Portrete të firmave

“Muji Autocenter”: Filluan me një veturë, tash kanë tri garazhe të shitjes

Për të parë nga afër sukseset e vëllezërve Muji, albinfo.ch ka intervistuar në Rümikon, AG, menaxherin e garazhit “Muji Autocenter”, Berat Muji

Në një diametër prej dhjetëra kilometrash nëse kaloni nëpër Wislikofen, Rümikon dhe Bad Zurzach të AG, mund të hasni disa herë në emrin “Muji Autocenter” dhe në vetura të parkuara skaj rrugës që presin blerësit e tyre. Janë këto tri garazhe për shitblerjen e veturave, të cilat menaxhohen nga vëllezërit Muji me prejardhje nga Kosova.

Berati, 36 vjeçar, është menaxheri kryesor i këtij biznesi. Ai thotë se ka sjellë një nivel më të lartë të shitjes, përvojës dhe personalizimit për secilin blerës të veturave. Bashkë me dy vëllezërit, kanë ngritur gjithë biznesin në një nivel tjetër, duke filluar nga modelet dhe dizajnet e reja të veturave, karakteristikat e avancuara që ato sjellin në treg, modelet e reja të veturave hibride etj.

Janë bërë 7 vjet që kur veturat në shitje në këto tri garazhe mbajnë vulën “Muji”.

Mund të thuhet se ideja për të themeluar këtë biznes ka qenë e lehtë: familja Muji ishte me fat ngase kishte shtëpinë skaj rrugës dhe kështu, e kishte edhe vendin e përshtatshëm për të ekspozuar vetura për shitje.

  • 100 vetura në flotën e vëllezërve Muji priten për kët vit

“E kemi filluar me një veturë dhe sot, pas shtatë vitesh i kemi mbi 70, ndërsa çdo ditë ka qarkullim, hyrje dhe dalje. Falë suksesit dhe kërkesave të klientëve, e kemi në plan që këtë vit ta rrisim kapacitetin e veturave për shitblerje deri në 100. Për ta arritur këtë status është dashur shumë punë. E për këtë, e kam pasur gjithmonë përkrahjen e vëllezërve dhe të babait. Falë punës tonë të palodhshme dhe korrekte sot e gëzojmë së bashku këtë sukses”, thotë Berat Muji, i cili ka të kryer shkollën e makinerisë dhe shkollën e lartë të ekonomisë.

“Veturat janë të përdorura, por jo më të vjetra se 5 vjet. Fjala është për vetura që dikush i ka ndërruar me leasing, dhe ne i kemi blerë ato. Deri më tani kemi pasur sukses. Ne i marrim 3-5 vetura të leasingut (si paketë), dhe më pastaj i shesim”, zbulon mënyrën e shitblerës Berati ndërsa thotë të mos jenë përcaktuar vetëm për një markë të veturave,

“Të gjitha markat janë të mirëseardhura tek ne, nuk bëjmë dallime. Suksesi është te veturat familjare (karvan). Vetura sportive nuk mbajmë edhe shumë por kemi zakonisht edhe të tilla në flotën tonë”, thotë tregtari shqiptar me prejardhje nga Bresalci i Gjilanit.

  • “Nga A deri në Zh”

Muji Autocenter GmbH”  ofron të gjitha shërbimet përveç shitblerjes. “Kur e shesim veturën e bëjmë nga A deri në Zh dhe me Kontroll Teknik (MFK). Garancioni është i përfshirë në çmim dhe është njëvjeçar, prej datës së blerjes. Klienti vetëm merr çelësat ne dorë. Ne ofrojmë financim me kredi dhe leasing. Leasing është i preferuar vetëm kur vetura është e shtrenjtë. Në raste tjera nuk ia vlen, sepse ngarkohesh me sigurimin e plotë Kasko, kilometrazhin e caktuar, dhe plus nuk je pronar i veturës, sepse pronar i veturës është banka. Rregullat janë të ashpra. Më mirë me financim se me Leasing, sepse mund ta deklaroni edhe në tatimin e fund vitit dhe vetura është e juaja”, tregon Berati për përparësitë që ka blerja e një veture me kredi. Tani ofrojmë edhe shërbime sigurimi të veturave. Me bashkëpunimin e partnerëve të të gjitha sigurimeve, ne i ofrojm klientit ton edhe sigurimin më të përshtatshëm për veturën e tij.

