Opinione
Kosova 10 vjet shtet- rëndësia historike e shpalljes së pavarësisë dhe sfidat e së ardhmes
Nuk duhet harruar mërgata jonë gjithandej globit, të cilët u dërgonin të mira materiale familjeve të tyre në Kosovë si gurra e apleve shqiptare që nuk shterron kurrë, duke i mbajtur gjallë të afërmit e tyre, duke e përjetuar dhe ndarë çdo moment të përcjellur herë me lotë gëzimi e shumë herë me lotë dhimbjeje e trishtimit.
17 Shkurti i vitit 2008 shënon një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës dhe përmbyll sakrificën e popullit shqiptar të Kosovës për liri e pavarësi.$
Kjo datë rrjedhë si kontribut i gjeneratave të tëra, të cilat kërkesë të vetme e kishin pavarësinë e Kosovës dhe çlirimin e saj prej Serbisë. Këtu, nuk duhet harruar simbolet e rezistencës kombëtare dhe kontributin e heronjve, si: Isa Boletinit, Hasan Prishtinës, Azem Bejtës e Shotë Galicës, Shaban Polluzhës, Ahmet Delisë, Afrim Zhitisë e Nuhi Berishës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës, Luan Haradinajt, Adrian Krasniqit, Edmond Hoxhës, Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut, Xhevë e Fehmi Lladrovcit, komandantit Adem Jashari e familjes së tij dhe mijëra heronjve dhe dëshmorëve të tjerë. Nuk duhet harruar gjakun e baballarëve, nënave, vëllezërve dhe motrave që u vranë, masakruan dhe terrorizuan nga ushtria dhe policia serbe në masakrën e Izbicës, Rezallës, Reçakut, Lybeniqit, Qyshkut, Studimes, Pastaselit, Krushës së Madhe, Burgun e Dubravës, dhe mijëra martirëve të tjerë.
Nuk duhet harruar eshtrat e pleqve, grave, të rinjve dhe fëmijëve të zhdukur të Mejës, Krushës, Lybeniqit, Gjakovës, Pejës, Mitrovicës, Fushë Kosovës, Klinës, Dubravës, e mijëra të zhdukurve të tjerë, ku fati edhe i mbi 1600 personave akoma nuk dihet. Nuk duhet harruar gjymtyrët, plagët dhe kontributi i mijëra invalidëve dhe ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa të cilën luftë çlirimtare Kosova nuk do të kishte liri dhe pavarësi. Nuk duhet harruar vuajtjet e dënimeve në burgjet jugosllave të patriotëve shqiptarë, të rinisë së Kosovës dhe lëvizjeve të brezit të 1968, 1981 dhe 1997, të cilët rezistonin me ide të flakta për flamur, pavarësi dhe liri. Nuk duhet harruar rezistencën paqësore të viteve të ’90-ta dhe aktivitetin e lëvizjeve politike shqiptare në Kosovë. Nuk duhet harruar mërgata jonë gjithandej globit, të cilët u dërgonin të mira materiale familjeve të tyre në Kosovë si gurra e apleve shqiptare që nuk shterron kurrë, duke i mbajtur gjallë të afërmit e tyre, duke e përjetuar dhe ndarë çdo moment të përcjellur herë me lotë gëzimi e shumë herë me lotë dhimbjeje e trishtimit. Nuk duhet harruar roli dhe kontributi i mësuesve, sidomos gjatë viteve të ’90-ta, të cilët nën masa të dhunshme mbanin gjallë pa asnjë qindarkë mësimin shqip në shtëpi shkolla, duke edukuar gjenerata të tëra në kushte mizore.
