Integrimi
Kuvendi shpalos strategjinë
Jeton Kryeziu, kryetar i ri i Kuvendit Shqiptar në Zvicër, flet për synimet e Kuvendit, hapat e ndërmarrë si dhe rrugën që ai do ta ndjekë
Albinfo.ch: Disa javë kaluan nga zgjedhjet e fundit qendrore të kryesisë së Kuvendit Shqiptar në Zvicër. Si e vlerësoni rrjedhën e punës të procesit zgjedhor të Kuvendit vjetor si dhe të zgjedhjes së delagatëve për njësitë zgjedhore regjionale?
Jeton Kryeziu: Sikurse zgjedhjet e delegatëve kantonalë, si dhe ato të Kuvendit të përgjithshëm kanë kaluar mirë. Datat e mbajtjes së zgjedhjeve janë shpallur mjaft para kohe si dhe përmes kanaleve të ndryshme. Personat e interesuar dhe të cilët i kanë ndarë vlerat si dhe objektivat e Kuvendit janë përgjigjur pozitivisht me prezencën e tyre. Kjo ka bërë që këto takime të jenë shumë frytdhënëse dhe të kenë ndikuar te pjesëmarrësit e rinj që të vetëdijesohen se komuniteti shqiptar posedon një potencial real në Zvicër, veçanërisht për personat që dëshirojnë të veprojnë për të.
Për zgjedhjet regjionale GE/VD/VS, për të cilat kam kontribuar po ashtu në organizimin e tyre, numri i delegatëve ishte i kufizuar në 15 persona dhe fatkeqësisht na është dashur të refuzojmë persona me potencial profesional jashtëzakonisht interesant. Këta persona i kanë pranuar rregullat e lojës demokratike dhe janë në shërbim të bashkëpunimit me Kuvendin. Nuk ka asnjë dyshim se aftësitë e tyre mund dhe duhet të shfrytëzohen nga Kuvendi në punimet si dhe projektet e ndryshme të Kuvendit, me qëllim të përmirësimit të situatës të shqiptarëve të Zvicrës, sikurse karshi vendit pritës, ashtu edhe vendit të prejardhjes.
Albinfo.ch: Jeni Kryetar i ri i sapozgjedhur i Kuvendit. Zgjedhja juaj u përshëndet unanimisht nga të gjithë. Si ndiheni në pozitën e kryetarit të ri të Kuvendit Shqiptar në Zvicër?
Jeton Kryeziu: Shumica e shqiptarëve të Zvicrës janë të vetëdijshëm për sfidat që e presin bashkësinë tonë, e përbërë nga përafërsisht 250’000 persona. Duke qenë pjesë e Kuvendit, ne i realizojmë me më shumë vetëdije këto sfida.
Gjatë mandatit të fundit isha anëtar i Kryesisë dhe kjo paraqiste për mua një përgjegjësi marramendëse. Tani si Kryetar, kjo nënkupton përgjegjësi edhe më të madhe. Mirëpo, duhet të dini se edhe në punën time të përditshme mbaj përgjegjësi të mëdha. E veçoj sidomos krenarinë e të përfaqësuarit të komunitetit shqiptar në Zvicër, e përforcuar me besimin që më është dhënë gjatë Kuvendit të përgjithshëm të 10 qershorit 2012.
Albinfo.ch: A mund të na i përshkruani në vija të trasha kush janë anëtarët e rinj të Kryesisë ?
Jeton Kryeziu: Komunitet i ri, i zgjedhur më 10 qershor 2012, është i përbërë nga burra dhe gra të gjeneratave dhe me prejardhje të ndryshme, sikurse për nga vendet e prejardhjes, si dhe vendit pritës. Ne kemi profesorë, mjekë, ekonomistë, gra dhe burra që merren me biznes, punëtorë socialë, juristë dhe avokatë, Këto persona, të dalë nga fusha profesionale të ndryshme, pra që e fitojnë jetën e tyre dhe janë të pavarur, janë të realizuar në profesionin e tyre, kështu që ata duan tani që komuniteti shqiptar të përfitojë nga përvoja si dhe aftësitë e tyre.
