Integrimi
Guxim, zell dhe shumë zemër
Lirija nuk e ka harruar atdheun e saj por ka zbuluar se atij mund t`ia bëjë një shërbim më të madh nëse do të jetë e suksesshme në Zvicër
Lirije Alija është një shembull konkret se si me një vullnet të madh, me ca guxim dhe me disiplinë të palodhshme, mund të pushtohet bota. Në moshën e njomë, 18 vjeçare, Lirija braktis vendlindjen, Tetovën dhe fillon në perëndim një rrëfim të pabesueshëm suksesi.
Qysh heret, sa ishte ende në Maqedoni, ishin parë prirjet e Lirijes dhe kështu ajo qe bërë nxënësja e parë të cilës i qe mundësuar kalimi nga klasa e shtatë e fillores në shkollën e mesme.
Kjo ishte atëbotë një boom i madh, kujton sot Lirija, që asokohe kishte qenë 13 vjeçare.
Edhe pse disa mësues kishin dilema dhe nuk mundeshin të merrnin me mend se kjo vajzë e re – e cila që atë kohë kishte fituar shumë gara matematikore të realizojë këtë kërcim dhe që të dëshmojë veten në shkollën e mesme – kjo nuk e dëshpëroi Lirijen dhe të gjithë skeptikëve ua dëshmoi të kundërtën.
Për të studiuar jashtë vendit ajo kishte ëndërruar shumë kohë më parë. Dhe kjo ëndërr iu realizua në moshën 18 vjeçare.
Studimet si studente e huaj i ka filluar në Zvicër, ku së pari ka kryer vitin përgatitor dhe provimet plotësuese për t`iu lejuar studimet në universitetet zvicerane. Gjatë atij viti, Lirija ka mësuar gjuhën gjermane dhe pas dhënies së provimeve ka filluar vitin e parë të studimeve të ekonomisë në Universitetin e Cyrihut.
Vitin e dytë e ka absolvuar në Gjermani, në Universitetin e Konstancës dhe të tretin në Univesritetin e Vjenës, në Austri ku ajo, me dy punime bachelor, ka diplomuar në shkencat ekonomike.
Por, edhe pas katër vitesh të kaluara në tri vende të ndryshme, etja e Lirijes për dituri nuk ishte shuar.
Lirija u regjistrua në Universitetin e Friburgut për një master në ekonomi. E entuziazmuar me suksesin e saj, Lirija e kap këtë shans dhe dëshmon se ajo mundet dhe dëshiron të bëjë edhe shumë më tepër. Kështu, ajo konkurron për një master të dytë në Finlandë. Është fjala për një drejtim elitar ku depërtojnë vetëm studentët me nota dhe cv të shkëlqyera.
Në Finlandë Lirija do të fillojë studimet nga shtatori , me një bursë të plotë zvicerane dhe atje do të specializojë më tutje.
Me studimet në Finlandë dhe me kursin e studimeve të filluar në Fribourg, Lirija është njëra nga gjithsej dy studentet të cilave po u mundësohet masteri i dyfishtë në “Public Economics and Public Finance”. Një sukses i pabesueshëm për të cilin kjo e re rrëfen me një modesti të pabesueshme.
Krahas punës së saj të palodhshme në studime, Lirija i ka kushtuar shumë kohë dhe përpjekje edhe projekteve jashtëshkollore. Janë13 projekte të ndryshme, në të cilët ajo, veç tjerash ka qenë edhe udhëheqëse dhe të cilat i ka prezantuar edhe në konferenca të mëdha.
Edhe pushimet verore në Maqedoni, Lirija i shfrytëzon për avancim të arsimimit të saj dhe kështu ka absolvuar një praktikum në Dhomën Ekonomike Gjermane në Maqedoni.
Në muajin gusht, Lirija me projektin e saj “Decentralizimi në Maqedoni” do të marrë pjesë në seminarin e organizuar nga DEZA, “Federalizmi, decentralizimi dhe zgjidhja e konflikteve”.
Të gjitha këto suksese kanë qenë të lidhura me shumë punë dhe kanë kërkuar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme të vullnetit.
Lirija më tregon për një rast i cili duket t`i ketë lënë mbresa dhe që na dëshmon ne të gjithëve se “Ajo që nuk na mbyt, na bën më të fortë”.
Në vitin e saj të parë në Universitetin e Cyrihut ajo kishte ndjekur një kurs të jashtëm, gjatë të cilit i kishte ndodhur diçka që atë e kishte sjellë deri në prag të dorëzimit. Lirija, e cila gjithmonë ka qenë nxënëse shembullore, nuk ishte mësuar që gjatë leksioneve të fshihej në rreshtat e fundit. Dhe, për shkakun se ajo kishte vetëm një vit që po mësonte gjermanishten, dukej e vështirë të bënte ndryshe. Kur ajo në këtë kurs kishte shtruar njhë pyetje dhe, për shkak të gjermanishtes së saj ende të mangët, kishte përpiluar gabimisht fjalinë, ishte përqeshur pa mëshirë nga kolegët.
Në atë rast ajo qe ndjerë aq keq saqë për pak nuk i kishin shpërthyer lotët dhe në atë moment ishte betuar se do ta braktiste kursin, t`i bartte plaçkat dhe kurrë më të mos kthehje në atë kurs.
Në pauzë ajo doli, eci njëherë rreth godinës shkollore dhe i tha vetes se nuk e kishte bërë gjithë atë rrugë dhe gjithë ato përpjekje që tash, për shkak të një momenti shumë të pakëndshëm, të dorëzohej. Mblodhi gjithë guximin, u kthye mbrapa dhe përfundoi kursin.
Një vit më vonë ajo “mori hakun” me suksesin e arritur. Kur u kumtuan rezultatet, iu afrua njëri nga ata kolegët që e kishin përqeshur dhe i kërkoi falje për rastin. Veç kësaj, ai e pyeti Lirijen nëse ajo mund ta ndihmonte atë, pasi që, për ndryshim nga Lirija, ai nuk e kishte kaluar provimin. Lirija, me krenari të madhe kishte pranuar dhe e kishte përjetuar me kënaqësi këtë moment, kujton ajo sot.
Kjo, krahas mallit për vendlindjen, vetminë dhe stresin gjatë gjithë këtyre viteve, ka qenë pikë kthese, thotë ajo sot, kthesë nga e cila ka mësuar shumë dhe që e ka forcuar jashtëzakonisht shumë për veprimet e saj.
Të ardhmen e saj, studentja e gllabëruar nga shkenca ekonomike e sheh si studiuese në lëmin e financave. Në Bankën Nacionale ose në Departamentin Federal të Financave.
Lirija nuk ka ardhur në Zvicër për të mbetur këtu, por, edhe pse është larg nga atdheu, ajo nuk mund ta paramendonte më një jetë jo dinamike për veten. Një dinamikë e tillë asaj do t`i mungonte në Maqedoni.
Lirija nuk e ka harruar atdheun e saj por ka zbuluar se atij mund t`ia bëjë një shërbim më të madh nëse do të jetë e suksesshme në Zvicër.
Lirije Alija, një shqiptare, e cila me suksesin e saj dëshmon se çfarë mund të arrijë një vajzë e re nga një fhsat iu vogël i Tetovës, me vullnet, disiplinë, zell dhe guxim, duke bërë të gjithë komunitetin që të krenohet me të.
.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës