Shkurt.ch

9 vjet burg kosovarit që ka varur vajzën e vet

Pasi që njëherë e kishte varur, ai e kishte lëshuar sërish në tokë të bijën, kur ajo kishte humbur vetëdijen

Rasti i kosovarit të akuzuar për tentim vrasjeje të të bijës (varje) ka marrë sot përfundimin e tij gjyqësor. Gjykata e Lartë e Cyrihut i ka shqiptuar shtetasit 46 vjeçar nga Kosova Ramiz. N., me qëndrim në Höri të Cyrihut një dënim me nëntë vjet heqje lirie.

Më parë Gjykata e Qarkut e Dielsdorfit (ZH) e kishte dënuar atë me 6 vite burg, gjë që për prokurorinë përgjegjëse kishte qenë tepër pak. Kjo e fundit kishte kërkuar një dënim me 13 vite heqje lirie për veprën tentim vrasjeje, sjellje brutale dhe një varg deliktesh ekonomike.

Vepra më e rëndë që i ngarkohet Ramiz N., është varja e të bijës 28 vjeçare në një sallë fabrike. Pasi që njëherë e kishte varur, ai e kishte lëshuar sërish në tokë të bijën, kur  ajo e kishte humbur tashmë vetëdijen.

I gjykuari ka kundërshtuar shumicën e veprave që i ngarkohen. Ai ka pranuar vetëm se ndonjëherë ka rrahur fëmijët me shuplaka ose me rrip, “për shkak se nuk shkonin mirë me mësime”.