CH-Ballkani
Një program artistik model për 17 Shkurtin në Cyrih
Programi artistik që u pa në skenën e këtij aktiviteti, mund të shërbejë si model për manifestimet tona në diasporë. Pothuaj të gjitha pikat e programit kanë funksionuar shumë mirë dhe pa rënie niveli
Përvjetori i dhjetë i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në Cyrih u shënua me një aktivitet të përbashkët, të organizuar mbrëmjen e 17 Shkurtit nga Konsullata e Kosovës dhe Qendra Kulturore e Kosovës, të dyja me seli në Cyrih. Në këtë mbrëmje morën pjesë përfaqësues nga institucionet e Kosovës, si ambasadorja kosovare në Bernë, Nazane Breca, Shefqete Gosalci dhe Shyhrete Kastrati nga Ministria e Diasporës, konsulli i Kosovës në Bernë, Sali Sefa etj.
Ndërsa nga politika zvicerane këtu ishte një përfaqësues prominent: Alfred Heer, kryetar i delegacionit të Zvicrës në Këshillin Evropian. Në fjalën e tij politikani Heer ka uruar Kosovën për dhjetëvjetorin e saj, duke e krahasuar moshën e republikës së re me atë të një fëmije dhjetëvjeçar, i cili, siç e ka thënë ai në mënyrë simbolike “ka lindur përmes dhembjeve”.
Heer ka shprehur besimin se Zvicra do të vazhdojë me mbështetjen për shtetin e ri të Kosovës. Ai ka premtuar edhe ndihmën e tij në cilësinë e shefit të delegacionit zviceran në KE, “në mënyrë që Kosova të bëhet një anëtar i barabartë i bashkësisë së shteteve”. Por, ndihmat për Kosovën, ka shtuar ai, duhet të orientohen në sigurimin e perspektivës për njerëzit atje, që Kosova të prosperojë dhe që të rinjtë të mos detyrohen të braktisin vendin për të kërkuar punë jashtë. Heer ka theksuar po ashtu rolin pozitiv që kosovarët të cilët jetojnë dhe punojnë në të gjitha fushat në Zvicër kanë në marrëdhëniet në mes të dy shteteve.
Udhëheqësi i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, Islam Spahiu në cilësinë e mikpritësit, veç tjerash ka thënë se “Kosova si shtet i pavarur u lind si pjesë e ëndrrës së madhe historike për liri kombëtare, që nga koha e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe deri me intervenimin e NATO-së, kur edhe për herë të parë pavarësia e Kosovës e gjeti mbështetjen e aleancës evro-amerikane, duke hapur kështu një epokë të re në rrugën drejt emancipimit dhe evropianizimit”. Ai në fjalën e tij ka vlerësuar lart rolin e rezistencës paqësore të udhëhequr nga Ibrahim Rugova dhe asaj luftarake, nga Adem Jashari dhe pjesëtarët tjerë të UÇK-së.
Ambasadorja Breca në fjalën e saj ka përkujtuar të arriturat e Kosovës gjatë këtyre dhjetë viteve të pavarësisë, duke vënë theksin në synimet e shtetit të ri për tu anëtarësuar në sa më shumë organizata ndërkombëtare dhe për të siguruar më shumë njohje.
Profesori zviceran që nxit shqiptarët t`ua mësojnë fëmijëve shqipen
Një prezantim interesant ka qenë ai i albanologut dhe pedagogut të shquar zviceran Dr. Basil Schader, të cilit Konsullata e Kosovës në Cyrih i ka ndarë një mirënjohje speciale. Arsyetimin për ndarjen e mirënjohjes e ka prezantuar kryetari i LAPSH të Zvicrës, Nexhat Maloku. Ndërsa ka qenë mjaft mbresëlënëse fjala e profesorit Schader. Ai, në një shqipe të përsosur, ka uruar Kosovën për ditën e pavarësisë dhe ka folur për nevojën e domosdoshme që prindërit shqiptarë t`i regjistrojnë fëmijët e tyre në mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër. Dr. Schader njihet për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në përpilimin e librave të ndryshëm shkollorë e didaktikë, të cilët kanë gjetur përdorim të gjerë në shkollat shqipe të diasporës në gjithë botën. Ai po ashtu ka dërguar ndihma nga Zvicra për ndërtimin dhe rinovimin e shkollave në disa rajone të varfra të Shqipërisë.
