Shqipëria

Rama: Për 5 vjet do të kemi 10 milionë turistë

Shefi i qeverisë deklaroi se këtë sezon pritet minimalisht një rritje me 15% e fluksit të turistëve

Qeveria shqiptare synon që në harkun e pesë viteve, numri i turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë përgjatë një sezoni, të shkojë në dhjetë milionë.

Kështu deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë hapjes së sezonit turistik në Orikum, shkruajnë mediat shqiptare.

Shefi i qeverisë deklaroi se këtë sezon pritet minimalisht një rritje me 15% e fluksit të turistëve, përcjell albinfo.ch.

“Nëse vjet kapërcyem shifrën e 5 milionë turistëve të huaj, ndërsa sivjet në rastin më minimal do kemi 15% turistë më shumë sesa vjet, nuk ka dyshim se objektivi për të arritur 10 milionë turistë në sezon në harkun e 5 viteve është tërësisht i mundur“, deklaroi Rama.

Kryeministri u shpreh se synohet që Shqipëria të kthehet në një destinacion kryesor të ofertës mesdhetare për tregjet ndërkombëtare të turizmit

“Reduktimi i taksës për turizmin nga 20% në 6%, si dhe heqja e TVSH për dhjetë vjet për hotelet e reja me 4-5 yje janë iniciativa të qarta për mbështetjen që qeveria jep për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori“, u shpreh ndër të tjera Edi Rama.