëm në kontekstin migrues si dhe fenomenin e endogamisë (martesa mbrenda grupit etnik), por edhe të hapjes graduale të martesave ndaj kulturave të tjera, apo egzogamisë. Pikërisht, ai nënvizoi realitetin shqiptar se tradita e martesës, e bazuar në Kanun, nuk përjashton martesa me të huaj apo me fe të tjera. Nëse kjo ndodh, atëherë hynë në lojë motivimet fetare të individëve përkatës dhe jo të traditës shqiptare.
Në qasjen e saj konstruktive, Muriel Golay, drejtoreshë e Entit kantonal të Gjenevës për barazi gjinore, potencoi dimensionin politik të temës së martesave dhe veçanërisht të atyre të detyruara apo të dhunshme. Sipas saj, çështja e martesave të dhunshme apo të detyruara ka marrë një rëndësi politike të theksuar kohët e fundit.
Për zonjën Golay, edhe pse Kodi penal dhe ai civil zviceran parashikojnë një panpoli normash legale mjaft precize për ta luftuar fenomenin e martesave të detyrueshme, autoritetet shtetërore në nivel qendror kanë shprehur vullnet politik për të nxjerrë norma ligjore enkase për këso lloj situatash martesore. Ajo theksoi se duhet pasur shumë kujdes nga stigmatizimi që mund t’iu bëhet komuniteteve të huaja kur trajtohet tema a martesave të dhunshme. Enti që ajo drejton ka për detyrë operacionalizimin e këtij vullneti poltik duke e bërë prioritare parandalimin, sikurse të kalimit të martesava të aranzhuara në martesa të detyrueshme, barazinë gjinore si dhe dhunën familjare.
Zyra e barazisë, nëpërmes një qasjeje serioze, do të kuptojë se si situata e martesave paraqitet në terren, por duke e futur atë në suaza të çështjes së barazisë gjinore (pra, jo duke e kufizuar vetëm në aspekt të imigracionit) dhe duke punuar në respektimin e vlerave të komuniteteve të huaja.
Prandaj edhe në këtë frymë e kanë mandatuar një projekt-pilot me të rinj me qëllim për të kuptuar se si paraqitet situata te popullata shqiptare në Gjenevë. Duke u bazuar në përvojën e saj, përfaqësuesja e shoqatës „Rinia Kontakt“ në Gjenevë, Johner Isabelle, potencoi tri lloje situatash me të cilat ballafaqohen të rinjtë shqiparë: me një lojalitet ndaj familjes me dëshirë të të riut apo të resë; situata më delikate ku i riu apo e reja ballafaqohen me vështirësi momentale shkollore apo profesionale dhe ato-a ndikohen nga familja për të vendosur që të martohen; apo, situata a tretë ku vie në shprehje konflikti i lojalitetit mes prindërve dhe të riut apo të resë.
Kjo tryezë përfitoi shumë nga prezantimi shkencor i Anna Neubauer, hulumtuese shkencore në MAPS të Universitetit të Neuchâtel-it. Ajo, së bashku me profesoreshën Janine Dahinden, i po të njëjtit institucion, sapo e kanë përfunduar një hulumtim të rëndësishëm kualitativ dhe kuantitativ rreth martesave të dhunshme në Zvicër.
Për Anna Neubauer është vështirë të avancohen numrat rreth martesave të detyrueshme, sepse definimi i nocionit martesë e detyrueshme shtron problem. Prandaj, shifrat e artikuluara më herët për këtë duhen marrë me rezerva. Veç kësaj, sipas saj, në këtë kategori futen situata të ndryshme që nuk përkojnë me situatën e martesave të detyrueshme, por që janë pjesë e problematikës së dhunës në familje. Edhe pse ka një dimension kulturor, duhet pasur në shqyrtim kompleksitetin e kësaj çështjeje, veçanërisht ndaj suazës së barazisë gjinore, konfliktit të gjeneratave, profilit socioekonomik, konteksti i migrimit, etj.
Pra, me rëndësi është futja e kësaj çështjeje në suaza të problematikës së dhunës në përgjithësi, e jo vetëm e fokalizuar në imigracionin nga aspekti kulturor, por edhe nga aspekti social. Porosia tjetër ishte se prindërit nuk duhet të stigmatizohen, por të integrohen në suaza të kërkimit të zgjidhjeve të përbashkëta.
Për zonjën Neubauer, të rinjtë ballafaqohen në tri situata të martesave të detyrueshme: ai kur duhet të martohet, kur duhet t’i largohet një marrëdhënieje dashurie me një person të cilin familja nuk e dëshiron, apo situata e tretë që personi të mos ndahet. Për Neubauer, martesa a detyrueshme është më shumë një pasojë e degjenerimit të një situate të martesës së aranzhuar.
Nga intervenuesit u precizua se martesa e detyrueshme i prek po ashtu djemtë apo vajzat që kanë orientime homoseksuale dhe të cilët apo të cilat mund të ndodhë që të jenë të obliguara, kundrejt vullnetit të tyre, të martohen me dikend të gjinisë së kundërt.
Pyetjet e publikut u përqëndruan rreth rolit të familjes në zgjedhjen e çiftit bashkëshortor, rreth rolit të fesë në këtë proces apo për rastet e martesave të sërishme me bashkëkombëse shqiptare, pas një periudhe jetese me zviceran apo zvicerane.
Ndër pyetjet e publikut u dëgjua mendimi i André Castella, kooordinator i Zyrës së integrimit në Kantonin e Gjenevës. Ai theksoi se debati i tërë mbrëmjes ia ka kujtuar situatat e ngjashme për të cilat ai kishte dëgjuar më herët për vetë zviceranët. Për të, këto situata ndërlidhen ngushtë me njeriun dhe jo me ndonjë përkatësi kulturore.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës