Shkurt.ch

Përshpejtohet ndryshimi i Ligjit për Azilin

Komisioni i Dhomës së kantoneve të Parlamentit të Zvicrës ka kërkuar që të hapen sa më shpejtë qendra për strehimin e azilkërkuesve që bien ndesh me ligjin. Qëndrim tjetër i këtij komisioni ka qenë që ambasadat e Zvicrës në botë të mos pranojnë më kërkesa të azilit dhe që refuzimi i shërbimit ushtarak të mos merret më si bazë për të fituar azilin.

Komisioni në fjalë ka vendosur në mënyrë unanime që kantonet dhe komunat në të ardhmen të mos kenë të drejtë të kundërshtojnë vendimet e federatës për hapjen e qendrave për strehim të azilkërkuesve në rastet kur ndërtimi i tyre bëhet në pronat e federatës.

Po ashtu komisioni ka kërkuar që disa nga ndryshimet e planifikuara të Ligjit mbi Azilin të shpallen si urgjente. Në rastet kur ato shpallen si të tilla atëherë, menjëherë pas pranimit të tyre nga parlamenti ato do të bëhen të plotfuqishme. Ndërsa referendumi eventual lidhur me atë ligj mund të ndërmerret vetëm pastaj.