Ekonomi

Paratë ‘cash’ drejt zhdukjes në Suedi

Megjithatë, shpejtësia me të cilën po zhduket paraja fizike ka nisur të shqetësojë autoritetet

Suedia konsiderohet si shoqëria që përdor më pak paranë ‘cash’ në planet. Tabelat që shkruajnë “nuk pranohen paratë cash” po bëhen një pamje gjithmonë e më e zakonshme nëpër dyqanet dhe restorantet në Suedi, teksa të gjitha pagesat po shkojnë drejt digjitales dhe telefonit.

Megjithatë, shpejtësia me të cilën po zhduket paraja fizike ka nisur të shqetësojë autoritetet.

Shumica e degëve të bankave në Suedi kanë ndaluar së pranuari monedhat fizike; shumë dyqane, muze dhe restorante tashmë pranojnë vetëm pagesat plastike apo me telefon, përcjell albinfo.ch.

Por, kjo ka një tjetër anë negative, që prek veçanërisht të moshuarit, të cilët nuk kanë akses në shoqërinë digjitale.

Vitin e kaluar, shuma e parasë në qarkullim ra në nivelin më të ulët që prej vitit 1990.

Një studim i përvitshëm i publikuar në janar tregoi se vetëm 25% e suedezëve përdorin para për të blerë të paktën një herë në javë, ndërsa në vitin 2013 ishin 63%.

Studimi zbuloi gjithashtu se plot 36% e njerëzve nuk përdorin kurrë para, ose paguajnë me to vetëm një ose dy herë në vit.

Si përgjigje, banka qendrore po vlerëson mundësinë e nxjerrjes së një forme zyrtare të valutës digjitale, një e-krona. Ideja është që e-krona të funksionojë si një shtesë e parasë fizike dhe jo ta zëvendësojë atë plotësisht.