Nuk duhet harruar kontributi dhe ndihma e mjekëve të cilët në forma dhe organizime të ndryshme, kush vetanake, e kush në kuadër të shoqatës “Nëna Terezë”, apo ndonjë shoqate tjetër, kujdeseshin për shëndetin e shtatzënave, foshnjave, fëmijëve, grave, pleqve dhe të sëmurëve, pa asnjë pagesë, pa mjete pune dhe pa shumë medikamente esenciale, në kushte dhune, lufte dhe aparteidi. Nuk duhet harruar marshet dhe aksionet humanitare, si marshi i grave me bukë në dorë nga Prishtina për në Drenicë me thirrjen “Bukë për Drenicën”, kjo me të vetmen arsye: sakrifikim me ta dhe ndarjen e bukës së gojës për njëri-tjetrin. Pra, nënat shqiptare janë sakrifikueset më të mëdha, janë heroinat tona. Prandaj, duke mos harruar këto akte historike, të një rëndësie të jashtëzakonshme dhe të papërsëritshme, ne nderojmë të kaluarën dhe vlerësojmë drejt rëndësinë historike të pavarësisë së Kosovës.
Pas çlirimit të Kosovës, në vitin 1999, duhet përmendur se ngjarjet evoluuan dhe pasuan me ndërtimin e institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse, së bashku me UNMIK-un, që kishte për orientim një hap përpara për ta ndryshuar gjendjen e pas luftës në Kosovë. Pors e, veprimet e pamatura të pas luftës në Kosovë sollën rrethanat konkrete, ku gjendja e brishtë e sigurisë në Kosovë kishte stagnuar paqen, prosperitetin dhe institucionet i kishte lënë të pakonsoliduara sa duhet; ekonomia e rrënuar kishte shënuar varfërinë ekstreme; kontradiktat e mëdha të spektrit politik kishin fundosur kulturën politike; demokracia e pazhvilluar kishte dëmtuar komunikimin; multietniciteti i proklamuar me pompozitet kishte promovuar dhunën, nga vetë pikëpamja e shpërfaqur e këtyre faktorëve, atëherë diplomacitë perëndimore kishin si adute të forta, për t’i përdorur kundër të ardhmes së statusit të Kosovës dhe veçanërisht diplomacia ruse, që e kërcënonte edhe Këshillin e Sigurimit, duke bërë eksperimente me të famshmin sllogan “standardet para statusit”.
Kështu, fatin e Kosovës e mbante peng rezoluta 1244, dhe po ashtu dialogu me Serbinë, si një parakusht për të shkuar drejt shpalljes së njëanshme të pavarësisë me ndihmën e SHBA-ve. Pra, me anë të atij dialogu, palët në Vjenë nga viti 2004 deri në vitin 2007 nuk u dakorduan për ndryshimin e statusit të Kosovës dhe ky dialog rezultoi i dështuar. Gjithashtu, Kosovën e vizituan me porosi edhe përfaqësues të veçantë ndërkombëtarë të Këshillit të Sigurimit për të analizuar gjendjen në Kosovë dhe për të verifikuar zhvillimin e saj të përgjithshëm, por edhe kjo përpjekje dështoi, krejt si pasojë e kundërshtimit rus. Por, kahjen e ndryshoi në vitin 2007 deklarata tepër e fuqishme dhe e qartë e ish presidentit të SHBA-ve, Xhorxh Bush, i cili gjatë vizitës së tij në Tiranë theksoi se, pavarësia e Kosovës është çështje e kryer dhe që do të përmbyllet së shpejti. Kjo ishte pika kthesë, sepse zgjidhje çdo herë ka, por se duhet mbështetje nga instanca të fuqishme të politikës ndërkombëtare, e në rastin konkret siç janë SHBA-të.
Me këmbënguljen e politikës amerikane, ndryshimi i statusit të Kosovës u ideua të zgjidhet përmes një përfaqësuesi special të OKB-së, në këtë rast Marti Ahtisarit, i cili do të hartonte një plan gjithëpërfshirës, ku do të përfshiheshin të gjitha etnitë në Kosovë, por që kishte një element thelbësor të zgjidhjes dhe ai element thelbësor ishte shpallja e pavarësisë, që nënkuptonte qëllimin kryesor të të gjitha gjeneratave në Kosovë, pra, ditën e pavarësisë dhe shpalljes së Republikës së Kosovës. Kështu, kemi 17 Shkurtin 2008, ditën me vlerë historike të kombit shqiptar, ditën që e ndryshoi statusin e Kosovës, ditën e Deklaratës së Pavarësisë dhe ditën e simboleve shtetërore.
