Shkurt.ch

Të dielën, Festa e Bajramit në Zvicër

Besimtarët myslimanë në Zvicër do t'i nisin festime e Fitër Bajramit të dielën sikurse në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri

Bashkësia Shqiptare Islame në Zvicër njofton komunitetin mysliman në diasporë se muaji i madhëruar i Ramazanit përfundon ditën e shtunë, sikur në vendet e prejardhjes, më 18 gusht, kurse dita e parë e festës së Fitër  Bajramit është të dielën, më 19 gusht.

Në Zvicër namazi i Fitër Bajramit falet kryesisht nëpër salla sporti, të rezervuara pikërisht për këtë festë, për shkak të hapësirave të ngushta që i kanë xhamitë apo qendrat islame.

Përveç organizimeve që bëjnë xhamitë nëpër kantone të ndryshme të Zvicrës, nuk shënohet ndonjë ceremoni kryesore e faljes së Fitër Bajramit.

Manifestimi fillon në orën 6:00, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të ketë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga imamët shqiptarë në Zvicër.

Në njoftimin e Bashkësisë Shqiptare Islame në Zvicër bëhet e ditur se namazi i Fitër Bajramit falet në orën 7:30 në pjesën gjermanofolëse të Zvicrës, ndërsa rreth 10 minuta më vonë në pjesën fankofone. Hytbet i mbajnë imamët në gjuhën shqipe, të cilët u drejtohen mërgimtarëve me një mesazh për festën.Kryesia e Bashkësisë Shqiptare Islame në Zvicër shfrytëzon rastin që të gjithë mërgimtarëve myslimanë t’ua urojë festën e Fitër Bajramit, duke shpresuar se Zoti ka pranuar kontributin e tyre gjatë këtij muaji të bekuar, thuhet në njoftimin e Kryesisë së Bashkësisë Shqiptare Islame në Zvicër.