Kosova

Tusk kërkon të luftohet krimi e korrupsioni në Kosovë

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka kërkuar konsensus politik në Kosovë për avancimin e vendit drejt Bashkimit Evropian. Pas takimit me presidentin Hashim Thaçi, Tusk ka thënë se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkon konsensus politik.

“E di se ju nuk do të ndaleni. Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkon konsensus politik dhe me konsensusin tuaj kemi mundësi të vazhdojmë me këtë politikë spektakulare dhe shumë pozitive”, ka thënë ai.

Me miratimin e demarkacionit, Tusk ka thënë se Kosova i është afruar liberalizimit të vizave. Ndërkaq, presidenti Thaçi ka deklaruar se pret që BE-ja të përshpejtojë procesin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Thaçi ka folur edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë se ky proces duhet të përfundojë më marrëveshje ligjërisht obligative dhe me njohje reciproke.

Për temën e dialogut, Thaçi ka theksuar se do të takohet më 9 maj në Berlin me kancelaren gjermane, Angela Merkel.