Feja

Më pak radikalizëm në diasporë se në vendlindje

Shumica e myslimanëve të Ballkanit, sidomos shqiptarët, qëndrojnë largë rrymës salafiste në Zvicër, për dallim prej vendeve të prejardhjes, ku përfshirja e kësaj rryme në komunitetin islam thuhet të jetë më e theksuar.

Kështu thotë kryetari i Bashkësisë Shqiptare Islame në Zvicër, Mustafë Mehmeti,i njohur në opinion si predikues i moderuar i islamit, duke komentuar raportin e fundit të “Jane’s Intelligence Review”, e cila përfshirjen e Selafizmit në komunitetin islam në Ballkan e sheh si tendencë radikale për prishje të bashkëjetesës.

Imami i njohur edhe për opinionin zviceran, Mustafë Mehmeti, nga Berna, thotë të jenë shqetësuar me praninë e elementeve radikale te komuniteti islam shqiptar në diasporë.

“Një rrymë e tillë infiltrohet nga vendlindja. Mërgimtarët frymëzohen nga eksponentët e kësaj ideologjie, por edhe nga diversiteti fetar islam që është edhe këtu në Zvicër”, thotë hoxhë Mehmeti për albinfo.ch.

Futja e kësaj rryme ka sjellë një varg mosmarrëveshjesh të brendshme edhe ndërmjet klerikëve shqiptarë në Zvicër.

“Mosmarrëveshje të komunitetit islam ndërmjet interpretuesve të fesë (hoxhallarëve), por edhe xhematit janë të pranishme edhe në diasporë, por këtu funksionon shteti juridik dhe dora e ligjit është e gjatë”, thekson Mehmeti.

Kreu i Bashkësisë Shqiptare Islame në Zvicër tregon për praninë e predikuesve të kësaj ideologjie në Zvicër, të cilët vijnë nga vendlindja për të mbajtur tribuna fetare me misione të caktuara për të joshur diasporën me një rrymë të tillë.

“Ka hoxhallarë të tillë edhe në Zvicër, por hezitojnë të dalin në opinion dhe ideologjinë e tyre e predikojnë nëpër bodrume edhe garazhe, tha Mehmeti.

Ai flet për të rinj shqiptarë në Zvicër që kanë rënë nën ndikim të kësaj ideologjie që sipas hoxhës janë nga familjet që nuk kanë pasur njohuri as për islamin tradicional.

Imami e pranon se organizimi jo i mirë i jetës fetare në Zvicër ndihmon për ta përhapur ideologjinë ekstremiste.

“Nuk ekziston një hierarki e mirëfilltë e organizimit të jetës fetare në Zvicër. Ky mosorganizim u ndihmone atyre të veprojnë lirshëm në diasporë”, tha Mehmeti.

Ndryshe në një raport të funidt të “Jane’s Intelligence Review” thuhet se janë shtuar format radikale të Islamit në Kosovë.

Por sipas “Jane’s Intelligence Review” islami në Kosovë ka një traditë të qëndrueshme që daton në kohën e okupimit osman të Ballkanit në shekullin XVI. Myslimanët në Kosovë janë në përgjithësi trashëgimtarë të islamit osman, bazuar kryesisht në urdhrat Hanefi dhe Bektashinj.