Shkurt.ch

Fushatë për rritje pagash të rrobaqepëseve në Maqedoni

Organizata joqeveritare zvicerane “Erklärung von Bern” (EvB) kërkon paga më të larta për punonjësit e industrisë së tekstilit nga Maqedonia

Në  një video “EvB” tregon infermierë, policë dhe konduktorë trenash zviceranë të veshur vetëm në rroba të brendshme duke tërhequr vëmendjen e publikut zviceran në lidhje me kushtet e rënda të punës përkatësisht për pagat shumë të ulëta të rrobaqepëseve në Maqedoni.

Në Zvicër pothuajse gjysma e popullsisë aktive bartin uniforma.  Konduktorë, infermierë, policë, ushtarë, që përfaqësojnë rreth dy milionë njerëz.

Një studim që ka bërë “Erklärung von Bern” ka mësuar se shumica e uniformave zvicerane qepen në Maqedoni.

“EvB” ka treguar edhe për kushtet e vështira të punëtorëve nëpër fabrikat e tekstilit në Maqedoni,  të cilët paguhen vetëm 122 franga zvicerane në muaj.

Rrobaqepëset nga Ohri dhe qytete e fshatra të tjerë të Maqedonisë qepin uniformat e ushtrisë zvicerane, kundrejt një pagese prej 122 frangash në muaj.

 Edhe emisioni i dedikuar konsumatorëve “Kassensturz” i televizionit publik të Zvicrës (SF) kishte zbuluar se si firma zvicerane “Armasuisse”, e angazhuar nga Forcat e armatosura të vendit i furnizon këto të fundit me uniformat e qepura në kushte diskriminuese për rrobaqepëset.

Në Maqedoni një familjeje katër anëtarëshe i duhen për mbijetesë rreth 600 franga, ndërsa paga minimale e lejuar nga shteti është rreth 122 franga, që nuk mjaftojnë as përafërsisht për një familje, edhe po të jenë të punësuar të dy prindërit. Dhe, për paga të tilla punojnë rrobaqepëset maqedonase, ka konstatuar “Erklärung von Bern”, raportojnë mediat e Shkupit.

Për “EvB” është veçanërisht problematike që diskriminimi social po stimulohet përmes parave të taksapaguesve zviceranë.