Integrimi
Egzona, shqiptarja që korrigjon mësuesen e gjermanishtes
“Jam vetëm Egzona, që ka privilegjin të flasë dy gjuhë dhe të jetojë në dy kultura. Nga të dyja, dua të marr atë që më duket më e mirë”
Ajo jeton në dy kultura, flet dy gjuhë, ka dy atdhe: Egzona Hyseni, 18 vjeçe, është shqiptare e Kosovës, në Gjermani. Ajo ndjek gjimnazin, është më e mira në klasë për lëndën e gjermanishtes, i duhet që vazhdimisht ta deshifrojë emrin e saj dhe t`i përgjigjet pyetjes: Prej nga vjen? Kjo e nervozon atë! Shumë!
Në vazhdim, shkruan Egzona.
Unë jam e lindur në Bavari dhe jam rritur në Baden Würtemberg. Me Käsespätzle, sallatë barishtesh dhe me një pyetje që më ndjek qysh se kam mësuar të flas: “Prej nga vjen?”
Kjo pyetje çon krye, për shembull, në drogeri, te arka: pasi kam paguar faturën, duhet të nënshkruaj në bon.
“Prej nga jeni?” pyet gruaja nga arka.
“Nga Nürtingeni”, i them unë.
“Po mendoj, prej nga me të vërtetë?”
“Jam e lindur në Bavari”.
“Jo, unë po mendoj, emri yt nuk është gjerman, ju nuk dukeni si gjermane, prej nga vini ju saktësisht?”
“Nga Nürtingeni!” i them unë, sfiduese dhe e zemëruar.
“E prindërit Tuaj?”
“Nga Kosova”.
Por ju ama e flisni gjermanishten vërtet pa theks të huaj”.
Për pak sa nuk i them: “E pra, edhe ju po ditkit të ecni mirë”.
Në fakt, në biseda të tilla unë them shpesh: “Më pëlqen që më pyetni kaq drejtpërdrejtë”. Por në të vërtetë mendoj: A dukem vërtet kaq e huaj? Dhe nëse po, çfarë ju hyn në punë kjo juve” Së brendshmi unë reagoj nganjëherë me ironi, e nganjëherë me qesendi duke thënë se unë jam një atraksion. E në fakt unë dua vetëm të paguaj dhe të shkoj.
Më e mira në gjermanisht, pa qenë gjermane
Kjo është një sekuencë e vogël nga jeta ime si e huaj. Ose, ashtu si thuhet me korrektësi politike: Gjermane me sfond migrimi? Por, nuk dua të më identifikojnë si gjermano-shqiptare. Unë dua të jem vetëm Egzona, e cila gëzon privilegjin të flasë dy gjuhë dhe të jetojë në dy kultura. Nga dy kulturat unë dua të marr atë që më duket e mirë.
Unë nuk kam pasaportë gjermane por e kam pasaportën kosovare dhe lejen e qëndrimit të pakufizuar në Gjermani, një status që për shumë njerëz është diçka misterioze. Por unë e kam shumë në qejf pasaportën time kosovare, para së gjithash për faktin se ajo ekziston vetëm nga fillimi i vitit 2008 dhe për të kanë luftuar shumë njerëz, për shumë vite.
Shumë nuk më besojnë kur u them se të dy prindërit e mi janë shqiptarë, që kanë ardhur në Gjermani në vitin 1993. Për ta, është e pamundur të jem më e mira në gjermanishte, pa qenë gjermane. Të jem normale, përkundër faktit se rrjedh nga një kulturë tjetër. E unë jam një kundërargument i fuqishëm për gjithë këtë. Pasi unë zotëroj pjesë të kulturës së njëjtë sikur bashkënxënësit e mi – por edhe një pjesë tjetër, krahas asaj.
E huaj në Gjermani dhe përmirëson mësuesen e gjermanishtes
Në klasën e tretë thërret mësuesi i klasës në shtëpinë tonë. I entuziazmuar, rrëfen për punimin tim të gjermanishtes, ai rrallë ndonjëherë kishte lexuar diç kaq të mirë. “Është grandioze që si e huaj të arrish diç të tillë!”.
Kur nëna më tregonte për këtë, unë isha e lumtur pasi që ajo ishte e lumtur.
Pas klasës së katërt unë isha e vetmja që kalova në gjimnaz. Mësuesi im ishte entuziazmuar: “Ta arrish këtë si e huaj… do të bëhesh shumë e madhe!”. Diskriminimin pozitiv nuk e njihja akoma. Gëzohesha vetëm nga lavdërata.
Në klasën e nëntë, duhej të shkruanim diçka në dërrasën e zezë. Mua ma merrte mendja se fjala “bizarr” ishte e shkruar gabimisht dhe e pyeta mësuesen: “A nuk shkruhet fjala bizarr vetëm me një z?”. “Jo, nëse nuk më beson, shiko në fjalor”, mu përgjigj mësuesja. Unë e shikova dhe pashë se kisha pasur të drejtë.
Pas mbarimit të orës, mësuesja donte të fliste me mua. Ajo qeshte: “Që ti si e huaj të njohësh drejtshkrimin më mirë se mësuesja jote e gjermanishtes, është diçka vërtetë e mahnitshme”. Intimisht qesh ndjerë mirë që mësuesja ime qe zemëruar për faktin se unë e kisha korrigjuar.
