Lajme

SHBA nuk ndikohet nga raporti i Martyt

“Departamenti amerikan i shtetit e ka bërë shumë të qartë kur ka thënë se nuk ka ndikime në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. SHBA-të janë partnere të fuqishme të Kosovës”, ka thënë sot në Prishtinë zëvendësambasadori amerikan, Michael Murphy.

“Gjithashtu e kemi bërë të qartë se, nëse ka ndonjë provë kredibile, ashtu siç ka thënë edhe EULEX-i dhe të tjerët, zoti Marty duhet t’ua paraqesë ato prova autoriteteve përgjegjëse për hetime të mëtutjeshme. Unë kam qenë shumë i kënaqur kur kam dëgjuar kryeministrin të thotë se qeveria e tij dhe populli i Kosovës do të bashkëpunojnë me hetimet e këtilla”, ka thënë ai.

“Marrëdhëniet tona me qeverinë dhe popullin e Kosovës janë po aq të fuqishme sa kanë qenë gjithmonë dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë fuqishëm në ecjen përpara”, ka thënë Murphy.