Integrimi

Caritas-i nderon me mirënjohje të veçantë veprimtarin Tahir Shabani

Elfriede Wimmer dhe Tahir Shabani, për angazhimin e tyre vullnetar më shumë se dhjetëvjeçar në të mirë të njerëzve të tjerë, janë nderuar me “Letrën e nderit të Shoqatës së Caritasit për dioçezën e Freiburgut”

Shoqata Humanitare Caritas për qarkun Emmendingen ka ftuar bashkëpunëtorët e saj në festën e vullnetarëve, që mbahet në çdo dy vjet.

Krerët e Caritasit kanë përshëndetur të pranishmit, duke i falënderuar për kontributin e dhënë. “Pa ju, përkundër shumë strukturave profesionale që kemi, nuk do të mund t`i kryenim shumë nga shërbimet dedikuar njerëzve në nevojë. Kështu, ata e kanë merituar të festojnë”, ka thënë udhëheqësi i Caritasit, Rainer Leweling, shkruan badischezeitung.de.

Me këtë rast, mirënjohje të veçanta u janë ndarë aktivistëve Elfriede Wimmer dhe Tahir Shabani, transmeton albinfo.ch. Ata, për angazhimin e tyre vullnetar më shumë se dhjetëvjeçar në të mirë të njerëzve të tjerë, janë nderuar me “Letrën e nderit të Shoqatës së Caritasit për dioçezën e Freiburgut”, duke marrë kështu mirënjohjen edhe për bashkëpunëtorët tjerë.

Tahir Shabani është i njohur për lexuesit e albinfo.ch, falë angazhimit të tij të shumanshëm në integrimin e komunitetit shqiptar të qytetit Emmendingen dhe më gjerë. Ai ka qenë themelues dhe kryetar i parë i shoqatës mjaft aktive në këtë regjion, “Yjet e Kosovës.”