Shkurt.ch

Testi i ADN-së për azilkërkuesit

Rreth 77 për qind raportohet të jetë rritur numri i azilkërkuesve delikuentë në gjysmën e parë të këtij viti në Zvicër.

Më së keqi thuhet të jetë gjendja me azilkërkuesit problematikë në kantonet Argau, Bernë, Jura, Neuchâtel, St. Gallen, Ticino, Valais dhe Cyrih.  Këto të dhëna i ka publikuar gazeta «SonntagsZeitung».

Drejtorët kantonalë të policisë janë alarmuar me këtë gjendje dhe kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin masa.

Policia ka propozuar që të gjithë azilkërkuesve në Zvicër t’u merren mostrat e ADN-së për të siguruar një bazë të dhënash në shkallë të gjerë për të përmirësuar zbardhjen e delikteve të kryera nga azilkërkuesit.

Komandanti i policisë në Jura, Guéniat Olivier, ka propozuar i pari idenë për testet e ADN-së. “Kjo masë është më së e nevojshme për arsye sigurie”, tha ai për «SonntagsZeitung». Sipas tij, vetëm atëherë mund të zbardhen me sukses një numër i madh i delikteve.

Hans-Jürg Käser nga policia në Bernë idenë për ADN-në do ta propozojë në konferencën e drejtorëve për Drejtësi dhe Polici.

Testet e ADN-së nuk do të jenë masat e vetme në luftën kundër kriminalitetit në Zvicër. Siç raporton “SonntagsBlick”, kantoni i Aargaus planifikon për të dërguar në patrullim roja civile nëpër fshatra për të penguar azilkërkuesit të kryejnë vepra penale.