Integrimi

Fokusi i shanseve apo i vështirësive?

„Është krejt njësoj a beson se mund të bësh diçka apo jo, në të dy rastet do të kesh të drejtë“. Henry Ford

Kjo thënie më bie ndërmend pothuajse çdo herë kur diskutoj me shokë dhe kolegë në mënyrë kundërthënëse për tema të ndryshme. Kjo e ka konsekuencën për mua që nuk investoj energji në ndërrimin e bindjeve të të tjerëve, ngase nëse ato janë të forta, çdo përpjekje është e kotë. Secili kërkon argumente dhe fakte për bindjet e tij dhe, natyrisht, secili edhe i gjen. Duke u nisur nga bindja për persona të caktuar, grupe shoqërore apo bindja se a do të funksionojë një projekt apo vizion. Nëse qëllimi im është që të kem “të drejtë“, do të kem gjithmonë.

Në debate të ndryshme te ne shqiptarët ndodh që kontributi i kategorive të ndryshme shoqërore për të mirën e përgjithshme të krahasohet me njëra- tjetrën. Kanë kontribuar më shumë vendësit apo të migruarit, politikanët apo intelektualët e pavarur, qytetarët apo fshatarët, brezi i parë apo i dytë, e kështu me radhë. E tërë kjo zakonisht ka për pasojë që një grup nënvlerësohet në favor të tjetrit. Interesant është se në shumë diskutime të kësaj natyre harrohet fakti se në krejt këto kategori secili prej nesh ka njerëz që i njeh dhe i do. Ose kemi një shok që vjen nga fshati, një vëlla apo dajë që ka migruar, prind që i takojnë brezit të parë apo fëmijë të brezit të dytë. Nënvlerësimi i cilitdo prej këyre njerëzve është nënvlerësim i vetes sonë.

Pa kontributin e mijëra e mijëra njerëzve të angazhuar të të gjitha shtresave, moshave, gjinive dhe regjioneve nuk do të ishim këtu ku jemi sot. Në të gjitha momentet e rëndësishme historike, përveç angazhimit të madh, ka pasur edhe njerëz që kanë abuzuar. Të tillë do të ketë tani, por edhe në të ardhmen. Mirëpo, këta njerëz do ta marrin gjithsesi vendin “e merituar“ në historinë e shqiptarëve. Pyetja është më tepër se a duhet të identifikohen këto ngjarje të mëdha me disa keqpërdorues apo në fokusin tonë në rend të parë duhet të jetë rezulatati i arritur.

Të tëra këto eksperienca në të kaluarën kanë bërë që një numër i njerëzve të jenë më skeptikë në organizimet aktuale. Mendoj se nuk duhet ta humbim guximin dhe besimin. Kur mendoj se ku kemi qenë para 20 vjetëve dhe ku jemi sot, më bën të krenohem me atë që kemi arritur. Natyrisht se kemi mundur të mbërrijmë edhe më tepër, por kjo nuk duhet të na dekurajojë, por përkundrazi, duhet të na bëjë të angazhohemi edhe më tepër. Nëse dikush mua më pyet se në krejt këto procese a kam ndonjë interes personal, përgjigjja është po, edhe shumë bile.

Një prej tyre është se në rast se fëmijëve tanë do t`u shkelen të drejtat e tyre, e do të ketë avokatë e këshilltarë të angazhuar që do t`u thonë, na jemi këtu për ju dhe ne do t`ju mbrojmë. Kjo më ngjall emocione pozitive dhe më bën të mburrem. Projektet aktuale si ky i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës janë nisma të cilat nuk mund të bëjnë mrekulli brenda një kohe të shkurtë. Hap pas hapi me angazhimin e shumë prej nesh duhet t`i forcojmë vazhdimisht. Kjo nuk do të thotë se nuk ka vend për kritikë. Kritikat konstruktive, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e të metave dhe dhënia e ideve konkrete janë të domosdoshme. Në anën tjetër, secilit prej nesh i ndodh që në një moment të caktuar t`i thotë apo t`i shkruajë disa fjalë më tepër se që ka dashur.

Edhe në këto raste duhet ta kemi zemrën e madhe dhe t`i tejkalojmë këto. Fokusi jonë duhet të jetë te shanset e mëdha që i kemi, e më pak te vështirësit. Vizionet e mëdha lindin në dimensione të vogla. Në kohën kur disa persona janë marrë me analizat e pamundësisë të fitimit të lirisë, të tjerët e kanë zhvilluar vizionin e rrugës së kombit, e cila sot po bëhet realitet. Që vizionet aktuale të organizimeve të avancuara të shqiptarëve të bëhen sa më shpejt realitet, duhet të angazhohemi shumë nga ne, të kemi besim dhe qasje optimiste. Në këtë udhëtim ka vend për të gjithë udhëtarët që e kanë të njëjtin destinacion. Kjo nuk do të thotë që të jenë të gjithë në një organizim të caktuar. Të jesh një prind i mirë, që i edukon fëmijët me plot dashuri dhe tolerancë, është po ashtu një punë me një vlerë shumë të madhe, jo vetëm për familjen, por edhe për tërë shoqërinë.

Kam pasur fatin që ta njoh një njeri që në sytë e mi ka qenë sinonim i integritetet dhe i një njeriu të lumtur, me shumë humor dhe solidar. Për mua ka qenë enigmë të zbuloj „receptin“ e suksesit të tij. Në pyetjen time përgjigjja e tij ishte se vështirësinë më të madhe në jetë e kishte pasur ta mund egon e vet. „Lufta më e gjatë e jetës sime“. Por kjo i kishte sjellë kapitalin dhe lirinë më të madhe. Prej atëherë kurrë nuk ishte brengosur se ku do të ulej në një aheng, sa herë do të citohej libri i tij, sa herë do të kritikohej apo kush do ta respektojë e kush jo. Kjo liri e brendshme ia kishte sjellë lumturinë më të madhe.

Një gjë të tillë do të dëshiroja ta bëjnë shumë persona që gjenden në pozita të rëndësishme shoqërore. Kjo do të kishte për rezultat që në shumë synime tona të ecnim me hapa shumë më të mëdhenj si komb. Po të analizohen disa ngërqe politike të viteve të fundit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e gjithandej, një pjesë e shpjegimit do të gjendet në egon e disa individëve. Po të pyesësh cilëndo prej palëve secila prej tyre ka “të drejtë“. Pyetja është vetëm se brezat që do të vijnë pas nesh a do të pyesin se kush ka pasur të drejtë apo se çfarë keni bërë konkretisht për mirëqenien tonë. Këtë pyetje mund t`ia shtrojë vetes secili prej nesh. Është qëllimi im të kem “të drejtë“, apo është qëllimi im që të jap një kontribut modest që udhëtimi ynë të jetë më komod, më i shpejtë dhe më i sigurt.

Tejkalimi i egos personale, njohja e kontributit të secilit prej nesh, gëzimi në suksesin e tjetrit, respekti dhe dashuria e vërtetë ndaj njëri-tjetrit vetëm na nderon dhe na ndihmon në realizimin e synimeve tona. Unë kam një besim të madh në suksesin tonë. Sa shpejt do të realizohet dhe çfarë dimensionesh do të ketë suksesi ynë që është në duart tona.

Hamit Zeqiri është President i Zyrave Kantonale të integrimit KoFI. Udhëheqës i Zyrës Kantonale të integrimit të Kantonit të Schwyz-it komin si dhe ligjërues në disa shkolla të larta dhe institute në Zvicër.