Sport

Kameraj ndihmon BV Cloppenburg, për të kaluar në bundesligë

Afërdita Kameraj ndodhet në shënjestër të një klubi të bundesligës së dytë, BV Cloppenburg me ambicie serioze për ligën e parë

Futbollistja kosovare Afërdita Kameraj luan me sukses në bundesligën e parë gjermane të futbollit të femrave. Aktualisht ajo është lojtare e Hamburgut ndërsa ka luajtur edhe për përfaqësuesen gjermane të futbollit.

Por këto ditë Afërdita ndodhet në shënjestër të një klubi të bundesligës së dytë, BV Cloppenburg. Siç shkruajnë mediet gjermane ajo sipas të gjitha gjasave do të bëhet pjesë e kësaj skuadre.

A tregon kjo një trend rënieje në karrierën e Kamerajt, e cila tashmë ka mbushur 28 vjet? Jo, thonë mediet. Për shërbimet e saj janë interesuar edhe mjaft klube të ligës së parë. Por BV Cloppenburg i ka vënë vetes si synim që në sezonin që vjen të luftojë për të kaluar me çdo kusht në bundesligën e parë.

Për këtë qëllim ai ka zgjedhur dy nga futbollistet më të mira të Gjermanisë, Afërdita Kameraj dhe Nathalie Bock. Ato ndodhen në prag të nënshkrimit të marrëveshjes me BV Cloppenburgun.

Me dy top lojtaret e reja kjo skuadër, së paku në sektorin  e mesfushorëve do të ketë formatin e bundesligës, vlerësojnë mediet gjermane.