Manifestime

Prifti ka abuzuar seksualisht fëmijët për 50 vite: Kisha ka heshtur për pedofilinë

Rastin e ka zbuluar përmes një libri, Daniel Pittet, një person që në fëmijërinë e tij kishte qenë viktimë e priftit. Parathënien e librit e kishte shkruar personalisht Papa Fraçesku, i cili e kishte cilësuar abuzimin seksual të fëmijëve si “mëkat të tmershëm”

Kisha Katolike e Zvicrës fajësohet se ka heshtur për dekada të tëra pedofilinë e një prfti të rendit të Kapucinëve. Ajo, siç konstatohet në një raport të pavarur dhe siç një shkruajnë sot mediet zvicerane, e ka mbrojtur me vetëdije priftin në fjalë nga ndjekja ligjore.

Sipas raportit, rastet e abuzimit seksual me fëmijët, ky prift i ka filluar në vitin 1958 dhe ato kanë vazhduar deri në vitin 2008. Aktet e pedofilisë i ka kryer në kantonet si: Freiburg, Valis, Vaud dhe Gjenevë si dhe në dy provinca të Francës.

 

Për shkak të kohës që ka kaluar, lëndët për ngacmimet seksuale tashmë shumica janë vjetërsuar (parashkruar). Prifti është përballur ndërkohë me gjyqet, dhe për dy raste të abuzimit është liruar për shkak të vjetërsimit të lëndës ndërsa për njërin prej tyre ka marrë një dënim prej 2 vitesh e gjysmë burg me kusht.

Në maj të vitit 2017, Kongregacioni i besimit në Romë e kishte përjashtuar priftin tashmë 78 vjeçar nga rnedi i priftërinjve në përgjithësi si dhe nga rendi i kapucinëve, transmeton albinfo.ch. Pas kësaj, kapucinët e Zvicrës kishin autorizuar kryerjen e një raporti hetimor.

Sulmet pedofilike të priftit ishin zbuluar para një viti në një libër që ishte botuar atëbotë dhe në të cilin konstatohej se autoritetet kishtare i kishin neglizhuar për kohë të gjatë aktet e tij. Autor i librit kishte qenë Daniel Pittet, një person që në fëmijërinë e tij kishte qenë viktimë e priftit, përcjell albinfo.ch. Parathënien e librit e kishte shkruar personalisht Papa Fraçesku, i cili e kishte cilësuar abuzimin seksual të fëmijëve si “mëkat të tmershëm”.

Siç thuhet në libër, akuzat e para mbi abuzimet e priftit në fjalë ishin bërë që në vitet e shtatëdhjeta. Por krerët e rendit që ai i takonte, fillimisht nuk kishin vepruar në drejtim të sqarimit të akuzave. Më vonë, ata ishin mjaftuar me zëvendësimin e priftit në fjalë.

Pasive ndaj viktimave të priftit kapucin kishin mbetur edhe diocezat e kishës katolike në Lozanë, Gjenevë dhe Freiburg. Ato nuk kishin ushtruar kallëzim penal ndaj tij. Madje kisha nuk kishte inicuar asgjë edhe në vitin 1989, kur prifti kishte pranuar një abuzim, i cili atëbotë ende nuk ishte vjetërsuar.

Gjatë rreth 50 viteve, periudhë sa ka qenë aktiv si prift, konsiderohet se ai ka kryer ngacmime seksuale te 22 fëmijë në Zvicër dhe 2 në Francë.