Albinfo.ch: Si mendoni ta organizoni kryesinë e Kuvendit dhe degët regjionale, si për nga përgjegjësitë, ashtu edhe funksionaliteti?
Jeton Kryeziu: Delegatët regjionalë do të jenë në kontakt të rregullt me Kryesinë. Ata do të merren, në mënyrë precize, me nevojat si dhe kërkesat e dala nga rajone të ndryshme të Zvicrës, sepse çdo kanton i ka specifikat e tij dhe atë sikurse, për shembull, në fushën shkollore. Pasi që një nevojë të jetë identifikuar ose një kërkesë të jetë formuluar, delegatët regjionalë do ta informojnë Kryesinë. Nëse kërkesa apo nevoja është legjitime, delegatët regjionalë do t’i aktivizojnë pastaj grupet e punës ekzistuese brenda Kryesisë dhe çdo gjë do të vihet në shërbim të tyre për t’ia arritur qëllimit.
Konkretisht, i kemi ndarë objektivat: ndër ato afatshkurtra janë zgjedhjet në Sankt-Gallen dhe në Tiçino, takimet me delegatët regjionalë si dhe disa projekte të tjera: sa u përket qëllimeve afatgjata, sikurse për shembull, mundësia e futjes së gjuhës shqipe si lëndë zgjedhore në programin shkollor zviceran, një program informues që prindërit të munden më mirë t’i përcjellin dhe t’i ndihmojnë fëmijët në studimet e tyre si dhe në shkollim, ose luftën kundër diskriminimit, përmirësimit të imazhit të shqiptarëve, gjë që, natyrisht, kërkon më shumë mjete dhe kohë.
Albinfo.ch: Kur do të mbahen zgjedhjet në Sankt-Gallen dhe Tiçino?
Jeton Kryeziu: Në Sankt-Gallen zgjedhjet do të mbahen në fillim të muajit shtator 2012. Ne shpresojmë po ashtu se do të mundemi t’i organizojmë ato të Tiçinos në po të njëjtën periudhë. Përfitoj nga ky rast që të apeloj te personat që jetojnë në Tiçino dhe që janë të interesuar ta kontaktojnë Kryesinë me qëllim të organizimit, respektivisht të bashkëpunimit me Kuvendin e Shqiptarëve të Zvicrës.
Albinfo.ch: Disa individë shtrojnë dilema rreth legjitimitetit të Kuvendit. Si i interpretoni ato? Cila është përgjigjja e kryesisë së Kuvendit dhe si mendoni t’i tejkaloni këto sfida dhe t’i afroni skeptikët?
Jeton Kryeziu: Para se gjithash ia vlen të ndalemi te fjalët «legjitime» dhe «jolegjitime». Nëse një grupi të personave u imponojmë përfaqësues duke mos pasur mundësi t’i zgjedhin ata, ose të shprehin si dhe të participojnë në zgjedhje, sikurse ka qenë rasti i Kosovës me qeverinë e Millosheviqit, atëherë kemi të bëjmë me përfaqësues jolegjitimë. Nëse përkundrazi, ky grup personash është ftuar për të marrë pjesë sikurse zgjedhës ose kandidatë, personat që zgjedhen assesi nuk mund të konsiderohen jolegjitimë.
Në rastin në fjalë, sikurse mbledhjet e grupeve punuese përgatitore si dhe kuvendet regjionale janë shpallur në opinion përmes kanaleve të shumta. Mbledhjet e punimeve përgatitore si dhe kuvendet ishin shumë qartazi të hapura për të gjithë dhe favorizonin debate dhe sjellje të ideve të reja, d.m. th., parimet e reklamimit, transparencës, pjesëmarrjes, të shprehurit, ose thënë ndryshe, bazat e demokracisë janë respektuar. Po e nënvizoj po ashtu se e drejta e pjesëmarrjes nënkupton të drejtën e mosmarrjes pjesë në një mbledhje, gjë që natyrisht e respektoj dhe, vetvetiu, personat që kanë anuar për këtë të drejtë duhet ta respektojnë rezultatin për të cilin kanë kontribuar.