Pra, 17 Shkurti 2008, shënon edhe përmbushjen e amanetit të të gjitha gjeneratave për liri dhe pavarësi. Rëndësia e pavarësisë njëkohësisht shënon edhe përmbushjen e elementit thelbësor, ndërtimin e institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës, edhe pse ishin për një kohë nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Kësisoj, qeveria e Republikës së Kosovës me institucionet e saj do të ndërmarrin masa të brendshme por edhe të jashtme për konsolidimin e shtetit të Kosovës. Si rëndësi të posaçme kjo nënkuptonte ndërtimin e Kushtetutës, si akti me i lartë i një shteti, prej nga janë të definuara qartë ndërtimi i hallkave institucionale dhe ndarjes së pushtetit, po ashtu funksionimi i tyre, laiciteti shtetëror, orientimi dhe profili shtetëror demokratik, liritë dhe të drejtat e njeriut, etj. Rëndësi tjetër e pavarësisë është edhe krijimi i simboleve të Republikës së Kosovës, flamurit, stemës, dhe hymnit shtetëror, përmes së cilave Kosova do të identifikohet në rajonin vendor dhe ndërkombëtar.
Gjithashtu, rëndësi të veçantë ka edhe krijimi i dokumenteve zyrtare, dokumenteve identifikuese dhe pasaportës së Republikës së Kosovës, ky moment historik që sjellë një rrëfim ndryshe për shtetin e ri të Europës. Pavarësia e institucionit të policisë së Kosovës shënon rëndësinë sublime të Republikës së Kosovës, prej të cilëve qytetarët do të janë të sigurtë, të mbrojtur dhe mbi të gjitha nuk do të ndjehen të kenë frikë, ku policia e Millosheviqit kishte sjellur pasiguri, frikë, traumë, vrasje dhe mizori te populli shqiptar në Kosovë. Pavarësimi i Kosovës shënon rëndësi për të gjithë Ballkanin, sepse u krijua një stabilitet afatgjatë duke garantuar siguri për tërë rajonin në veçanti por edhe për Evropën në përgjithësi.
Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësi e posaçme ishte krijimi i Ministrisë të Punëve të Jashtme, ngase Kosova nuk kishte pasur ambasada, nuk kishte diplomaci, dhe kjo në rrafshin ndërkombëtar nënkuptonte krijimin e një partneriteti të ri me shtetet e botës. Në këtë fazë të parë, më rëndësi historike është fakti se shtetin e Kosovës, e para e njohën SHBA, duke u njohur edhe nga më shumë se 113 shtete për dhjetë vjet, dhe se krahas njohjes ndërkombëtare, ka pasuar edhe një vendim pozitiv nga GJND-ja për statusin e Kosovës, i cili është qartësisht i mbështetur në akte ndërkombëtare.
Rëndësi tjetër e posaçme e kësaj date, janë edhe zhvillimet që do të ndodhnin në Kosovë në aspekte të ndryshme të jetës politike, sociale, arsimore, infrastrukturore etj., për shkak se Kosova gjendej në një pozitë jo të favorshme të zhvillimit rural dhe rajonal. Pra, në këto dhjetë vite është investuar në infrastrukturën lokale, komunale, shkollore, kulturore, ambulantore-mjekësore, rrugore dhe në segmente të tjera. Në fushën ekonomike, tregtare dhe bujqësore janë bërë përpjekje, por ka ngecje të zhvillimit stabil dhe koherent, ngase privatizimi si një model i promovuar dhe përkrahur nga ndërkombëtarët nuk ka sjellë rezultate në këtë dhjetëvjeçar të shtetit të Kosovës.
Megjithatë, Kosova në këtë periudhe dhjetëvjeçare është përballur dhe vazhdon të përballet edhe me shumë sfida. Sfida më e madhe është se Kosova ende nuk është e konsoliduar sa i përket aspektit ushtarak, pra ende nuk e ka të formuar ushtrinë e saj, ngase ushtria është një nga elementet që garanton sigurinë dhe sovranitetin e këtij shteti. Pos kësaj, ambicia natyrale e Kosovës është të bëhet pjesë e NATO-s dhe kështu të realizohet ëndrra shekullore e shqiptarëve.