Fjalë përshëndetjeje kanë mbajtur edhe ish drejtoresha e Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, Shukrije Ramadani (në emrin e familjeve të dëshmorëve) dhe drejtori aktual, Ridvan Murati.
Programi artistik që dallon nga ajo që kemi parë deri tash
Programi artistik që u pa në skenën e këtij aktiviteti, mund të shërbejë si model për manifestimet tona në diasporë. Pothuaj të gjitha pikat e programit kanë funksionuar shumë mirë dhe pa rënie niveli. Më shumë se kaq, në këtë program pamë kreativitet që kalonte caqet e veprimtarisë amatore, që zakonisht karakterizon programet artistike në diasporë.
Ky program i përzgjedhur me shije nga kreu i QKK, Ridvan Murati, duke marrë pothuajse vetëm vlera të verifikuara nga krijimtaria kulturore e shqiptarëve të Zvicrës, është pëlqyer shumë, nga nje publik me shije dhe i madh në numër. Sigurisht, prania e Elia Dunit, si “qershiza mbi tortë”, në përmbyllje, i ka dhënë vulën artistike programit. Duni, një artiste komplete në gjithë paraqitjen e saj, ka dëshmuar se është në gjendje të pushtojë hapësira të reja artstike, duke mos lejuar të bjerë në përsëritje. Njësoj virtuoz ka qenë edhe shoqëruesi i saj me kitarë, Rob Luft, i cili ka përçuar me përpikmëri emocionet e këngës shqiptare, të kënduar nga Elina Duni.
Këngëtarja Fatjeta Barbullushi e shoqëruar nga maestro Gjon Guralumi, si gjithmonë magjepsës me fizarmonikën e tij, i ka dhuruar publikut një numër këngësh perla të traditës shqiptare, të interpretuara me shije.
Lirona, Eliza, “Lyra”, “Aktrimi”…
Ndërsa një zbulim i kësaj mbrëmjeje ka qenë këngëtarja e re Lirona Sadriu. Ajo, me interpretimin e saj shumë karakteristik, ka impresionuar publikun me dy këngët me kërkesa të larta artistike që i kishte zgjedhur, të cilat i ka kënduar dhe shoqëruar vetë me kitarë. Skena, jo vetëm ajo shqiptare, mirëpret talente të tilla si Lironën.
Ndonëse e vogël në moshë Eliza Pintolli, e ka dëshmuar tashmë disa herë virtuozitetin e saj në lojën me violinë. E tillë ajo ishte edhe në mbrëmjen e 17 shkurtit në Cyrih: e shkëlqyer.
Edhe pse ka një përvojë të gjatë në skenë si moderator dhe aktor, Ramadan Morina nuk bie në rutinë. Ai edhe në këtë mbrëmje ka treguar aftësinë për të dalë përtej skemave të moderimit të ngurtë, standard dhe për të mbajtur të gjallë vëmendjen e publikut. Dani ka pasur në këtë mbrëmje edhe ndihmën e çmuar të moderatores së re, Fortesa Mustafa. Dy skeçet e prezantuara nga grupi “Aktrimi” kanë qenë po ashtu dëshmi të një pune me përkushtim dhe talent nga të gjithë aktorët, të prirë nga Ramadan Morina.
Kori i grave shqiptare “Lyra”, me këngët e prezantuara në këtë mbrëmje ka treguar se ndodhet në fazën e ngritjes dhe të stabilizimit duke dëshmuar përkushtim në interpretimin e këngëve nga tradita shqiptare. Po ashtu një performancë të pëlqyer e ka dhënë edhe aktorja Doruntina Elezi me recitimin e një poezie.
E-Diaspora
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë se deri më tani...
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
Jeta në Zvicër
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent Ndërsa moti i ftohtë pritet të arrijë në ditët në vijim, Qyteti i Gjenevës do të...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Cilat destinacione do të kushtojnë më shumë nga Zvicra