Mirëpo, mendoj se kriktika është vitale. Në art, në kinema dhe në të gjitha fushat, secili ka të drejtë të shprehet. Ne duhet t’i marrim kritikat konstruktive dhe të cilat janë në përputhje me qëllimet e Kuvendit, sikurse mbrojtja e interesave të shqiptarëve të Zvicrës, dhe jo të Qeverisë së Kosovës, të Shqipërisë apo të Maqedonisë, sikurse mendojnë disa. Duhet të mënjanohen kritikat që nuk bazohen në asnjë fakt. Për shembull, kur peticioni kundër ekstradimit të zotëri Shemsi Nuhiut është dorëzuar, të gjithë shqiptarët, të gjithë e kanë kritikuar Serbinë sepse ajo e kishte bërë një aktakuzë që nuk bazohej në asnjë fakt. Është për t’u habitur se si disa nga po këta persona veprojnë në të njëjtën mënyrë…
© albinfo.ch
Albinfo.ch:Cilat janë vizionet e Kuvendit dhe cilën strategji do ta ndiqni për t’i realizuar objektivat e përcaktuara të Kuvendit? Sa Kuvendi mund të lobojë në mënyrë efikase, sikurse ndaj vendit të prejardhjes dhe vendit pritës?
Jeton Kryeziu: Gjatë mbledhjes së parë të Kryesisë, më 22 qershor 2012, Kuvendi ka vendosur të adoptojë një kalendar vjetor, i cili përmban mbledhjet e Kryesisë, mbledhjet e përbashkëta me Këshillin strategjik si dhe kuvendin e zakonshëm të Kryesisë në pranverë 2013. Ky kalendar do të bëhet së shpejti publik.
Ne i kemi ndarë objektivat : ndër ato afatshkurtra janë zgjedhjet në Sankt-Gallen dhe në Tiçino, takimet me delegatët regjionalë si dhe disa projekte të tjera; Sa u përket qëllimeve afatgjata, si për shembull, mundësia e futjes së gjuhës shqipe si lëndë zgjedhore në programin shkollor zviceran, një program informues që prindërit më mirë të mund t’i përcjellin dhe t’i ndihmojnë fëmijët e tyre në studimet e tyre si dhe në shkollim, ose luftën kundër diskriminimit, përmirësimit të imazhit të shqiptarëve, gjë që kërkon natyrisht më shumë mjete si dhe kohë.
Pa marrë parasysh se për cilat qëllime bëhet fjalë, ato i respektojnë të drejtat themelore dhe synojnë kushtet e jetës të shqiptarëve në Zvicër si dhe bashkëjetesën me popullatën lokale.
Së fundi, kjo buron vetvetiu, ngase shqiptarët në Zvicër kanë kërkesa sikurse këtu në Zvicër si dhe në vendin e tyre të prejardhjes. Kuvendi natyrisht mund të intervenojë dhe ai e bën atë rregullisht drejt përfaqësuesve të vendeve tona respektive për t’iu përgjigjur këtyre nevojave, sikurse është, për shembull, rasti i kartonit të gjelbër (sigurimet e veturave) ose me sigurimet shoqërore.
Albinfo.ch: A keni ndërmarrë hapa që nga zgjedhja e kryesisë së re të Kuvendit?
Jeton Kryeziu: Fillimi i këtij mandati ka qenë veçanërisht i ngarkuar dhe stimulues. Kuvendi ka qenë i kërkuar, gjë që dëshmon se njerëzit ndihen të mbështetur dhe të përfaqësuar nga ai.
