Shqipëria

Rama për mediat franceze: Nuk kërkojmë para nga Evropa, duam hapjen e negociatave

“Nuk kërkojmë para nga Evropa. Negociatat nuk i kushtojnë asnjë qindarkë Evropës”, u shpreh Edi Rama

Në një intervistë të gjatë për televizionin “France 24” kryeministri shqiptar, Edi Rama ka komentuar ngjarjet e fundit në Shqipëri, si dhe procesin e hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian.

Ai tha se rekomandimi i dhënë nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave është një tregues i qartë i hapave që ka bërë Shqipëria për përmbushjen e kritereve për anëtarësim, ndërkohë që nënvizoi se negociatat nuk i kushtojnë asgjë Evropës, pasi rrugëtimi drejt integrimit është shumë i gjatë.

“Kemi shumë rezultate që janë themelore, se ndryshe KE nuk do të bënte rekomandimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Nga ana tjetër jemi të ndërgjegjshëm se ka ende për të bërë. Nuk është se jemi duke trokitur në dyert e BE-së për t’u bërë anëtarë, jemi duke u përgatitur për hapjen e negociatave të cilat do të vazhdojnë shumë vite për të vendosur në jetë të gjithë reformat e nevojshme dhe përmirësuar nga pikëpamja e ligjvënies. Nuk kërkojmë para nga Evropa. Negociatat nuk i kushtojnë asnjë qindarkë Evropës. Janë rrugëtim për të vazhduar drejt reformave, janë dhe inspektime për të parë nëse ne i kemi përmbushur apo jo”, ka thënë Rama, shkruan ‘Scan’.

Rama i ka konsideruar zhvillime normale të brendshme protestat e fundit të opozitës kundër Qeverisë dhe jo një ngjarje që duhet të zërë faqet e para të gazetave, përcjell albinfo.ch.

Ai nuk pranoi të komentonte qëndrimet e opozitës, por tha se në Shqipëri ndodh shpesh që të kërkohet dorëheqja e kryeministrit.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Francë në kuadrin e një turi lobimi për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian.