Shqipëria

Euro në nivelin më të ulët në dekadën e fundit

Ky është niveli më i ulët që nga gushti i vitit 2009, kur monedha e përbashkët këmbehej me 131 lekë

Euro vazhdon të bie në Shqipëri, duke zbritur në nivelin më të ulët të dekadës.

Sipas kursit zyrtar të këmbimi të Bankës së Shqipërisë, një euro është këmbyer me 131.93 lekë, duke zbritur nën nivelin e 27 qershorit të vitit të kaluar, kur ajo u këmbye me 131.98 lekë.

Ky është niveli më i ulët që nga gushti i vitit 2009, kur monedha e përbashkët këmbehej me 131 lekë. Më pas, euro u ngjit në kuotat e 138 lekëve vitin e ardhshëm, si rrjedhojë e kërkesës së lartë të kompanive celulare për valutë të cilat fitonin deri në 150 milionë euro në vit.

Në periudhën 2011-2015, euro u stabilizua në kuotën e 140 lekëve, pavarësisht luhatjeve të saj në bursat ndërkombëtare, që amortizoheshin nga dollari. Për shembull, në mars 2015, kur euro ra në bursa në nivelet e 1.06 dollarë, në tregun e brendshëm euro këmbehej me 140 lekë, ndërsa dollari u ngjit në kuotën e 130 lekëve, raporton ‘Monitor’.

Sot, euro në bursa është pranë nivelit më të lartë në tre vjet dhe këmbehet me 1.23 dollarë, ndërsa në Shqipëri, euro ka zbritur poshtë 132 lekëve, ndërsa dollari është në kuotat e 107.3 lekëve, përcjell albinfo.ch.

Në periudhën e verës dhe deri në fund të vitit euro u stabilizua në nivelin e 133-134 lekë, për të shënuar sërish rënie me fillimin e këtij viti. Tre javët e fundit, me përjashtim të një dite, euro ka qenë në trend rënës, për të arritur në ditën e sotme kur u vendos një rekord i ri i 10 viteve të fundit.