Ne kemi qenë të alarmuar nga spektatorë që e kanë shikuar lojën Spanjë-Serbi, e cila u mbajt në Sankt-Gallen dhe gjatë së cilës flamuri shqiptar është djegur nga tifozët serbë. Pas mbledhjes të informacioneve serioze dhe konkrete, ne i kemi informuar qeveritë e vendeve tona respektive, mirëpo edhe i kemi denoncuar këto fakte pranë Ministrisë së Drejtësisë të Sankt-Gallenit. Jemi duke e ndjekur dosjen nga afër.
Disa ditë më vonë kemi qenë të paralajmëruar për një rast në qytetin Emmen, ku një klubi të futbollit, FC Dardanët, i është refuzuar autorizimi, kurse disa muaj më herët e kishin fituar atë. Në një afat kohor prej dy ditësh Kuvendi është marrë me këtë çështje në mënyrë profesionale dhe i ka përpiluar aktet juridike për t’u mundësuar udhëheqësve të klubit që ta marrin lejen. Procedura tani është në vijim.
Kuvendi iu është drejtuar po ashtu edhe Qeverisë së Kosovës për ta denoncuar vërejtjen në vend të taksës të ashtuquajtur «ekologjike», e cila, sipas nesh, nuk ka asnjë bazë, pra nuk ka asnjë arsye që të jetë, sepse ajo i penalizon esencialisht kosovarët nga diaspora.
Përpos mbledhjes së parë të së premtes së 22 qershorit 2012, ne po ashtu i kemi marrë masat në mënyrë që të ndërtohet shumë shpejt sajti internet i Kuvendit. Ky do të duhej të jetë funksional brenda dy javësh.
Së fundi, Kuvendi do ta lansojë shumë shpejt konkursin e hapur për të gjithë, me qëllim të adoptimit të logos së tij.
Albinfo.ch: A do të ndërmerrni kontakte zyrtare me aktorë të ndryshëm zviceranë si dhe të vendeve të prejadhjes të diasporës shqiptare në Zvicër?
Jeton Kryeziu: Që nga punimet përgatitore, sot, por edhe në të ardhmen Asambleja ka qenë gjithmonë dhe do të jetë e hapur ndaj të gjithë atyre që ndiejnë nevojën për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve të Zvicrës. Kjo do të thotë se delegatët regjionalë do të jenë të palodhshëm dhe në gjendje të shkojnë t’i takojnë personat e interesuar për këtë çështje, mendoj sikurse shoqatat shqiptare që punojnë në këtë drejtim me vite a me dekada, si dhe autoritetet kantonale dhe komunale. Duhet mirëkuptim pse një qasje e tillë nuk ishte e realizueshme gjatë vitit të parë të ekzistencës të Kuvendit, atëherë kur nuk kishte delegatë regjionalë.
Sa u përket autoriteteve zvicerane dhe të vendeve të prejardhjes, jemi rregullisht në kontakt prej ditës së lindjes së Kuvendit për shumë raste të ndryshme. P. sh. për rastet e kartonit të gjelbër, kemi pasur takime me ministrin e Diasporës dhe kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës zgjidhjen e këtij problemi, por njëkohësisht kemi propozuar ide konkrete dhe të realizueshme se si mund të zgjidhet ky problem. Gjithashtu kemi pasur kontakt me Ministrinë e Drejtësisë së Zvicrës në lidhje më rastin e ekstradimit të bashkatdhetarit tonë Shemsi Nuhiut. Dhe takime të tjera, që lidhen me interesin e komunitetit shqiptar në Zvicër…
Këta hapa veçse janë ndërmarrë dhe do të vazhdojnë të ndërmerren me autoritetet federale zvicerane si dhe me ato të vendeve të prejardhjes së shqiptarëve
Albinfo.ch: Doni diçka të shtoni për lexuesit e albinfo.ch?
Jeton Kryeziu: Do ta citoja John Fitzgerald Kennedy: «Kur është vështirë të avancohet, vetëm të vështirët avancojnë».
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës