Kosova

6 vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të anëtarësohen njëkohësisht në BE

Sipas Kurtit, nuk janë vetëm shqiptarët ata që presin shumë nga Bashkimi Evropian, pasi që edhe Bashkimi Evropian pret shumë nga shqiptarët

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një tryezë në prag të Samitit të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor me synimin që të diskutohet rreth gjendjes socio-politike dhe ekonomike të shqiptarëve në shtetet e ndryshme të Ballkanit dhe interesat kombëtare të shqiptarëve në raport me procesin e integrimit evropian, duke bërë krahasimin edhe me kombet e tjera të rajonit. Në këtë diskutim morën pjesë profesorë, historianë, publicistë, gazetarë e pjesëtarë nga shoqëria civile, përcjell albinfo.ch.

“Mund të themi që integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian nuk e pengon Serbia, por e pengojnë pesë shtetet të cilët nuk na njohin me ç’rast ne tashmë ato nuk mund t’i fusim në të njëjtën kategori. Përderisa në njërën anë besojmë që shumë më tepër mund të punojmë me Greqinë në këtë moment gjeopolitik, mbase nuk do të duhej që të humbin kohë shumë me Spanjën për shkak të rrethanave të që ekzistojnë në atë vend. Dhe në anën tjetër përderisa mund të themi se jo Serbia por pesë shtetet mos njohëse e pengojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, anëtarësimi i Serbisë varet shumë nga Kosova dhe unë besoj që kjo paraqet një element shumë të rëndësishëm të gjeopolitikës dinamike në rajonin përherë të trazuar të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Kurti.

Ai shtoi edhe se anëtarësimi i Serbisë në BE, varet nga Kosova. “Për ne bashkëpunimi rajonal është esencial. Pesë shtetet mos njohëse e pengojnë anëtarësimin në BE, anëtarësimi i Serbisë varet nga Kosova, besoj se kjo paraqet një element shumë të fuqishëm të gjeopolitikës dinamike në rajonin për herë të trazuar te Ballkanit perëndimor”, tha ai.

Sipas Kurtit, nuk janë vetëm shqiptarët ata që presin shumë nga Bashkimi Evropian, pasi që edhe Bashkimi Evropian pret shumë nga shqiptarët.

Kurti përmendi edhe tri elementet kryesore të Bashkimit Evropian me të cilat lejon shtetet të anëtarësohen në të.

“Janë tri elemente që Bashkimi Evropian i ka pasur që në themelet e tij: paqja nëpërmjet antifashizmi dhe paqja me antifashizëm, shtetin e mirëqenies dhe ombrellën e sigurisë së NATO-s. Këto janë tri elementet e Bashkimit Evropian e cila filloi si një ekonomi për paqe”, tha Kurti.