Në Kosovë bëhem më gjermane se në Gjermani
Pas shkollës i them “Tschüs” shoqes sime dhe “Mirëdita babi, a u lodhe?” (kjo është shkruar shqip në “Der Spiegel”, pa përkthim gjermanisht. v.j.) babait, kur hy në makinë me të. Në shtëpi ka speca të mbushur, sipas traditës shqiptare. Pastaj i mbaroj detyrat e shtëpisë. Për lëndën e artit duhet të vizatoj diçka nga pushimet tona. Pasi që ne për çdo verë shkojmë në Kosovë për pushime, i vizatoj vendet nëpër të cilat kalojmë. Së pari Gjermaninë, pastaj Austrinë, Slloveninë, Kroacinë, Malin e Zi dhe Shqipërinë.
Në Kosovë përpiqem që një vit mungesë ta kompensoj me disa javë intensive qëndrimi. Tezet e mia, dajët, kushërinjtë më puthin në faqe për mirëseardhje dhe më pyesin mua, si fëmijë emigrantësh: “Ku të pëlqen më shumë?” Unë skuqem, nuk dua të lëndoj askënd dhe them: “Natyrisht në Kosovë, këtu ku jeni ju të gjithë”. “Por në Gjermani është shumë më mirë”, thotë ndonjëri prej tyre. Puna është më e mirë, qytetet më të pastra, sipas tij. Shpesh edhe më lavdërojnë: “Sa bukur e flet shqipen!”
Kur ndodhem në Kosovë, jam më gjermane se në Gjermani. Por natyrisht, është më mirë të konsiderohesh në Kosovë si gjermane se në Gjermani si e huaj.
Rrugës së kthimit për në Gjermani takohen shumë shqiptarë bashkë, në mesin tonë krijohet një ndjenjë përbashkësie. Diçka që në Gjermani nuk e kam pasur kurrë dhe as nuk e kam ende, deri tash – përveç në botën e futbollit dhe tash në Kampionatin Evropian, në të cilin unë bëj tifo për Gjermaninë.
Kur mësuesit na pyesin për pushimet tona verore, jam unë ajo e dy atdheve. Kjo më bën më të pasur dhe më të fortë por edhe më merr energji. Gjatë disa ditëve ndjehem më shumë shqiptare, pasi më mungon lehtësia dhe shakaja që në Kosovë më shoqëron çdo ditë. Prandaj, dëgjoj më me kënaqësi hite shqiptare se sa gjermane ose angleze, prandaj ndjej mungesën e familjarëve. Kur bisedoj me prindërit, flas nganjëherë për “gjermanët” dhe “ne, shqiptarët”. Shokëve dhe shoqeve u them: “Ne, në Gjermani”.
Në fakt jam e lumtur të jem shqiptare dhe të jetoj në Gjermani. Unë kam dy kultura dhe një bonus prej të huaji – edhepse ai (bonusi) nganjëherë di të jetë edhe Malus! Kur sjell rezultate të mira, më lavdërojnë dyfish, ndërsa për rezultatet e këqija turpërohem po ashtu dyfish më shumë. E kam vështirë gjatë konkurrimeve, por prandaj mobilizoj veten shumë më tepër. Ambicia rritet vazhdumisht në mua.
Në vitin e maturës udhëtojmë për në Madrid. Në Chek-In e tregoj pasaportën time kosovare, në dorë mbaj disa dokumente. Spanja nuk e ka njohur Kosovën, por megjithëkëtë, në Konsullatën Spanjolle më thanë se me një dëshmi të autorizuar pjesëmarrjeje në udhëtim studiues, nuk do të kisha asnjë problem për të hyrë në Spanjë.
Në sportel më ndan anash një grua. “Ju jeni shqiptare e Kosovës dhe nuk lejoheni të udhëtoni për në Spanjë”, më thotë ajo. “Por në konsullatë më thanë se për udhëtimet shkollore bëhen përjashtime?” e pyes unë. “Nëse unë ju lejoj të hyni, ka mundësi që pastaj nuk do të ju lejojnë të dilni (nga Spanja)”. Unë zemërohem që fare kam vendosur të merrja pjesë në këtë udhëtim. Nëse nuk më lejojnë të hy, unë as që dua të hyj atje. Pas nja gjysmë ore gruaja e sportelit dorëzohet.
Pasi që kisha hipur në aeroplan, shokët e shkollës bëjnë shaka me mua. “Egzona, hap qilimin tënd të lutjeve dhe fillo të lutesh, ti, terroristja e vogël”. Unë qesh e tensionuar. Edhe njëherë rashë në sy pa dëshirën time.
Pak fjalë për autoren
Magazina numër një e Gjermanisë “Der Spiegel” shpërblen për çdo vit hartimin me shkrim të nxënësve në nivel vendi. Vitin e kaluar Egzona Hyseni, sot 18 vjeçe, ka fituar vendin e dytë. Sivjet Egzona ka mbaruar maturën në Nürtingen dhe atje është angazhuar si kryeredaktore e gazetës shkollore “Spongo”. Në tetor ajo dëshiron të fillojë studimet, preferon shkencat mediale dhe sociologjinë.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës