Shkurt.ch

Dekorohen për guximin e treguar në tragjedinë e Valisit

Politikanët janë dekoruar nga Mbreti Belg për angazhimin e tyre me rastin e aksidentit të rëndë të autobusit

Ministri i jashtëm belg Didier Reynders ka dekoruar të hënën në Siders të Valisit tre politikanë të këtij kantoni në emrin e Mbretit Albert II. Fjala është për kryetarin e qytetit Siders dhe dy këshilltarë kantonalë të Valisit.

Personat në fjalë janë dekoruar në shenjë mirënjohjeje për angazhimin e tyre vetëmohues me rastin e aksidentit të rëndë të autobusit, që kishte ndodhur në muajin mars në këtë lokalitet.

Dekoratat duhen kuptuar si një shenjë falënderimi nga Mbreti Albert II për ndihmesën e madhe të tyre për të zbutur pasojat e tragjedisë së rëndë, ka thënë Reynders me rastin e ndarjes së dekoratave në ndërtesën e komunës në Siders.

Autobusi belg kishte goditur në mënyrë ballore murin e tunelit në afërsi të Sidersit me ç`rast kishin humbur jetën 22 fëmijë dhe 6 të rritur, belgë e holandezë, që ndodheshin në ekskursion nëpër Zvicër.