 

  • Më shumë shiten veturat me kredi

“Vetura më e shtrenjtë tash kushton diku 60 mijë franga, si p.sh Porshe Panamera GTS. Kemi shitur edhe më të shtrenjta më herët. Të gjitha veturat dhe shërbimet i kemi në faqen tonë të internetit.

“Mercedes S65 AMG”, ka qenë vetura më e shtrenjtë që e kemi shitur.  75 mijë franga është shitur me financim, do të thotë me kredi”, thotë Berati dhe tregon se klienetela e tyre është më shumë zvicerane, por ka edhe mjaft shqiptarë që frekuentojnë garazhet e tyre.

Skandali i fundit nga Volkswagen me veturat dizel ka rezultuar që edhe në garazhin “Mujitë shiten më shumë vetura me benzinë.

Berati thotë se preferojnë më shumë veturat me benzinë, por kanë edhe vetura hibride.

Garazhet e vëllezërve “Muji” tashmë kanë emër në këtë rajon. Për to kanë shkruar edhe gazeta lokale zvicerane.

 

  • Kush janë vëllezërit Muji

Berati 36 vjeçar është binjak me Burimin ndërsa kanë edhe një vëlla me emrin Hasan Muji 22 vjeçar. Gjithmonë kishin mbështetjen e babait, Ramadan Muji, i cili kishte migruar në Zvicër gjatë vitet 80-ta. Ndërsa Berati, Burimi dhe Hasani i janë bashkuar famijljes në vitin 1995.

  • Sekreti i suksesit: Puna pa hile dhe harmonia mes vëllezërve

“Ky është biznes familjar. I kemi të gjithë pagat tona, por shpërblehemi në fund vitit. Deri tani kemi pasur sukses. Kemi punuar pa hile ndaj njëri-tjetrit. Kemi besim dhe kjo na ka sjellë te suksesi. Unë e udhëheq nga A deri në Zh, financat, shitblerjet, e kështu me radhë. Vëllezërit merren me mekanikë, riparime etj.”.

Përgjigje nga banka brenda më pak se 24 orëve

“Muji Autocenter GmbH” bashkëpunon në veçanti me bankën “Cembra Money Bank”, por po ashtu edhe me pothuaj se të gjitha bankat, ndërsa tash edhe me një bankë tjetër të Lihtenshtajnit. Kredia shkon në bazë të bankës dhe klienti ka punë me bankën. Pa dhënë dritën e gjelbër banka, nuk i shesim veturat. Brenda 24 orëve vjen përgjigja se a na takon të shesim apo jo. Klienti kur i kompleton dokumentet merr shumë shpejt përgjigjen, madje edhe më shpejt se 24 orë. Derisa të përfundojë edhe kontrolli teknik, atëherë blerësi duhet të presë edhe disa ditë.”

Përveç shitjes, në “Muji Autocenter” bëjnë edhe riparimin dhe ngjyrosjen e karoserisë, gjë kjo që ka bërë që shërbimet e tyre të jenë shumë të kërkuara nga klientët.

E për këtë kujdeset edhe automekaniku në familjen Muji, vëllau i vogël, Hasani.

“Nga viti i kaluar kemi nënshkruar një kontratë, dhe veturat e reja që janë të importuara, tek ne e kanë servisin gratis”, thotë Berati

Vetura online!

“Ne shesim shumë vetura nga interneti dhe shumë nga propozimet gojore te klientëve tanë. Kjo është shumë më lehtë. Normalisht është shumë më e mirë për ne”.

 Shqiptarët, edhe kur i testojnë veturat, ngasin shpejt

“Është e vërtetë që shqiptarët kanë dëshirë me vozitë pak më shpejt. Kjo është edhe fakt. E kemi adrenalinën në gjak. Kjo ndodh edhe kur i testojnë veturat. Kurse zviceranët janë më të qetë, më të kujdesshëm.”

Për të parë nga afër sukseset e vëllezërve Muji, më 26 dhe 27 maj do të organizojnë një prezantim veturash për herë të tretë në Bad Zürzach.