Sfidë tjetër vazhdon të mbetet edhe çështja e hartës dhe kufijve të Kosovës, për shkak se kjo çështje konsiderohet si një ndër pikat kyçe, që jep dhe garanton bashkëpunim ndërmjet fqinjëve, si dhe bashkëpunim edhe me akterët europianë dhe ndërkombëtarë. Pra, kjo edhe shpërfaq atë se Kosova nuk është në mentalitetin e shekullit XIX ose XX, por gjendet në hap ose korrelacion me kohën. Para se gjithash, duhet përmendur një element, që nga formimi kombëtar dhe profesional që kam, nuk mundem pa e thënë në lidhje me shënjimin e kufijve të Kosovës, ngase historikisht Kosovës i kanë marrë territor, pra, boll iu ka dhënë territor të tjerëve, të gjitha vendeve fqinje që i ka sot, dhe si tani nuk mundet që të gjendet një lloj kompromisi prej atyre vendeve që iu ka “dhënë” territor?, ngase është i paarsyeshëm cilido qëllim sot, që të cenohet territori i Republikës së Kosovës. Pra, kufiri për shqiptarin është simbol i veçantë në shumë kuptime dhe territori për të është i shenjtë. Prandaj, si historian them se kjo është një sfidë, por megjithatë duhet të ruhet kufiri që nënkupton edhe ruajtjen e sovranitetit territorial të Kosovës, pa i dëmtuar interesat shtetërore, rajonale, europiane dhe ndërkombëtare, gjithnjë mbi bazën e fqinjësisë së mirë dhe reciprocitetit në bashkëpunim rajonal.
Në këtë përvjetor jubilar, sfidë tjetër historike për Kosovën mbetet edhe drejtësia tranzicionale ose ajo që po konsiderohet si Gjykata Speciale, ose më mirë të themi, një proces gjyqësor që është i njëanshëm, kuptimi më i saktë, për shkak se nuk është gjithëpërfshirës, sepse për objektiv e ka vetëm një palë dhe jo të gjitha palët, si dhe kohën apo periudhën e rasteve. Kjo, pra, e vë në sfidë një element tjetër, që është elementi i nisur si ide e pajtimit.
Pra, çfarë pajtimi nënkupton kjo ide?!, thënë në kuptimin pragmatik, kur ne kemi edhe 1600 trupa të pagjetur të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë? Ne i njohim shumë nga ata që i kanë kryer ato krime dhe sot kryerësi i krimit është i lirë, madje mban edhe pozita shtetërore në Serbi dhe nuk është dënuar. Sa i përket çështjes së pajtimi, mendoj se së pari duhet të ndiqen këta hapa: të dihet E VËRTETA, se ku janë ata persona që janë marrë dhe janë zhdukur nga regjimi i Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë?, pas të vërtetës DREJTËSIA, pra dënimi për ata që kanë kryer krime apo a janë dënuar dhe sa janë dënuar?, dhe pas kësaj, mbi bazën e të gjitha praktikave ndërkombëtare duhet të pasojë KËRKIM FALJA, për shkak se shteti që ka kryer krime, ose personat e atij shteti që janë në detyrë duhet të kërkojnë falje për ato krime që kanë bërë paraardhësit e tyre dhe pas kërkim faljes vjen DËMSHPËRBLIMI, që është normë ndërkombëtare dhe pas krejt këtyre vjen PAJTIMI. Pra, këto janë rregulla nëpër të cilat shkohet dhe duhet të shkohet drejt zbatimit të këtyre hapave Republika e Kosovës, prandaj ky pajtim është sfidë tjetër për shkak se kemi të bëjmë me një proces që Kosova duhet ta definojë qartë këtë rrugë, në të kundërtën ka mospajtueshmëri dhe dështim.
