Shqipëria

Përfundon pa incidente protesta e opozitës në Shqipëri

Basha kërkoi lirimin e protestuesve të Kukësit dhe heqjen e tarifës se Rrugës së Kombit për të gjithë shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës

Ka përfunduar pa incidente protesta e organizuar nga opozita në shenjë revolte për moslirimin e të arrestuarve të Kukësit dhe pagesës për Rrugën e Kombit. Opozita bllokoi disa rrugë në mbarë vendin në shenjë proteste.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe Luan Rama i LSI-së ishin në Vorë, ku u ulën këmbëkryq me protestuesit në autostradën Tiranë-Durrës, ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ishte në Bradashesh të Elbasanit, ku dhe protestuesit i vunë flakën gomave të makinave. Edhe në Milot, ku ishte deputeti demokrat, Flamur Noka, u dogjën gomat e makinave.

Në fund Basha kërkoi lirimin e protestuesve të Kukësit dhe heqjen e tarifës se Rrugës së Kombit për të gjithë shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës.

“E kam dëgjuar që kur i ka punët ngushtë, bën sikur tërhiqet dhe më pas godet. Liro kuksianët. Hiq taksën e Rrugës së Kombit. Anulo koncesionin. Do ta çlirojmë shtetin nga kjo bandë kriminale dhe do të kthejmë drejtësinë e pakapur”, ka thënë ai. E për kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, protesta 2-orëshe e opozitës dhe qytetarëve ishte fillimi i fundit të kryeministrit Rama.