Lajme

Ndërron jetë Arbën Xhaferi

Vdiq sot pasdite Arbën Xhaferi, ish-lideri i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) - update

Ish-kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Arbën Xhaferi ka ndërruar jetë të mërkurën pasdite, si pasojë e një hemorragjie cerebrale (gjakderdhje në tru) që kishte pësuar një javë më parë.

Mjeku Sllobodan Damjanoski ka konfirmuar “Zhurnal” për vdekjen e Xhaferit. “I ndërmorëm të gjitha masat e nevojshme për shërim, por për fat të keq ndodhi më e keqja”, ka thënë Damjanoski.

Xhaferi, i cili është konsideruar si njëri nga intelektualët më të mëdhenj të kësaj plejade, është gjetur në gjendje kome në banesën e tij në Tetovë të mërkurën e kaluar.

Arbën Xhafëri ka një kohë që vuante nga sëmundja Parkinson, e cila edhe ndikoi që ai të tërhiqet nga jeta e përditshme politike. Dy dekada më parë, ai formoi Partinë Demokratike Shqiptare, njërën ndër partitë më të fuqishme shqiptare në Maqedoni, të cilën e drejtoi deri në vitin 2007.

Në vitin 2001, Xhaferi si përfaqësues i shqiptarë ishte negociator dhe nënshkrues i Marrëveshjes së Ohrit, e cila i dha fund konfliktit shqiptaro-maqedonas. Xhaferi ka lindur më 24 janar të vitit 1948 në qytetin e Tetovës.