Shkurt.ch

Mörgeli mund të përjashtohet nga universiteti i Cyrihut

Skandali ka shpërthyer pasi që atë e kanë akuzuar për rezultate të pamjaftueshme si profesor i mjekësisë historike

Mediet e Zvicrës gjermane kanë pasur dje dhe sot në fokus të tyre “skandalin” lidhur me mundësinë për largim nga puna në Universitetin e Cyrihut të Christof Mörgeli, i njohur si njëri ndër personat kyç të SVP-UDC-së, deputet nacional dhe ideolog i saj.

Sipas një shkrimi të botuar në gazetën “Der Sonntag”, Universiteti i Cyrihut do t`i japë Christoph Mörgelit në javët e ardhshme pushim të menjëhershëm ga puna. Kjo, sipas gazetës, do të ndodhë për shkak të ankesave që Mörgeli ka bërë për mobbing (intriga) ndaj tij.

I kontaktuar nga mediet, universiteti nuk ka mundur ta konfirmojë dhe as ta hedhë poshtë këtë njoftim. “Nuk është vendosur asgjë”, thuhet në portalin e universitetit, në lidhje me Mörgelin.

Atë e kanë akuzuar për rezultate të pamjaftueshme si profesor i mjekësisë historike në vendin e tij të punës. Por, universiteti ia ka ndaluar atij që publikisht të shprehet në lidhje me akuzat që i ka bërë më parë në adresë të universitetit.