Sfidë e pandalshme mbetet edhe liberalizimi i vizave dhe integrimi i Kosovës brenda hallkave të institucioneve europiane. Edhe pse de facto dhe de jure është sfidë e madhe, është i paimagjinueshëm momentumi historik se si Kosova ka mbetur e izoluar dhe e rrethuar me shtete që kanë liberalizim, kur veçmas Serbia e cila ka qenë shtet kriminal, që ka shkaktuar luftë, dhunë, terror dhe dëme të llojllojshme në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, pa asnjë pengesë liberalizohet dhe është kandidat për integrim në BE?!.
Kjo është ajo Evropa historikisht e padrejtësisë ndaj shqiptarëve, por, është Amerika historikisht e drejtë ndaj shqiptarëve. Sepse, Kosova praninë europiane e ka që nga vitit 1999 dhe këtu është paradoksi, për shkak se është vendi i vetëm që praninë europiane e ka pranuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ka bashkëpunuar jashtëzakonisht shumë mirë me ta, dhe sot janë ata që mbështesin një shtet gjenocidal, siç është Serbia dhe nuk e mbështesin vendin ku kanë investuar vetë, mirë ose keq, Kosovën. Dhe, në qoftë se të arriturat e Kosovës nuk kanë ndodhur, po supozojmë jo për 10, por për 20 vite pas luftës, atëherë është një faturë që duhet ta paguaj edhe Bashkësia Europiane, sepse edhe ajo ka pasur përgjegjësitë e saja karshi instancave vendore. Pra, është një nga ato që fajin mund ta ndajnë të përbashkët, për të dy palët njëjtë. Këtu, është edhe një element tjetër i papranueshëm karshi Kosovës, ngase orientimi ynë si shtet, është se, ne, jo që jemi proeuropian, por ne jemi europian, që nënkupton, që ne gjendemi brenda gjeografisë së Europës, gjuha jonë është pjesë e trungut të gjuhëve indoeuropiane dhe kjo nënkupton që në mënyrë të pashmangshme ne jemi Europë. Pra, natyrshëm Europa është shtëpia jonë.
Sfidë tjetër do të përmendja edhe aspektin e integrimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Anëtarësimi i Kosovës në disa organizata ndërkombëtare është sfidë për shkak të mungesës e lobingut, fushatës së vazhdueshme të qeverisë serbe kundër Kosovës, si dhe kërcënimi nga përdorimi i veto-s nga disa shtete që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Njëkohësisht, sfidat mund të jenë më të “lehta” që lidhet me organizata tjera ndërkombëtare, që nuk janë edhe shumë të vështira për t`u arritur, por që duhet një plan konkret i politikës së jashtme apo të hartohet një strategji kombëtare që do të planifikonte hapat konkret që duhet ndërmarrë, se në cilat organizata duhet të fillohet së pari të aplikohet dhe të anëtarësohet Kosova, siç janë p.sh. me UNESCO-n dhe Këshillin e Europës.
Pra, pavarësia e Kosovës rrjedh mbi sakrificën e gjeneratave të tëra dhe rëndësia e saj historike është e jashtëzakonshme, sepse është e vulosur me gjakun e heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit. Ata janë rojet e institucioneve të shtetit të Kosovës, janë emblema më e rëndësishme dhe më meritore për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës. Prandaj, platformat kombëtare janë mbi platformat ideologjike e politike, sepse i pari është institucioni, shteti, për shkak se këto institucione, liria dhe pavarësia janë fituar me shumë mundime e sakrificë. Është obligim kombëtar, moral dhe njerëzor që primare ta kemi ruajtjen, konsolidimin dhe avancimin e institucioneve dhe shtetin e Kosovës.
Prandaj, ky 10 vjetor shënon pika të rëndësishme të zhvillimit, por njëkohësisht edhe sfida si çdo shtet tjetër që ka pasur ose i ka për të ardhme.
Selim Bezeraj është profesor i historisë bashkëkohore shqiptare në Departamentin e Historisë në Universitetin e Prishtinës.
Ky është opinion i autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimin e redaksisë.
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha