Integrimi

“Të kemi vetëbesim”

Replikë për shkrimin „Jolegjitimiteti i një Kuvendi“

„Unë nuk e ndaj mendimin me ju por do të luftoj deri në frymën time të fundit që ju të mund ta shprehni lirisht mendimin tuaj”. Këtë thënie të Volterit e përfaqësoj edhe në raport me artikullin “Jolegjitimiteti i një Kuvendi”.

Për fat, në Zvicër shprehja e lirë e mendimit është e lejuar dhe e mbrojtur, kështu që nuk kam nevojë të luftoj për të. Demokracia jeton nga pikëpamjet e ndryshme, mendimet dhe idetë. Është prandaj e drejtë e z. Rashiti që të na e shprehë mendimin e tij. Ne jemi të lirë në atë se si duam ta pranojmë, interpretojmë dhe ta kuptojmë atë mendim.

Artikulli ka nxitur shumë reagime. Komentet tregojnë se emocionet janë duke vluar dhe se njerëz të ndryshëm ndjejnë nevojën që të shprehin mbështetjen ose pakënaqësinëe tyre. Pavarërsisht kontradiktave, artikulli qet në pah një gjë: se ka nevojë për më shumë debate dhe këmbim mendimesh për tema të ndryshme.

Unë e pranoj se nuk e ndaj mendimin me z. Rashiti. Këtë e bëj në emrin tim dhe me këtë artikull përfaqësoj vetëm personin tim.

Gjëja e parë që unë e shoh të pavend në artikullin e tij është se z. Rashiti flet rreth asaj se Kuvendi nuk është legjitim për të përfaqësuar shqiptarët, ndërkohë që ai, në artikullin e tij e bën pikërisht të njëjtën gjë. Ai, në përmbyllje thotë: “Si të tilla nuk përfaqësojnë vullnetin e shumicës së komunitetit shqiptar (…)”. Nga e merr autori të drejtën që të flasë në emrin e shumicës? Veç kësaj, ai nuk e sqaron, se në cilin funksion (cilësi) flet z. Rashiti.

Artikulli është një sulm i pastër ndërsa analiza mungon tërësisht. Në rast se autori këtë e ka shkruar në cilësinë e gazetarit, ai në tekstin e tij bën gafe të rënda gazetareske duke bërë, njërin pas tjetrit, deklarime të tilla si “veprimet skandaloze” ose “një propagandë e tillë”, të cilat nuk i mbështet me fakte. Ai në tekstin e tij përmend, për shembull, pesë herë “ambiciet personale”, por në asnjë vend nuk e thotë se si e ka zbuluar ai këtë akuzë dhe në bazë të cilave zhvillime e shpërfaq atë.

Për sa i takon konkretisht kësaj akuze, unë besoj se e di, e njoh thelbin e keqkuptimit.

Në Zvicër ekziston një kulturë e pasur e punës në shoqata, ku njerëzit kryejnë shumë punë vullnetare dhe angazhohen për shoqërinë. Vlerësohet se brenda vitit në Zvicër kryhen rreth 700 milionë orë pune vullnetare (statistika e BfS për vitin 2008).

Unë vetë angazhohem në shoqata të ndryshme si vullnetare. Ka njerëz që nuk e kuptojnë këtë dhe dyshojnë se mos mbrapa angazhimit vullnetar fshihet qëllimi për pasurim personal. Për sa i takon angazhimit tim në Kuvend, interesi më i madh imi është që ne, shqiptarë-et në Zvicër të organizohemi dhe t`i perceptojmë të drejtat tona. Unë me koleget dhe kolegët e mi të grupit përgatitor dhe të kryesisë së sotme, që nga lancimi i idesë, më 5 nëntor 2009 e deri më sot jemi takuar shumë herë në Bernë (unë jetoj në Lucern) dhe kemi realizuar shumë punë përgatitore. Takimet janë protokoluar dhe protokolet janë të disponueshme. Se ku na qenka ai interesi personal i aluduar në mes rreshtave, për mua mbetet mister. Ne nuk na janë mbuluar shpenzimet ndërsa qiratë e sallave për takimet regjionale i kemi paguar vetë. Kjo punë vullnetare duhet bërë, për të mundur që diçka dhe diku të fillohet.

Kritika kryesore që autori ia drejton Kuvendit, është se Kuvendi nuk është legjitim për të përfaqësuar shqiptarët. Por, një shoqatë, në radhë të parë përfaqëson vetëm interesat e anëtarëve, që do të thotë se Kuvendi përfaqëson anëtarët e tij. Si një anëtare e zgjedhur parlamenti (deputete në Parlamnentin kantonal të Lucernit, v.j.) për mua që nga fillimi, kërkesa kryesore ka qenë që shumë veta të marrin pjesë aktive në këtë shoqatë. Por për këtë edhe është dashur kohë, deri sa u bë themelimi. Gjatë gjithë punës së ndërtimit, ngritjes (së Kuvendit) participimi, pjesëmarrja nënkupton pasjen e një besimi të madh sepse vetëm në atë mënyrë krijohet një bazë e mirë. Kuvendi është i hapur për të gjithë që ishin të interesuar për një gjë të tillë. Disa njerëzve, për të ardhur, u duhen ftesa speciale. Por, kryesia shpeshherë e ka pasur të pamundur të dërgonte ftesa personale. Buxheti ynë ka qenë i barabartë me zero, pra ne kemi bërë maksimumin e mundshëm për të informuar përmes kanaleve të ndryshme.

Është e qartë: Kuvendi nuk është i përkryer dhe ka shumë potencial përmirësimi. Kritika konstruktive është e mirëseardhur dhe e dëshiruar. Vetëm kështu kuvendi mund të zhvillohet më tutje dhe të arrijë atë që e ka si synim: pra, që ne t`i perceptojmë më mirë të drejtat tona dhe ta çojmë shoqërinë tonë më tutje.

Le të mos e pengojmë njëri-tjetrin por gjithnjë të pyesim në radhë të parë veten tonë, çfarë mundemi të kontribuojmë ne vetë, para se të shpenzojmë energji për të rrënuar diçka. Në atë mënyrë ne vetëm sa i çojmë dëm resurset e rëndësishme dhe i demotivojmë njerëzit e angazhuar. Le t`i përkushtohemi më mirë strategjisë për të investuar në të ardhmen dhe për të rritur besimin e vetëbesimin se mund të kemi sukses!

Ylfete Fanaj, këshilltare (deputete) kantonale e Lucernit, e ngarkuar për integrim e Kantonit Nidwalden, studente e shkencave juridike në Lucern, është aktive në shumë shoqata. Ajo ka qenë anëtare e grupit përgatitor të “Kuvendit” dhe është, që nga themelimi, anëtare e Këshillit Strategjik. Këtu ajo shpreh mendimin e saj të lirë.