Shkurt.ch

Në kërkim të kosovarit, ka kryer 82 plaçkitje

Policia austriake është vënë në kërkim të shqiptarit nga Kosova që dyshohet të ketë kryer 82 plaçkitje, duke shkaktuar 1.4 milionë dëme

Gruaja e kosovarit të kërkuar nga policia që ishte arrestuar në muajin shkurt kishte deklaruar për policinë se burri i saj nga Kosova është hajn profesionist, raportojnë mediet austriake.

Policia i kishte rënë në gjurmë hajnit profesionist qysh në muajin shkurt gjatë plaçkitjes së një shtëpie. Ai është vënë re nga një banore në Krispl të Austrisë, duke ikur me stolitë e vjedhura.

Në një veturë e bardhë PKW e dyshimtë që është parë në disa vende pas plaçkitjeve të raportuara, është kontrolluar nga policia. Në të është kapur 21-vjeçarja austriake që është prezantuar si gruaja e hajnit profesionist nga Kosova.

Ajo ka thënë se me shqiptarin nga Kosova është njoftuar më 2010 në Salzburg, ku dhe shumë shpejt ishin martuar. Çifti kishte jetuar vetëm nga hajnia.

Kosovari nga tetori deri në mars të këtij viti mesatarisht katër herë në javë kishte plaçkitur shtëpitë. Ai më së shumti kishte vjedhur stoli ari, kamera, laptopë dhe para të gatshme.

Shumica e gjërave të vjedhura kishte arritur t’i shiste nëpër Austri, ndërsa të tjerat i ka dërguar në Kosovë.

22-vjeçari nga Kosova plaçkitjet i ka realizuar në bashkëpunim me një tjetër hajn nga Maqedonia dhe të tjerët të panjohur për policinë. Në dy shtëpitë e kontrolluara të çiftit policia ka gjetuar gjëra të vlefshme.

Deri tash policia ka konstatuar për një total prej 82 plaçkitjesh, me dëme deri 1.4 milionë euro të kryera nga banda e shqiptarit nga Kosova.

Austriakja i ka thënë policisë se ka shoqëruar burrin e saj gjatë vjedhjeve, ngase ka qenë e kërcënuar. Kosovari është ende në arrati, ndërsa gruaja e tij austriake është burgosur që nga muaji shkurt.