Tematike

I vazhdohet lejeqëndrimi edhe pse ka marrë ndihma sociale prej 400 mijë frangave

Në periudhën në mes të viteve 1999 dhe 2017, ajo dhe e bija e saj është dashur të përkrahen nga enti social me rreth 400 mijë franga

Departamenti i drejtësisë dhe sigurisë në Kantonin e Lucernit, nuk ia ka vazhduar lejen e qëndrimit një nëneje jordaneze, e cila në Zvicër është duke jetuar më tepër se njëzet vite. Gjykata kantonale tani e ka ndalur këtë procedurë.
Në vitin 1995, gruaja 51-vjeçare ishte martuar me një zviceran dhe që atëherë është duke jetuar në Zvicër. Pak pas martesës, çiftit i kishte lindur një vajzë, e cila tashmë është shtetase zvicerane.
Pas shtatë vitesh ata shkurorëzohen, ndërsa burri refuzon t`i paguaj alimente vajzës dhe gruas. Nëna e vetmuar nuk ka mundur t`i sigurojë e vetme të ardhurat për jetesë dhe është dashur të tërheqë të holla nga enti social.
Po qe se një person i huaj jeton nga enti social, autoritetet përkatëse kanë të drejtë t`ia tërheqin lejen e qëndrimit. Enti i migrimit disa herë ia kishte tërhequr vëmendjen gruas duke kërkuar nga ajo që të gjejë ndonjë punë, gjë të cilën ajo po e bënte. Pas ndarjes me burrin, ajo e mësoi gjuhën gjermane, përfundoi një program integrues të punës dhe mori pjesë në disa oferta të punës së pjesërishme. Por, pasi nuk kishte ndonjë diplomë, rroga nuk i mjaftonte për të siguruar jetesën për vetveten dhe për të bijën e mitur. Në periudhën në mes të viteve 1999 dhe 2017, ajo dhe e bija e saj është dashur të përkrahen nga enti social me rreth 400 mijë franga.
Në prill të vitit të kaluar, Enti i migrimit më në fund refuzoi t`ia vazhdojë lejeqëndrimin dhe vendosi që gruaja të largohet nga Zvicra. Departamenti i drejtësisë dhe sigurisë në Kantonin e Lucernit e ka mbështetur këtë vendim, edhe pse ajo është duke jetuar më tepër se njëzet vite në Zvicër dhe me vendlindjen e saj nuk ka shumë kontakte.
Ishte një vendim i ashpër: Për vajzën, nëna e saj është gjithçka që ka nga familja e saj, shkruan “Neue Luzerner Zeitung”, përcjell Albinfo.ch. Me babain ajo nuk ka më kontakte aspak. Tani jeton tek e ëma, pasi ende nuk e ka përfunduar praktikën.
Departamenti i drejtësisë dhe sigurisë në Kantonin e Lucernit, duke u bazuar në Konvetën europiane të së drejtës njerëzore e ka vlerësuar vendimin si të drejtë, pasi vajza tani është e rritur. Gruaja duhet të kthehet në Jordani, ndërsa vajza e saj e cila ka pasaportën zvicerane, mund të qëndrojë në Zvicër. Por, ajo ka kundërshtuar përmes rrugës gjyqësore.
Sipas Gjykatës kantonale, jordanezja është «Working Poor». Varësia e saj nga ndihmat sociale nuk është me përgjegjësi, ndërsa sjellja e përsosur. Që nga muaji korrik i vitit të kaluar, situata financiare ka filluar të stabilizohet dhe ajo mund të përballojë ekzistencën personalisht. Përpos kësaj, vajza ka pohuar se pas përfundimit të praktikës, ajo do t`i ndihmojë financiarisht nënës po që se shkaktohet rreziku për tu bërë rast social.
Gjykata kantonale ka ardhur në përfundim se në këto rrethana, nuk mund të mbështetet më vendimi për t`ia refuzuar lejeqëndrimin. Enti i migrimit është urdhëruar që t`ia vazhdojë lejeqëndrimin, bile edhe të shqyrtohet mundësia që asaj t`i jepet edhe viza C.